Çështja “Doshi”, ndalohet një shtetas në Han të Hotit. Një ditë më parë gazetari Artan Hoxha foli për një person ndaj të cilit “është bërë atentat”

Mediat njoftojnë ndalimin në pikën kufitare të Hanit të Hotit të shtetasit Durim Bani, i dyshuar për përfshirjen në tentativën për të eliminuar deputetin Tom Doshi. “Personi me inicialet D. B i cili është shoqëruar u ndalua në pikën kufitare të Hanit të Hotit teksa po largohej nga Shqipëria...”, raporton “Ora News”. Ndalimi është bërë pak orë pasi Prokurori i Përgjithshëm urdhëroi nisjen e hetimeve kryesisht, çka do të thotë se personat e përfshirë kanë qenë të njohur. Ndalimi i këtij shtetasi implikon shumë zhvillimin e situatës, pasi duket sikur po konfirmohet versioni i dhënë një ditë më parë në “Opinion” nga gazetari Artan Hoxha. Sipas tij, personi që rrëfehet në video se është paguar për të vrarë Doshin, është një person të cilit “një javë ose 10 ditë më parë i është bërë atentat me eksploziv në makinë”. Nga një kërkim në internet, rezulton se shtetasit në fjalë, i është kryer atentat në datën 22 shkurt, por eksplozivi në makinën e tij u çaktivizua. Kjo lëvizje shumë e shpejtë në drejtim të një personi që është aluduar se dëshmon për tentativën për vrasjen e Doshit, ngre pikëpyetje shqetësuese mbi rolin e organit të akuzës, që në këtë rast “po i shkon pas” versionit të hedhur në një studio televizive. Pra faktit se çështja “po zbardhet” në momentin që është bërë publike.
s.z
Add new comment