Merita e Vettingut

Postuar në 27 Nëntor, 2026 17:05

Më 12 mars 2025, një nga institucionet e krijuara enkas për Vettingun e gjykatësve dhe prokurorëve, Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të merrte një nga vendimet më kontradiktore në sistemin e drejtësisë, duke rikthyer në detyrë një prokurore e cila ishte përjashtuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Ajo që do të bënte KPA- ja do të linte shenjë në sistemin e drejtësisë pasi për të njëjtin kriter që do të skualifikonte një listë të gjatë prokurorësh e gjykatësish, po për atë kriter do të mbyllte sytë për magjistraten Merita Selimi. Selimi, ishprokurore e Lushnjes dhe tashmë prokurore e Fierit kishte marrë një kredi të butë për shtëpi në Tiranë, pa plotësuar kriteret në shkelje të ligjit për kreditë e buta.

Kriteri i deklarimeve të pasakta, që mund të kenë patur me shumë mundësi përfitimin e një kredie që nuk i takonte, tregojnë se pas mantelit të prokurores nuk qendron një njeri që zbaton gjithmonë ligjin, por një njeri që e shmang atë kur bëhet fjalë për interesat e veta. Në këtë artikull, nëpërmjet denoncimeve që kanë ardhur në redaksinë “Vetting”, ne do të tregojmë se si një prokurore që ka shpërfillur dhe shkelur ligjin njëkohësisht, vazhdon të jetë në detyrë kur tashmë duhet të ishte përjashtuar nga sistemi i drejtësisë, nëse bazohemi te standartet e ndjekura nga vetë institucionet e Vettingut.

RRUGËTIMI I PROKURORES

Historia e Merita Selimit do të niste në sistemin e drejtësisë në vitin 1992, kur ajo do të bëhej prokurore e Lushnjes. Një nga njollat më të errëta të prokurores do të ngelej vetëvrasja e të ndjerit Qamil Zelas. Më 28 tetor 2014, Policia e Lushnjes do të arrestonte këtë të fundit për çështjen e energjisë elektrike pasi pretendohej se ai e merrte energjinë nëpërmjet kontratës familjare për 2 dyqanet e tij.

Materialet hetimore do ti kalonin Prokurorisë së Lushnjes, e cila asokohe drejtohej nga prokurorja Selimi. Dy ditë më pas, Zela do të qendronte në burg pasi Gjykata do të pranonte kërkesën për arrest me burg nga prokuroria. Familjarët e vet deklaruan se dëmi ishte rreth 35 mijë lekë të vjetra dhe se ishin gati ta paguanin. Por neglizhenca nga prokuroria dhe qendrimi për 2 muaj në paraburgim, do të bënin që Qamil Zela të vriste veten në qelinë e burgut të Rrogozhinës.

Ngjarja e rëndë do të trondiste opinionin publik dhe opozita do të akuzonte qeverinë për masat e ashpra për çështjen e energjisë elektrike. Ishprokurori i përgjithshëm, Adriatik Llalla nuk do ta linte me kaq këtë skandal që përfshiu Prokurorinë e Lushnjes, duke shkarkuar nga drejtimi Merita Selimin. Asokohe në media do të qarkullonte lajmi se rasti i të ndjerit Zela do t’i kushtonte postin prokurores Selimi. Faktikisht magjistratja humbi drejtimin e institucionit, por jo profesionin ndërkohë që Qamili humbi jetën për shkak të një tragjedie që mund të ishte shmangur. Interesant është fakti se Komisioni i Vettingut do ta përmendte urdhrin e 7 janarit 2015 për të verifikuar nëse Selimi kishte firmosur shkresa pas lirimit. Askush nuk pyeti pse u lirua, cili prokuror kërkoi “arrest me burg” dhe a e miratoi drejtuesja Selimi?

