PD-ja kërkon dorëheqjen e ministrit të Brendshëm dhe akuzon: “A e ka takuar ndonjëherë Saimir Tahiri atentatorin, në prani të Emiliano Shullazit?

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, ka bërë sot në mbrëmje një deklaratë për shtyp përmes së cilës ka përcjellë qëndrimin e vet për deklaratat e ministrit të Brendshëm. Ristani ka kërkuar dorëheqjen e Tahirit, ndaj të cilit ka shtruar disa pyetje: “Megjithëse përgojoi për 30 minuta se kush ulej në tavolinë me kë, dhe cilin restorant frekuentojnë njerëzit, sërish Tahiri ra në kontradikta të mëdha. Fillimisht ai përgenjështroi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë. Artan Didi ka deklaruar publikisht se nuk ka pasur informacion rreth kësaj ngjarje dhe se nuk ka takuar askënd, asnjë personazh të kësaj historie kriminale. Por shefi i tij, Saimir Tahiri, tha sot se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë është gënjeshtar, pasi ai e ka takuar personin e dyshuar si atentator, e që ka marrë porosinë për të vrarë dy deputetët. Ministri i Brendshëm, pranoi sot se është marrë privatisht me këtë ngjarje, pasi ka bërë takime informale me personin që dyshohet si atentatori i paguar, madje edhe në shtëpi plazhi. Po sa herë e ka takuar Ministri të dyshuarin për vrasje të mbetur në tentativë? A e ka takuar ndonjëherë Saimir Tahiri atentatorin, në prani të Emiliano Shullazit? Ministri i Brendshëm nuk thotë asgjë, se përse prej 6 muajsh nuk u mor asnjë masë, asnjë veprim konkret për këtë ngjarje të rëndë, por papritur të gjitha zhvillimet ndodhën në dy ditët e fundit, pasi deputeti doli e akuzoi publikisht kryetarin e Kuvendit si vrasës, e kryeministrin si dëshmitar në vrasje”, tha ndër të tjera Ristani.
s.z
Add new comment