Hahn: Me rëndësi për Kosovën, ruajtja e stabilitetit. Jahjaga: Dialogu me Serbinë, e rëndësishme arritja e marrëveshjes për çështje të drejtësisë

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, priti në takim komisionerin e BE-së për politikat e fqinjësisë dhe negocim të zgjerimit, Johannes Hahn. Komisioneri i BE-së për politikat e fqinjësisë dhe negocim të zgjerimit, Johannes Hahn, në takim sot në Prishtinë me Presidenten Atifete Jahjaga, theksoi se është me rëndësi për Kosovën ruajtja e stabilitetit dhe angazhimi në thellimin e reformave të brendshme që do të mundësojnë edhe zhvillim ekonomik. Ai tha se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nuk ka asnjë lidhje me migrimin ilegal dhe theksoi se procesi i vlerësimeve të përmbushjes së kritereve për liberalizim do të vazhdojë. Hahn tha se rifillimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është me rëndësi të veçantë, sepse kjo do të ndihmojë edhe më shumë procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre. Në takim u diskutua gjithashtu edhe për perspektivën evropiane të Kosovës, përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave dhe të MSA-së për Kosovën, migrimin ilegal të qytetarëve të vendit, si dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Republikën e Serbisë, përmes dialogut që po zhvillohet në Bruksel. Duke folur për dialogun me Republikën e Serbisë, Presidentja Jahjaga theksoi se është me rëndësi rifillimi i tij dhe arritja e marrëveshjes për çështje të drejtësisë, bazuar në ligjet e Republikës së Kosovës, por tha se dialogu duhet të jetë transparent për qytetarët dhe se të gjitha marrëveshjet e arritura duhet të përmbushen plotësisht.
l.v
Add new comment