Me koncesion edhe shërbimi i sterilizmit të pajisjeve kirurgjikale dhe dezinfektimit të sallave. PD-ja thotë se bëhet fjalë për 96 mld lekë

Pas shërbimit check up, Ministria e Shëndetësisë shpall edhe dhënien me koncesion të shërbimit të sterilizimit. Zv. Ministri Klodian Rrjepaj ka sqaruar se përse po shkohet në këtë rrugë. “Janë disa kompani që e ofrojnë në bazë të tregut. Janë 5-6 kompani në Itali, Angli që janë kompani të fuqishme. Në të gjithë këtë rrjet me hartimin e programit të vizibilitetit, me miratimin në Ministrinë e Financave, me konsultimet që kemi bërë janë hartuar edhe dokumentat e tenderit. Por përse do të jepet me koncension ky shërbim? 2 janë arsyet madhore, pajisjet kirugjikale, të cilat janë në gjendje të mjerueshme dhe të papërdorshme dhe infeksionet spitalore të rrezikshme, por që janë në një përqindje shokuese; arrijnë deri në 37% nga 8% në vendet europiane”, tha ai. Një ditë më parë, opozita ka denoncuar këtë nismë të qeverisë, që sipas PD-së sigurin fitim 70% për atë që do të marrë koncesionin. “96 miliardë lekë do të jepen për sterilizimin e veglave kirurgjikale dhe dezinfektimin e sallave. Këto 96 miliardë lekë do të jepen me 30 Mars për klientët e preferuar të qeverisë, me një procedurë aspak transperante. Aktualisht, ky shërbim kryhet në shifra shumë më të vogla, dhe madje me përgjegjësi më të madhe. 96 miliardë lekë janë një shumë që e tejkalon disa herë koston e këtij shërbimi. Sipas specialistëve të fushës, norma e fitimit në këtë rast është të paktën 70%”, tha Grida Duma.
s.z
Add new comment