Dixhitalizimi, drejtori i TVSH-së, Martin Leka raporton se TVSH propozoi edhe vetëfinancimin. Por zvarritja nga ministria e M. Haritos vazhdon

Drejtori i Radio Televizionit Publik Shqiptar, Martin Leka, ka qenë sot në një seancë dëgjimore në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik. Leka ka raportuar për punën e vitit 2014, viti të cilin ai e ka vlerësuar si vit rekord sa i përket të ardhurave. “Viti 2014 është viti i rekordit të të ardhurave në buxhetin e RTSH-së, që janë realizuar në masën 111 % me planifikimin, pra me një rritje prej 11%, ose në vlerë absolute me një tejkalim prej 231,473 mijë lekësh. Në total u arkëtuan 2,306,473 mijë lekë të ardhura, nga të cilat 1,949,473 mijë lekë, ose 85% e tyre janë të ardhura të vet institucionit, ndërsa 357,000 mijë lekë, ose 15 % e tyre janë të ardhurat të financuara nga buxheti i shtetit për zërat e përcaktuar në ligj”, tha Leka. Kur vjen puna për cilësinë e programeve, pasqyrimin apo edhe larminë e tyre, ai tha: “Janë bërë shpenzime efikase në shtimin e prodhimit, blerjen e të drejtave ndërkombëtare të aktiviteteve të ndryshme sportive, filmave, programeve të ndryshëm, si dhe në ndjekjen dhe pjesëmarrjen konkrete të drejtuesve dhe punonjësve të RTSH-së në aktivitetet ndërkombëtare të EBU-se dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare”. Edhe sikur të pranojmë se RTSH-ja është në fazë lulëzim dhe të gjithë që nuk e shohin po humbasin shumëçka, një problem serioz sërish ekziston. Dhe vetë gazetari Martin Leka nuk ka munguar që ta raportojë. Problemi lidhet me projektin e dixhitalizimit, i cili nuk po ecën si duhet. “Pas tenderimit të kryer nga Ministria e Inovacionit (vitit 2013), më së fundi, në tetor 2014 është shpallur kompania fituese dhe aktualisht po bisedohet për nënshkrimin e kontratës për zbatimin e këtij projekti, por hapat janë shumë të ngadaltë dhe tashmë afati i 17 qershorit është i pamundur në praktikë. RTSH nga ana e saj është përpjekur të gjejë rrugë dhe mundësi për realizimin e këtij detyrimi, duke ofruar vetë-financimin e zbatimit të projektit si asnjë transmetues tjetër publik në Europë. Duhet të gjendet një mënyrë se si publiku do të ketë mundësi të marrë sinjalin televiziv dixhital, pra dekoderat universal, pasi pjesa më e madhe e publikut nuk është në gjendje të tillë ekonomike që të ketë në përdorim në shtëpitë e tyre marrësa TV të fjalës së fundit të teknologjisë me marrësit dixhital të përfshirë, që bëjnë të mundur sot ndjekjen e programeve të RTSH-së pa pagesë për të gjithë”, tha ai(http://www.parlament.al/web/Komisioni_per_Edukimin_dhe_Mjete...). Nëse e kuptojmë drejt, mund të vijë dita e kurajës finale të qeverisë që t’u kërkojë lekë qytetarëve për të parë TVSH-në, tanimë “dixhitalisht”.
Add new comment