I Pandehuri i historisë
Edi Rama, të cilin siç edhe është shprehur vetë, fati dhe historia e desantuan si shërbëtor të Shqipërisë, paska bërë sot një “Shënim të Ditës” në faqen e vet në Facebook. Dhe në shënimin e vet, që është përkthim I një fjalimi të Robert Xhekson, titulluar “Prokurori Federal”, z. Rama bën një hyrje ku mes të cilave shkruan:
Si Prokuror i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, gjyqtar i Gjykatës Supreme dhe arkitekt i akuzës në gjyqin epokal të Nurembergut, ai vendosi themelet morale të rolit të prokurorit në një shtet modern të së drejtës.
Fjalët e tij të kumtuara në mes të shekullit të kaluar, mbeten udhërrëfyese për këdo që beson se drejtësia duhet të jetë e pavarur, por kurrë e papërgjegjshme; e fortë, por kurrë e verbër ndaj kufijve kushtetues.
Robert H. Xheksoni i mësoi botës demokratike se kur prokurori kërkon njeriun përpara krimit, drejtësia vdes dhe kur një pushtet hyn në territorin e një tjetri, Kushtetuta demokratike nuk merr më frymë, por mbytet.
Ndërsa mua personalisht, ai më ka mësuar diçka tejet frymëzuese për të ecur drejt, vetëm përpara, të cilën asnjë prej baltosësve të mi nuk e kupton dhe s’ka për ta kuptuar kurrë dot, siç fatmirësisht e kupton fare mirë shumica e shqiptarëve. Ky është mësimi madhor i shprehjes së tij lapidare, “Pushteti nuk ka qenë kurrë më i denjë sesa në çastin kur ka pranuar t’i nënshtrohet gjykimit të një drejtësie të pavarur”.
Pra teksa ofron pedagogjinë për punën e prokurorëve të SPAK, kryeministri I Shqipërisë e shpall megjithatë drejtësinë e re si të pavarur. Ai i tërheq vëmendjen SPAK për tejkalim kompetence, por nxiton të shtojë se Prokuroria është e pavarur. Kujt i apelon z. Rama me këtë që shkruan dhe përkthen?
Ndërgjegjes së prokruroëve të SPAK që japin masa të diskutueshme ndalimi, opinionit publik, apo socialistëve për t’i përpunuar me idenë se duhet të jemi gati të shkojmë në burg, apo ndëshkohemi me ndërgjegjen e qetë se po bëhet drejtësia drejtësi?
Logjika e do që z. Rama të mos prononcohet për çështjen e zëvendëses së tij, njësoj siç u prononcua për z. Veliaj, për shkak se tashmë Këshilli i Ministrave e ka çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Nga ana tjetër, është shumë interesant cilësimi i termit “Moral” nga ky njeri. Është e vërtetë që çdo profesion i përmbahet dhe duhet t’i përmbahet një etike apo ka deontologjinë e vet, por që këto referime të kumtojnë ndonjë kuptim të vërtetë, duhet që personi që i invokon të udhëhiqet nga parime të ngjashme, jo nga instrumentalizimi i tyre. A është z. Rama një i tillë?
Për ta kuptuar këtë nuk na hyn në punë shumë ndonjë analizë apo koment, por një shembull. Dhe shembulli është 21 janari 2011.
Në fillim të atij muaji, televizioni Top-Channel, publikoi një video të Metës dhe Dritan Priftit ku dëgjohej qartë një bisedë për akte korrupsioni. Më 14 janar, Ilir Meta njoftoi dorëheqjen nga detyra e zv.Kryeministrit duke çliruar formalisht qeverinë nga një barrë morale. Z. Meta deklaronte asokohe se do të shkonte në prokurori si qytetar i thjeshtë dhe jo si ministër.
Kjo nuk mjaftoi për shpirtin e trazuar të Edi Ramës dhe më 21 janar u organizuar protesta e njohur me katër vitktima.
Çfarë na thotë ky shembull? Na thotë që aktet politike nuk gjykohen vetëm nga morali i tyre, por nga zgjidhja që krijon edhe aspekti formal i tyre, që në vetvete përfaqëson një kontratë formale për besimin ndaj institucioneve. Të mos harrojmë se i njëjti njeri në vitin 2008, kur ndodhi shpërthimi i Gërdecit, nuk kërkoi lagimin e kryeministrit, por firmosi ndryshimin e Kushtetutës dhe amendimin e dispozitës për mocionin ndaj kryeministrit. Është naivitet të besosh se z. Rama përfaqëson ndonjë shpresë për drejtësi në këtë vend, pasi e gjithë historia e tij politike, në PS, opozitë dhe qeveri, e ka marrë të PANDEHUR atë dhe ia ka përpiluar akuzën me kohë. Imunitet i tij është vetëm pushteti.

Add new comment