Greqia, nyje energjetike. Rezervohet mbi 45% e kapacitetit të Korridorit Vertikal Greqi-Ukrainë

Postuar në 07 Korrik, 2026 19:06

Ankandet vjetore për rezervimin e kapaciteteve të gazit për vitet 2026–2027 kanë konfirmuar interesin e tregut për Korridorin Vertikal Greqi-Ukrainë, me më shumë se 45% të kapacitetit të ofruar për katër vitet e ardhshme të rezervuar.

Siç raporton Kathimerini, procesi është zhvilluar të hënën dhe ishte testi i parë i kuadrit të ri tregtar të korridorit pas uljes së tarifave të tranzitit dhe aplikimit të zbritjeve të reja përgjatë rrugës. Sipas operatorëve, këto masa kanë ulur ndjeshëm kostot e transportit drejt Ukrainës, duke e renditur Korridorin Vertikal si një nga rrugët më konkurruese për furnizimin me gaz natyror.

Operatori grek i sistemit të transmetimit të gazit, DESFA, e cilësoi rezultatin si një sinjal pozitiv për eksportet përmes sistemit kombëtar të gazit dhe për forcimin e rolit të Greqisë si një qendër rajonale e energjisë.

Interesi më i madh është regjistruar në pikën e ndërlidhjes së Sidirokastrës, në kufirin mes Greqisë dhe Bullgarisë, ku u rezervua 46% e kapacitetit të disponueshëm të eksportit për periudhën 2026-2027 dhe 2029-2030 dhe 26% për periudhën 2030-2031. Rezervime u kryen edhe për kapacitete që shtrihen deri në vitin e gazit 2040 - 2041.

Ndër kompanitë që siguruan kapacitete ishte Atlantic SEE LNG Trade, sipërmarrje e përbashkët e Aktor Group dhe DEPA Commercial, e cila rezervoi rreth 13 mijë MWh në ditë, ose rreth 4.7 TWh në vit. Kompania Metlen rezervoi 20 mijë MWh në ditë. Në total, në pikën e Sidirokastrës u ofruan 100 GWh kapacitet eksporti në ditë, ndërsa rezervimet rezultuan në përputhje me pritshmëritë e tregut.

Rezervimi i kapaciteteve është pjesë e strategjisë së kompanive greke për të zgjeruar tregtinë e gazit natyror të lëngshëm (LNG) në Evropën Juglindore dhe Lindore, duke synuar edhe sigurimin e marrëveshjeve afatshkurtra për furnizimin me LNG nga Shtetet e Bashkuara përpara fundit të kësaj dekade.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.