“Fluturimi – Kosova” në Teatrin Nous të Athinës

Postuar në 13 Maj, 2025 19:29
Për ResPublica: Eleana Zhako

 

Në datën 3 maj, në Teatrin “Nous” të Athinës, u dha premiera e veprës së autorit Jeton Neziraj “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” në regji të Enke Fezollarit. Fezollari nuk është hera e parë që sjell vepra të autorëve shqiptarë në skenën e teatrit grek dhe është ndër të paktët regjizorë shqiptarë në Greqi, që në mënyrë sistematike i ka prezantuar publikut grek një larmi të madhe temash shqiptare, duke filluar që nga “Virgjëresha e betuar” e Elvira Dones (Festivali Kulturor i Athinës, 2017), “Vendi ku nuk vdiset kurrë” i Ornela Vorpsit (Teatri “Stathmos”, 2021), vepra më e fundit, por edhe anasjelltas. Ai gjithashtu  i ka sjellë publikut teatërdashës shqiptar një mori autorësh të huaj e grekë, si Shekspirin, Woolf, Gorkin, Frayn, Euripidin, Ricos, etj.

Nga ana tjetër, edhe dramaturgu Jeton Neziraj nuk është emër i panjohur në Greqi e Qipro, jo vetëm përmes librit të tij “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës”, që qarkullon në gjuhën greke nga botimet “Plethora” me titullin “Fluturimi 1702 08, Kosova”, por edhe sepse vepra të të njëjtit autor janë vënë në skenën greke e qipriote nga regjisori Marios Theoharus në Qipro dhe nga regjisorja Aktina Stathaki në Athinë.

Veçantia e shfaqjes “Fluturimi - Kosova”, përshtatur me këtë titull për nevojat skenike, qëndron në faktin se është hera e parë që një regjizor shqiptar me banim në Athinë, i sjell publikut grek veprën e një autori shqiptar të Kosovës. Për më tepër, pavarësisht se regjizori mund të zgjidhte aktorë nga brezi i parë dhe i dytë i shqiptarëve në Greqi, ai zgjodhi të përfshijë vetëm aktorë grekë të moshave të ndryshme, çka e bën më interesant ndërkomunikimin dhe ndërveprimin mes elementit grek e atij shqiptar. 

Vepra në fjalë është përkthyer në shumë gjuhë: anglisht, frëngjisht, turqisht, sllovenisht, gjermanisht, serbisht, greqisht, italisht, polonisht, sllavo-maqedonisht dhe është vënë në shumë skena ndërkombëtare. Për herë të parë u vu në Kosovë në vitin 2012 dhe i njëjti produksion udhëtoi më pas në Zvicër, Itali, Kroaci, Slloveni, Serbi, Maqedoninë e Veriut e Shqipëri. Krahas kësaj, është vënë në skenë nga regjizorë të ndryshëm në Turqi, Qipro, Maqedoninë e Veriut dhe së fundi në Greqi.

Fluturimi” është një komedi politike, e frymëzuar nga realiteti i Kosovës së pasluftës dhe i pas-pavarësisë, nga fizionomia e brishtë e shtetit më të ri të Europës. Zhvillimi i rrjedhës së veprës është vendosur në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ku aktorët po përgatiten për vënien në skenë të Godosë, kur një urdhër nga lart u kërkon që të ndalojnë provat dhe të përgatiten për provat e një shfaqjeje tjetër. Skema “teatër brenda teatrit” aplikohet dy herë brenda kësaj vepre, sepse që në hyrje autori kombinon “teatrin real” me teatrin e lojës, përmes përshkrimit të infrastrukturës mjerane së Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe trajtimit  çnjerëzor të punës së aktorëve, që kanë muaj të tërë pa u paguar. Ata janë në pritje të shtetit - Godo që do t’i nxjerrë nga kjo gjendje, por edhe të Godosë së rolit të tyre në Teatër.  Në vazhdim, autori i përfshin sërish aktorët në skemën “teatër brenda teatrit”, tashmë për të lozur në një shfaqje tjetër, që nuk diktohet nga “ligjet e teatrit”, por të shtetit embrional të Kosovës.

Fezollari përmes regjisë së tij dhe lojës së aktorëve, arrin të ngërthejë më së miri konfliktin e përjetshëm, që përcjell Neziraj në vepër, atë mes Artit e Pushtetit. Skemës së teatrit, i shtohet nga Fezollari edhe një element i trefishtë, ai i “regjizorit brenda regjizorit”. Pra, rolin e regjizorit në vepër, Fezollari zgjedh ta luajë vetë në teatër. Roli i Rozit, të vetmes grua në vepër, luhet nga Ada Janukaki, roli i Sekretarit nga Kiriakos Kosmidhis, ai i Dilos nga Hrisovalandis Kostopulos dhe Xhejms Tafili nga Apostolos Malebixis.  Rozi dhe Dilo janë dy aktorët kryesorë në vepër, ata që do të luanin fillimisht Vladimirin dhe Estragonin, por që me urdhër të Zyrës së Kryeministrit, do të luajnë tani në shfaqjen, që regjizori është i detyruar të krijojë nga e para, kushtuar pavarësisë së Kosovës, që ende nuk dihet se kur do të shpallet. Kushti është, që shfaqja të luhet Ditën e Pavarësisë, e cila mund të shpallet nga ora në orë, nga dita në ditë, nga java në javë, dhe mbi të gjitha duhet të përfshijë edhe fjalimin e Kryeministrit të ri të Kosovës, që është e ndaluar t’i jepet paraprakisht regjisorit dhe shpurës së tij.

