Qeveria zyrtarizon “Ëndrrën shqiptare”. Vetëm në 2014-ën u larguan 46 mijë shqiptarë. Ikja pa viza mbetet një ëndërr e vërtetë në Shqipëri

Dëshironi të realizoni ëndrrat tuaja? Tani është e mundur edhe në Shqipëri. Është kryeministri Edi Rama, që nga tribuna e preferuar e “Facebook” ka njoftuar të gjithë për nismën “Edhe unë kam një ëndërr”. Nismë kjo që merr shtysë nga kritikat për kufizimet e nismës tjetër: “Ëndrra ime 2015”, e cila u jepte të drejtë vetëm aplikantëve deri në moshën 30 vjecc. “Nisur nga kritikat e më të “vjetërve” për programin “Ëndrra ime 2015″, që kufizohej për moshën deri në 30 vjeç, shpallim sot programin “Ëndrra ime 2015″ për moshën mbi 30 vjeç! Ky program është i hapur për projektet e atyre që duan mbështetje për t’u vetëpunësuar përmes një projekti për të çelur një aktivitet në dobi të komunitetit apo edhe një biznes të vogël familjar”, thotë kryemimistri në “Facebook”. Nisma hidhet në qarkullim mes të dhënave dhe një realiteti kontradiktor: raporti i BB-së për klimën e biznesit në Shqipëri për vitin 2014, e nxitrrte vendin tonë në një dritë pozitive, 6,3 pikë më mirë se viti 2013. Mirëpo ndërkohë qeveria po ndjek praktikat e faljes së gjobave të akumuluara, kundrejt pagesës së detyrimeve që flet për një klimë jo të mirë të biznesit. Para disa ditësh kreu i misionit të FMN-së për Shqipërinë deklaronte se konsumi i ulët rrezikon shumë perspektivën. Në këtë pikëpamjë, bashkë me nismën për të marrë një borxh të ri prej 550 milionë eurosh brenda këtij viti, iniciativa në fjalë është thjesht një përpjekje për të zbutur të paktën aspektin social të papunësisë, që mbetet problem emergjent. Këtë e vërteton edhe e dhëna tjetër zyrtare, sipas së cilës në vitin 2014 janë 46 mijë shtetas që janë larguar nga Shqipëria, duke na kujtuar se ëndrra shqiptare mbetet “Lëvizja e lirë në Europë”. Ose më troç: ikja nga ky vend.
Add new comment