"Disko Albania”!

Për një gjë duhet të biem dakord! Jemi në shtetin e Arbian Maznikut! Çfarë kuptojmë me këtë?
Le të huazojmë emrin e një diskoteke të njohur të viteve '90 në Tiranë, “Disko Albania” ku ndoshta Mazniku ka hyrë kur ishte gjimnazist, duke kërcyer me Coco Jumbo-n e famshme të kohës.
Në një ballafaqim televiziv të modelit alta-Grida, Mazniku tha se shtetin duhet ta kuptojmë si një disko, ku, para se të futesh, duhet t’i nënshtrohesh një kontrolli të imtësishëm nga rojet e dajakut.
Në dukje semplist zotëria, por me një paralelizëm në kokë që kërcet shumë në arsyetim dhe parametra. Publicitar dhe defiçitar! Pse?
Sipas tij, policët, që në ndonjë rast duhen hetuar për gabimet që bënë në protestë, në fund të fundit mbrojtën institucionet! Le ta marrim të mirëqenë këtë arsyetim, meqënëse kjo është detyra funksionale e Policisë së Shtetit.
Por këtu fillon keqkuptimi, mbi të cilin maznikët ngrenë narrativën e garancive që japin të mandatuarit dhe të emëruarit e pushtetit.
Nga kush i mbrojti policia institucionet? Ta pranojmë, i mbrojtën nga studentët, të rinjtë e dhunshëm dhe të padhunshëm; nga gurët apo molotovët që fluturuan mureve dhe xhamave të ministrive.
Por si erdhëm deri këtu dhe cili është historiku i gardianëve të institucioneve me dhe pa uniformë? Këtu duhet të kthehemi pas në kohë.
Kjo përplasje ndodhi pasi Mazniku me shokë dhe policët e republikës dështuan të mbrojnë institucionet nga korrupsioni, vjedhja, grabitja dhe plaçkitja. Ndodhi kur shokët Mazi&Co, të ardhur nga mënxyra “Mjaft”, u konvertuan në 99-shat e trëndafilit mavi që bastisën Bashkinë e Tiranës me bandën 5D dhe Supermanin e ri.
Kjo ndodhi pasi Mazniku me shokë dështuan të mbrojnë institucionet nga klientelizmi. Mjafton t’i përmendim zotërisë në fjalë kompaninë “Fusha” dhe ëndrrat plot shkëlqim të vetë Shkëlqimit, që çfarë deshi i ziu, një teatër betonjoz dhe disa kulla.
Nuk ishte plaçkë e vogël as pika e vogël e zyshë Mirelës në Gjirin e Manastirit, meqënëse po flasim për sulmin ndaj Ministrisë së Arsimit. Kur firma e zyshës dhe fadromat e Albstarit sulmuan Parkun Kombëtar të Butrintit, ku ishte Belinopolicia dhe mbrojtësit e institucioneve?
Kjo ndodhi pasi Mazniku me shokë dhe policët e republikës dështuan të mbrojnë institucionet nga krimi i organizuar dhe jo vetëm kaq: e bënë krimin e organizuar partner në qeverisje dhe ekonomi. Ndodhi kur shtetin digjital (AKSHI-n), një prej institucioneve kritike të sigurisë dhe shërbimeve, ia besuan një grupi të strukturuar kriminal që degustonte tenderët e shumëfishuar sipas algoritmit me herës “2-in agasian”, siç njihet në matematikën publiçitare të tërmet-pushtetit. E patë me sa elegancë e shoqëroi policia Ergys alias Bert Agasin në komisariat: pa shkopinj gome dhe gaz lotsjellës, edhe pse për dëmet që ka shkaktuar meritonte më shumë se kaq.
Ndodhi kur Shërbimin Informativ Shtetëror, institucionin më të rëndësishëm të sigurisë kombëtare, ia dorëzuan ekselencave të krimit dhe aventurierëve që të fikin radarët.
Kjo ndodhi pasi Mazniku me shokë dështuan të mbrojnë institucionet nga nepotizmi dhe patronazhimi, dështuan të mbrojnë vendin nga emigrimi masiv i të rinjve. Kjo ndodhi kur maznikët e pushtetit noterizuan brenda ditës planin e bandës së inceneratorëve.
Ku ishin mbrojtësit e institucioneve që, para se të hapnin qeset dhe çantat e studentëve në emër të antikorrupsionit, duhej të kishin skanuar valixhet dhe llogaritë e plaçkitësve në qeveri.
Dhe këta tani po na thonë se po mbrojnë institucionet nga gurët dhe llastiqet e studentëve? Groteske dhe kriminale si zotëria në fjalë, ashtu dhe qeveria që përfaqëson.
Zoti Mazniku dhe maznikët e tjerë që kanë pushtetin, me sa duket nuk e kanë kuptuar se qytetarët e republikës në fakt janë institucioni më i rëndësishëm që duhet mbrojtur dhe jo godinat ku komplotohet kundër tyre.
Në fakt po të ishte i sinqertë, Mazniku duhej të pranonte se policia po mbron pushtetin dhe jo shtetin. Dhe një polici e tillë doemos ka fytyrën e pushtetit, në mos të Maznikut, të Babmaznikut. Të një kryeministri që fotografon protestuesit dhe më pas i telefonon një e nga një duke u bërë biografinë. Të një kryeministri që gjymton edhe të miturit dhe më pas kërkon dialog!
Këta janë Coco Jumbo-t e deligjitimuar te republikës alla disko “Albania” që kanë marrë peng këtë vend.
Lidhini sa nuk është vonë!
Dy institucione mund të shpëtojnë sot Republikën, qytetarët dhe SPAK-u!

Add new comment