PROBLEMET ME PASURINË

Në raportin zyrtar për procesin e “Vetting” që u mbyll në fund të vitit 2025, një nga arsyet më shpeshta që janë shkarkuar nga sistemi prokurorë dhe gjykatës lidhet me kriterin e pasurisë. Pikërisht, pasuria ka qenë nyja e problemeve sepse njerëzit që bëjnë korrupsion dhe nuk lënë prova pas, si problem të vetëm kanë futjen në qarkullim të parave nga korrupsioni ose aktivitete të paligjshme. Teksa me vite pafund, prokurorët dhe gjykatësit e përjashtuar nga sistemi nuk ishin futur asnjëherë në sitë, institucionet e “Vetting” zbuluan se shumica e tyre nga momenti i punësimit si magjistratë, ana e tyre financiare kishte marrë zhvillim të jashtëzakonshëm duke ia kaluar një biznesi normal. Në fakt, Merita Selimi kishte probleme me deklarimin e pasurisë sepse shumë nga deklaratat e saj nuk përputhen me shifrat, të cilat janë shkelje të evidentuara nga shkalla e parë e “Vettingut”, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Në vitin 2003, kur magjistratët u detyruan të deklaronin pasurinë, prokurorja shënoi me shkrimin e saj një gjendje kesh prej 4 milionë lekësh, me burim “kursime nga puna 20- vjeçare”. Por detaji që do të bënte diferencën ishte shënimi. Kursimet, do të shkruante prokurorja Selimi, ndodhen “pjesërisht në bankë, Lushnje, pjesërisht për përdorim kambizmi vëllezërve të mi”.

Pra, një prokurore deklaronte zyrtarisht se paratë e saj ishin vënë në qarkullim në këmbimin valutor të vëllezërve të saj. Përgjigjen do ta jepte vetë Selimi para Komisionit. Kambizmi i vëllezërve “është formalizuar vetëm në vitin 2007, por është filluar menjëherë pas vitit 1990”. Dokumentet e Vettingut e konfirmojnë se zyra u regjistrua si person i tatueshëm në 20 qershor 2007 dhe u licencua nga Banka e Shqipërisë më 17 korrik 2007. Edhe Kolegji shkruan se para vitit 2007, ky aktivitet “kryhej në mënyrë informale”. Pra, për vite me radhë kursimet e një prokuroreje qarkullonin në një kambizëm të paregjistruar dhe të palicencuar.

Këtë e thotë vetë prokurorja Selimi, me firmën e saj. Por a mund t’i vërë një prokuror paratë e veta në qarkullim, në një aktivitet tregtar pa licencë? Sipas avokatit Elton Laska, ky rast lë vend për dyshime. Kjo lidhje nuk mbaroi në 2003 pasi për të justifikuar 35 mijë dollarët që depozitoi në bankë atë vit, prokurorja Selimi kërkoi që të llogariteshin të ardhurat e vëllezërve nga kambizmi dhe rrobaqepësia, të cilat, siç pranoi vetë, nuk i vërtetonte dot, sepse dokumentet “janë djegur gjatë trazirave të vitit 1997”. Komisioni nuk i pranoi dhe rezultati ishte një mungesë burimesh të ligjshme prej 1.15 milion lekë vetëm për kursimet deri në vitin 2003...

INA RAMA “AMNISTOI” PROKUROREN

Më 27 korrik 2023, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të shkarkonte prokuroren Merita Selimi me dy vota kundër një. Kryesuesja Brunilda Bekteshi dhe anëtarja Etleda Çiftja votuan për shkarkim ndërkohë që relatori Lulzim Hamitaj do të votonte kundër. Ndër shkaqet e gjetura nga institucioni i Vettingut rezultonin mungesë burimesh të ligjshme me vlerë 3,1 milionë lekë, deklarim i pasaktë dhe një kredi e butë e përfituar duke shmangur ligjin, “në kundërshtim me etikën e magjistratit”. Me vendimin e Komisionit, Merita Selimi u pezullua nga detyra. Nga 27 korriku 2023 deri më 12 mars 2025, pothuajse 20 (njëzet) muaj, ajo ishte prokurore e pezulluar, në pritje të vendimit të Kolegjit. Por Kolegji i Posaçëm i Apelit me relatore Ina Ramën dhe kryesuese Rezarta Schuetz, i zbuti shifrat. Megjitahtë edhe pas korrigjimeve, dy bilance mbetën negative me vlerë rreth 1 milion lekë për kursimet deri në 2003 dhe 470 mijë lekë për depozitën e marsit 2012. Kolegji pranoi edhe deklarimin e pasaktë dhe konfirmoi se kredia e butë ishte marrë në kundërshtim me VKM- në. Edhe pse i njohu shkeljet, çuditërisht Kolegji e ktheu në detyrë, në emër të “parimit të proporcionalitetit”.

