Al-Baghdadi pushtohet nga ISIS. Objektivi i radhës, baza ajrore që strehon amerikanët

Militantët e Shtetit Islamik kanë marrë gjatë së premtes kontrollin e plotë të qytetit irakian të Al-Baghdadit, në perëndim të Ramadit, e sipas zyrtarëve të sigurisë ata u janë afruar së tepërmi një baze ajrore që strehon personelin ushtarak amerikan. “Tashmë ata janë pranë bazës ajrore strategjike të Ayn al-Assad, vetëm 15 km larg Al-Baghdadit”, thanë zyrtarë të sigurisë, ndërkohë që forcat irakiane kanë nisur të bëjnë thirrje për përforcime. Por, një zyrtar amerikan i mbrojtjes tha për CNN se nuk është planifikuar asnjë evakuim i bazës në fjalë. Fronti perëndimor është vetëm njëri prej shumë të tillëve drejt të cilëve po lëvizin militantët e Shtetit Islamik. Ndërsa, sipas një reporteri të CNN në Irakun verior, luftëtarët kurdë “peshmerga” janë duke u zhvendosur nga veriu drejt qytetit të Sinjarit, i cili kontrollohet prej ekstremistëve që prej verës së vitit të kaluar.
l.v
Add new comment