Debati/Sh. Nazarko: “Kemi prerë pyjet, shesim lëndën drusore. Po i vëmë zjarrin b...sonë”. Bumçi: “Do hapin portat e HEC-ve si në 2010-ën”

Është zhvilluar debat shumë i ashpër në emisionin “Kapital” të premten në mbrëmje, mes deputetit demokrat Aldo Bumçi dhe analistit Shpëtim Nazarko. Bumçi është ankuar edhe për mungesë balance në panel, pasi bashkë me Nazarkon kanë qenë edhe deputeti Taulant Balla dhe Lavdosh Ferruni. Kësaj vërejtjeje të deputetit të PD-së, Shpëtim Nazarko i është përgjigjur se “unë jam mbi të gjithë këtu. Unë jam autoritet moral”. Lidhur me çështjen e shtruar për diskutim, përmbytjet, Nazarko ka deklaruar se deri në vitin 2010 janë marrë shumë fonde, janë deklaruar sikur janë shpenzuar, por në të vërtetë nuk është bërë asgjë. “Ne kemi shkatërruar çdo gjë që na lanë të parët. Kjo nuk ka lidhje me Enver Hoxhën. E dini ju kush ishte lënda e parë e eksporteve shqiptare për vitin 2013? Lënda drusore. Të presësh pyjet dhe të eksportosh lëndën drusore në një popull kaq të varfër, kjo është t’i vësh zjarrin bythës tënde”, tha Nazarko. Bumçi ka shtruar në pyetje që meriton vëmendje: “Ministri Gjiknuri deklaroi të enjten në Parlament se në Veri nuk ka përmbytje, pasi ne menaxhojmë mirë kaskadën e Drinit, kurse më parë menaxhohej keq kaskada. Sot niveli i Fierzëz është 292 m, 3 m nga pika kritike. Mjafton një shi që dyert të hapen dhe të ndodhë përmbytja. Si qenka atëherë çështje menaxhimi? Ndaj nuk e shpalin emergjencën, sepse nuk kanë kurajë të pranojnë këtë fakt”. Ndonëse shifra për Fierzën nuk është pranuar si e vërtetë nga Balla, sot raportohet se 3 hidrocentrale kanë hapur portat: Fierza(293m), Komani dhe Vau i Dejës. Gjiknuri tha sot se “nuk ka rrezik për përmbytje, sepse po menaxhohet mirë kaskada”, por për këtë duhet uruar edhe për një mot më të qëndrueshëm.
s.z
Add new comment