Për bilancin e vitit 2003, Kolegji arsyetoi se të ardhurat e familjes “objektivisht, duhet të kenë ekzistuar pavarësisht se rezultoi e paprovuar sasia e të ardhurave” dhe se vëllezërit mund ta zhvillonin veprimtarinë “në kushtet e informalitetit të lartë të kohës”. Informaliteti i kambizmit, ku qarkullonin kursimet e prokurores, u bë justifikim për pasurinë e saj. Por paratë ishin të prokurores dhe avokati Laskae u shpreh për redaksinë “Vetting” se një magjistrat nuk mund të jetë as përfitues i pjesshëm i një aktiviteti ekonomik pa licencë që e ushtron dikush tjetër. Megjithatë Kolegji e ktheu informalitetin nga problem në justifikim. Për kredinë e butë, Kolegji shkroi se blerja në Tiranë “tregon orientimin e subjektit për vijimin e karrierës së saj”. Një shkelje e ligjit u kthye në “orientim karriere”. E megjithatë, është po ky Kolegj që ka vendosur rregullin për provën e cash- it. Prokurorja Selimi nuk e kishte deklaruar në deklaratat periodike pakësimin e cashit për apartamentin. Rasti i Selimit ngriti një pyetje goditëse për Kolegjin e Posaçëm të Apelit, pse në këtë rast Kolegji e toleroi prokuroren Selimi dhe shkarkoi të tjerët?

 

DENONCIMI I SEFEDIN SHEFËS

Sefedin Shefa, qytetari lushnjar që prej 30 vitesh lufton për truallin ku dikur ishte kinemaja dimërore e Lushnjës, e ka denoncuar prokuroren Selimi edhe në Vetting dhe në SPAK. “Kam ardhur në emisionin Vetting për të denoncuar prokuroren Merita Selimi dhe gjyqtaren Esmeralda Xhili për një problem prone që unë kam në qytetin e Lushnjës”, tha Shefedin Shefa për “Vetting”. Shefa pretendon se, pasi gjykata vendosi me vendim të formës së prerë që dokumentet e pronës së kundërshtarit të tij ishin të falsifikuara, prokurorja Selimi ekzekutoi fshirjen e tyre në vitin 2021, por një vit më vonë e mori atë vetë si të dyshuar për falsifikim, me kallëzim të të njëjtit person që kishte falsifikuar dokumentet, por komisioni e gjeti denoncimin të pabazuar.

“Në momentin që Gjykata e Apelit Vlorë zhbllokon, më jep të drejtë për pezullimin që kishte bërë Gjykata e Shkallës së Parë Lushnjë, menjëherë Merita Selimi më merr si të pandehur për falsifikim. Gjë të cilën nuk e kam as imagjinuar, që të kem vënë dorë në dokumentet e babait tim. Nga denoncues, unë në rastin konkret jam kthyer në i pandehur nga Merita Selimi”, u shpreh Sefedin Shefa. Ky i fundit shkon më thëllë duke thënë se “e fshehën ata që kanë bërë hetime kundër tij dhe në vend të tij është vëndosur një dokument fotokopje”.

“Ne e kemi të sigurt procesverbalin e sekuestrimit të materialeve nga ana e prokurorit të asaj kohe, Arben Dyla,” shtoi më tëj Shefa. Sipas avokatit Laska, kjo çështje kërkon një hetim nga ana e prokurorisë se çfarë ka ndodhur në rastin konkret. “Heqja e dokumentit nga fashikulli gjyqësor apo nga fashikulli penal përbën vepër penale. Nuk mund të humbasin dokumente apo prova që rezultojnë të jenë në një fashikull të caktuar, sepse kjo përbën përgjegjësi penale për atë që ka marrë përsipër heqjen e tyre”, deklaroi avokati Laska.

Burimi: Panorama

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.