Gjyq në Britani për shkelje të ligjt nga shërbimi sekret në survejim dhe mbledhje të dhënash. Në Shqipëri, kryeministri e konsideron përgjimin nga BND, si miqësor

Amnesty International shkruan sot për shkeljen e ligjit nga qeveria britanike, e cila në emër të sigurisë kombëtare apo luftës kundër terrorizmit, i ka dhënë të drejta vetes që të mbikëqyrë shtetasit jashtë kuadrit ligjor. Në këtë kuadër, Amnesty është përfshirë si palë në një proces gjyqësor historik kundër qeverisë britanike, bashkë me një viktimë të kësaj të fundit, qytetarin libian Abdel Hakim Belhaj. Pretendimi është se mbledhja e të dhënave dhe mbikëqyrja e këtij qytetari janë bërë në kundërshtim me ligjin britanik, por edhe atë ndërkombëtar(https://www.amnesty.org/en/articles/news/2015/03/surveillanc...). Dhe në muajin shkurt qeveria britanike e pranoi këtë fakt që ngre dyshime serioze edhe mbi aftësinë e agjencive perëndimore për të zbuluar aktivitet subversive. Kjo pasi rruga e përgjimit të gjithkujt dhe gjithçkaje është rruga më e trashë e mundshme, përderisa është më e shkurtra. Dhe se ajo vjen ndesh me ato vlera ku sistemi konfirmon epërsinë dhe forcën e tij. Pak javë më parë, kongresi amerikan publikoi raportin mbi përdorimin e torturës ndaj të burgosurve si të dyshuar për terrorizëm. Torturë e përdorur nga CIA. Dhe ishte vetë kongresi që e cilësoi këtë një turp për SHBA-të. Janë dy vende me traditë shumë të madhe demokratike, me institucione që veprojnë në mbrojtje të lirive, por edhe me ndërgjegje të konsoliduar qytetare. Është e kotë dhe tragjike njëkohësisht që të mundohesh të bësh krahasime apo analogji me Shqipërinë, një vend ku qeveria nxit denoncimin online, videoregjistrimin në fshehtësi, duke na dëshmuar të gjithëve se organi i akuzës, drejtësia dhe raporti me institucionet është thjesht një shpenzim i madh, një gjobvënie ndaj qytetarëve. Si të mos mjaftonte kjo, Shqipëria i lejon vetes të ketë luksin e politikanëve të papërgjegjshëm, apo edhe të një kryeministri karagjoz, i cili pak muaj më parë, i pyetur për përgjimin që shërbimi gjerman ka bërë ndaj qytetarëve shqiptarë, do të përgjigjej se “ne jemi miq me Gjermaninë dhe nuk kemi çfarë të fshehim”.
s. zaimi
Add new comment