Ikin nga varfëria e Kosovës dhe plaçkiten nga policia serbe...Politikanët konstatojnë gjendjen, sillen si reporterë

“Koha Ditore” raporton shqetësimin e qyetarëve të Kosovës të cilët largohen nga vendi. Duke kaluar nëpër Serbi për të dalë në Hungari që është hapësirë e BE-së, shqiptarët po plaçkiten nga policia serbe, e cila u merr eurot dhe u jep ultimatumi për të lënë vendin brenda 48 orëve. Një qytetar i ka dërguar KD-së pamje dhe video të ngjarjes në fjalë, e cila rikujton për të gjithë se shqiptarët, kudo që të jenë, as që duhet të llogarisin se kanë në krah të tyre shtetin, apo shtetet meqë janë dy. Flitet e stërflitet për ikjen e kosovarëve si pasojë e varfërisë, por kursuret nuk mbarojnë as pas kësaj. Është me vend të kujtohet se këto ditët e fundit, çështja e ikjes së shqiptarëve ka tërhequr në vorbullën e deklaratave edhe politikanë të Shqipërisë. Dikush, që ndoshta pëlqen të flasë me metafora, i krahasoi me lumenjtë, ndërkohë që ambasadori ynë në Greqi fliste për 180 mijë shqiptarë që kanë lënë Greqinë dhe ose janë kthyer në Shqipëri, ose kanë ikur diku tjetër. Ben Blushi shkruante sot se “të varfërit janë shumicë në Shqipërinë e pas 23 qershorit”, por para dy ditësh u bë i njohur qëndrimi i një tjetër politikani të së majtës, që fliste për faktin se “shqiptarët vuajnë në Greqi”. Nuk dihet se për cilën arsye politikanët edhe në Shqipëri, por edhe në Kosovë, sillen si reporterë kur vjen puna për të “parë varfërinë në sy”, që është pasojë e qenies së tyre në drejtim, ndërkohë që çuditërisht i japin të drejta vetes të flasin edhe për gjendjen e shqiptarëve gjetkë.
s.z
Add new comment