Testosteroni te burrat është përgjysmuar
Shoqëria njerëzore po përballet me një krizë të fertilitetit mashkullor. Nivelet mesatare të testosteronit te burrat janë përgjysmuar gjatë 50 viteve të fundit.
Sipas të dhënave të paraqitura në takimin vjetor të Shoqatës Evropiane të Riprodhimit Njerëzor dhe Embriologjisë në Londër, nivelet totale të testosteronit tek burrat kanë rënë me 54% midis viteve 1972 dhe 2019.
Rritja e shkallës së obezitetit mendohet si një nga shkaqet, por ekipi që ka mbledhur të dhënat sugjeron se edhe faktorët mjedisorë, siç janë kimikatet që prishin sistemin endokrin - të cilat mund të gjenden në sende të ndryshme shtëpiake - dhe ngrohja globale mund të kenë ndikuar.
"Mendoj se po përballemi me një krizë të madhe në shëndetin riprodhues mashkullor dhe aktualisht nuk i është kushtuar vëmendje e mjaftueshme. Ne pamë një rënie prej mbi 50% të testosteronit total gjatë kësaj periudhe kohore. Kjo pasqyron një rënie prej më shumë se 1% çdo vit, kështu që kjo nuk është rastësi, nuk është një gabim statistikor. Është një trend shumë i fortë”, tha prof. Hagai Levine, i Shkollës së Shëndetit Publik dhe Mjekësisë Komunitare Hadassah Braun të Universitetit Hebraik në Izrael.
Analiza kombinoi gjashtë studime të mëparshme që gjurmonin testosteronin, secila prej të cilave përfshinte të paktën tre pika kohore. Studiuesit mblodhën të dhëna nga 118 593 individë nga Izraeli, SHBA-ja, Brazili, Finlanda dhe Danimarka, nga viti 1972 deri në vitin 2019.
Secili prej studimeve, individualisht, gjeti një rënie të testosteronit dhe kur të dhënat u kombinuan, rënia e përgjithshme u vlerësua në 54%. Rënia duket se është përshpejtuar pas vitit 2000.
I njëjti ekip gjeti pak vite më parë se cilësia e spermës ka rënë ndjeshëm gjatë 40 viteve të fundit, një fakt ky që është konsideruar prej tyre si “problem ekzistencial”.
Marrëdhënia midis testosteronit mashkullor dhe shëndetit është dypalëshe dhe komplekse. Testosteroni rregullon prodhimin e spermës, dëshirën seksuale, ndihmon në ndërtimin e masës muskulore, dendësinë e kockave dhe luan rol në humor, nivelet e energjisë dhe metabolizmin. Faktorët shëndetësorë si mbipesha - ku dhjami i tepërt i trupit rrit shndërrimin e testosteronit në estrogjen - mund të çojnë në uljen e testosteronit. Ekziston gjithashtu një debat i rëndësishëm mjekësor në lidhje me përdorimin e suplementeve të testosteronit, të cilat - në kundërshtim me intuitën - mund të reduktojnë prodhimin e spermës.

Add new comment