Interpoli kërkon 17 serbë të dyshuar për krime lufte në Kosovë, një prej tyre është deputet i partisë së Vuçiçit

“Zëri i Amerikës” thotë se autoritetet serbe reaguan pas njoftimeve se në policinë ndërkombëtare janë ngritur urdhër arreste për 17 të dyshuar për krime lufte, në mesin e tyre një deputet serb. Komentet e tyre pasuan njoftimet se një gjykatë në Gjakovë, në Kosovën perëndimore, ka shpallur një urdhër arresti për ish gjeneralin serb Momir Stojanoviç dhe 16 serbë të tjerë, nën akuzat për krime lufte. Momir Stojanoviç aktualisht është deputet i Partisë Përparimtare të Serbisë, që udhëhiqet nga kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç dhe kryetar i komisionit parlamentar për çështje të sigurisë. Ai u tha medieve serbe se urdhër arresti ndaj tij është trysni politike ndërsa pret mbështetjen e shtetit serb. “VOA” njofton gjithashtu se autoritetet serbe thanë se nuk e njohin autoritetin e gjykatave të Kosovës. Urdhër arresti tashmë është në faqen e policisë ndërkombëtare (Interpol), ku është vendosur me kërkesën e një prokurori ndërkombëtar të Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, EULEX. Urdhër arresti pasoi një periudhë hetimesh pesë vjeçare, që lidhen me kohën kur Momir Stojanoviç ishte pjesë e korpusit të dikurshëm të Ushtrisë Jugosllave në Prishtinë. Ai dhe 16 persona të tjerë dyshohen për përfshirje në masakrën e fshatit Mejë të komunës së Gjakovës më 27 prill të vitit 1999, kur ishin vrarë afro 400 shqiptarë. Në të njëjtin urdhër arrest janë edhe Nikola Miçunoviç, Zoran Mirkoviç, Momçilo Stijoviç, Momçilo, Milutin dhe Miladin Novakoviç, Dragan e Aleksandër Pekoviç, Zhivko Vuksanoviç, Mirash Gegoviç, Predrag Stojanoviç, Muharrem Ibraj, Misho Popoviç, Dimitrije Rashoviç, Sreten Camoviç dhe Llazar Drashkoviç. Në bazë të këtij urdhër arresti ditë më parë Podgoricë, kryeqyteti i Malit të Zi, është arrestuar Mirash Gegoviç, i cili ndodhet në paraburgim.
l.v
http://www.zeriamerikes.com/content/kosovo-serbia-interpol-war-crimes/2660570.html
Add new comment