Regjizori vendosë ta realizojë këtë kërkesë surreale të qeverisë, duke iu nënshtruar gjithfarë urdhrave qesharake, për hir të qëllimit të shenjtë të pavarësisë. Të katër personazhet luhaten mes groteskes e patetizmit, romantizmit e spontanitetit, idealit dhe lakmisë së famës. Të gjithë duan t’i shërbejnë ditës së pavarësisë, Rozi t’i shesë hiret e saj Sekretarit, Xhejmsi, tekniku i skenës, të fluturojë me aeroplanin e improvizuar nga ai vetë për të sensibilizuar shtetet e tjera të njohin Kosovën, Dilo të heqë dorë nga alkooli dhe regjisori të realizojë shfaqjen e lavdishme me çdofarë mjeti.

Fezollari dhe aktorët e tij përpiqen të ekuilibrojnë përgjatë gjithë shfaqjes mbi fillin e hollë mes komedisë e dramës. “E ka vënë në skenë si komedi a dramë?”, më pyeti autori Jeton Neziraj, që mundi të udhëtojë drejt Athinës në datën 5 maj, falë mbështetjes së Zyrës të Interesave të Kosovës në Athinë dhe Udhëheqësit të kësaj zyre, z. Fitim Gllareva, i cili nuk u kursye të ndihmojë regjizorin Fezollari për nevojat e ndryshme të shfaqjes.

Nuk desha t’ia përmbushja kërshërinë autorit, aq më tepër që në gjithë shfaqjet paraardhëse në Kosovë e në vendet e tjera, është trajtuar në versionin e komedisë. Fezollari, përgjithësisht i ka qëndruar besnik tekstit të autorit, me disa shtesa të vogla e përshtatje personale, që nuk ia tjetërsojnë mesazhet dhe frymën tekstit origjinal. Përveçse regjizor, Fezollari është dhe njohës shumë i mirë i muzikës së Ballkanit, dhe të gjitha pjesët e zgjedhura muzikore, që shoqërohen edhe me koreografi, ngjajnë me mini-musicals, ku dominojnë rrymat bashkëkohore nga skena muzikore e Kosovës, që nga muzika e ashtuquajtur tallava e deri në hip-hop e gjini të tjera. Në Athinë, shumë hite të këngëtarëve kosovarë janë bërë trendy dhe luhen në shumicën e klubeve të njohura të natës. “Të rinjtë grekë argëtohen me këto hite, pa e pasur shumë herë idenë e gjuhës dhe të vendit të tyre të origjinës”, thotë ai nga përvoja e tij në klubet e natës. Dhanis Kumarxis, kompozoi një muzikë shumë origjinale për trailer-in e shfaqjes me motive ballkanike.

Në një shfaqje mbi 1,5 orë, Fezollari përfshin gjithë historinë e luftës dhe rrugën e mundimshme drejt pavarësisë së Kosovës. Ajo çka befason, është videoja përmbyllëse e krijuar nga Ada Liaku, ku jepen momente të ndryshme prekëse nga varret masive të civilëve kosovarë, rreshta të tëra fotografish fëmijësh të vrarë dhe festimet nga shpallja e Pavarësisë. Sipas Fezollarit, diplomacia kulturore i shërben ndërkombëtarëzimit të së vërtetës, pasqyrimit të dyanshëm të historisë, vetëdijësimit dhe përafrimit të popujve. Ndoshta shumica e publikut që vjen të shohë shfaqjen, nuk është në dijeni se Greqia është një nga vendet e Bashkimit Europian që bashkë me 4 shtete të tjera, nuk e njohin ende pavarësinë e Kosovës.

Ndoshta disa prej tyre, e mbajnë mend emrin e Kosovës, që atëherë kur ajo ishte ende pjesë e Jugosllavisë apo e kanë dëgjuar për herë të pare gjatë bombardimeve të NATO-s. Por, me siguri, që pas kësaj shfaqjeje do të grishen të kërkojnë e të mësojnë më tepër rreth këtij vendi, që ndodhet kaq pranë Veriut të Greqisë dhe që i lidhin kaq gjëra të përbashkëta  

Pjesë nga shënimi i regjizorit, Enke Fezollarit: 

Me këtë “fluturim” udhëtojmë ne Ballkan me një komedi të mprehtë dhe çmendurake, që parodizon nacionalizmat, armiqësitë, por edhe shtetrrethimin e lirisë së Artit. Një teatër brenda teatrit, një pasqyrë e Historisë, ku e qeshura bëhet armë kundër vuajtjeve të së shkuarës, me shpresën se do mund të ndryshojmë të tashmen dhe të ardhmen, përmes një lupe, që vetëm qesharake nuk është

Të dhënat e shfaqjes

Autori: Jeton Neziraj

Përktheu: Eleana Zhako

Regjia: Enke Fezollari

Këshilltare dramaturgjie: Natali Minioti

Muzika: Dhanis Kumarxis

Kostumet/Skenografia: Jorgos Linxeris

Video: Ada Liaku

Dritat: Semina Papaleksandropulu

Ndihmëse regjisore: Filipia Petru

Fotografia: Jota Efremidhu

Make -up për fotografinë: Elena Dedi, Elisavet Petru

Trailer: Ksenia Cilohristu

Komunikimi  - Marrëdhëniet me Publikun: Dezi Lebesi, Georgia Zuba

Posteri: Aleksandros Lambrinos

Organizimi i produksionit: Uma MAKE

Aktorët (me rend alfabetik:

Ada Janukaki, Kiriakos Kosmidhis, Hrisovalandis Kostopulos, Apostolos Malebixis, Filipia Petru

Në rolin e regjisorit: Enke Fezollari

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.