Prokurori i Përgjithshëm urdhëron nisjen e hetimit kryesisht për deklaratat e T. Doshit. Ndërkohë që ishte vënë në dijeni që 5 muaj më parë...

Postuar në 03 Mars, 2015 05:16

Prokuroria ka nisur sot hetimet për zbardhjen e denoncimit publik të deputetit Tom Doshi, sipas të cilit prej disa muajsh ka patur një tentativë vrasjeje ndaj tij. Urdhri i Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, hedh dritë mbi procedurën e nisur: “Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, ka urdhëruar Prokurorinë për Krime të Rënda të nisë hetimin kryesisht mbi deklarimet e z. Tom Doshi, deputet në Kuvendin e Shqipërisë, i cili është shprehur publikisht ditën e Hënë (dt. 02.03.2015), se ka pasur një tentativë për vrasje ndaj tij dhe një tjetër deputeti, disa muaj më parë. Në kuadër të këtyre hetimeve, Prokuroria, krahas veprimeve të tjera proceduriale, fton deputetin Tom Doshi që të paraqesë shpjegimet e tij, si edhe provat që ai disponon në lidhje me këtë rast”. Nisja e hetimit u bë pas takimit mes Llallës dhe kryeministrit Edi Rama, ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe kreut të Kuvendit, Ilir Meta. Po kështu Llalla i bën jehonë propozimit të një dite më parë nga Kreu i Komisionit të Sigurisë që provat e disponura të vihen në dispozicion të organit të akuzës, qoftë edhe përmes sekuestrimit. Hetimi kryesisht flet se nuk ka një denoncim, apo kallëzim nga pala e dëmtuar, pra deputeti Doshi. Disa pyetje lindin në këtë rast, duke marrë në konsideratë deklaratat e deritanishme, përfshirë edhe ato të kreut të Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, apo edhe ato të kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. Konstatimi i përpjekjes për vrasje është bërë 5 muaj më parë, janë vënë në dijeni kreu i Kuvendit dhe përmes tij, organi i akuzës me ministrin e Brendshëm. Pyetja që shtrohet është se përse nuk nisën hetimet që në atë kohë? Në rast se Ministria e Brendshme, parimisht duhet të sigurojë jetën, prokuroria përse është vënë në dëgjesë që para disa muajsh për këtë çështje? Pra çfarë ka bërë organi i akuzës këto muaj, përderisa zyrtarisht hetimi ka nisur vetëm sot? Pikëpyetje shtron edhe fakti se Doshi e ka adresuar shqetësimin e tij te kryetari i Kuvendit, duke shmangur organet e zbatimit të ligjit, por mesa duket formalisht edhe kryeministrin, që do supozuar se ka qenë gjithsesi në dijeni. Me sa duket çdo gjë do të mund të sqarohet sadopak nga sjellja e Doshit në raport me hetimin e saponisur, por administrimi i deritanishëm i kësaj çështjeje në rrugë private, lë dyshimin se problemet e veta, politika shpesh preferon t’i zgjidhë po në rrugë private apo informale. Pa hezituar që të përdorë edhe titullarë institucionesh.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.