Kategoria e rrallë e Shtetarit
Në një opinion në gazetën “Kathimerini”, kryeredaktori i saj, Alexis Papachelas, shkruan për ndarjen nga jeta të ish-ministrit të Jashtëm të Greqisë, Petros Molyviatis. Papachelas nënvizon cilësitë e Molyviatis në ushtrimin e detyrave shtetërore, detyra që të bashkuara me cilësitë personale, e shndërruan atë në një shtetar.
Si ish-shef i kabinetit të ish-kryeministrit dhe më vonë presidentit Konstantinos Karamanlis, ai nuk e ngriti kurrë zërin dhe e kufizoi veten në shprehjen “nuk do ta bëja ashtu po të isha në vendin tënd”. Pas vdekjes së Karamanlis ai ishte një rojë këmbëngulëse dhe metodike e trashëgimisë së tij dhe ideologjisë politike të tij që e quajmë “karamanlizëm”
shkruan Papachelas.
Sipas tij Molvyatis vepronte “me qetësi dhe efikasitet” dhe kishte një ndjenjë të lartë të detyrës. cilësimi “shtetar – statesman” është i dallueshëm edhe në një enciklopedi online dhe të hapur si Wikipedia. Jo të gjithë personat publikë dhe me rëndësi historike e meritojnë këtë status, pasi ka një dallim mes politikanit, liderëve të ndryshëm dhe shtetarit.
Shtetari nuk kuptohet dot pa marrëdhënien me administrimin publik, pa lidhjen e fortë me ligjin, ose më saktë ligjshmërinë e akteve që transhendojnë deri diku klimën politike të momentit. Ndjenja e detyrës mandej dhe bindja se një punë duhet bërë mirë lidhen ngushtë me një besim dhe duhet thënë se në një botë si e sotmja, që sa vjen dhe kozmopolitizohet, ndryshon, relativizon të gjitha normat dhe po krijon premisat e një erodimi përfundimtar të ngrehinave shtetërore që nuk i përgjigjen më sfidave të kohës, besimi te një nocion si shteti është një kontribut i rëndësishëm, qoftë dhe nëse do të konsiderojmë ridimensionimin e hartës së arsimimit të të rinjve.
Rasti i Molvytiatis ka analogji me Shqipërinë, pasi vërejtja e Papachelas e lidh cilësimin e tij si shtetar, pikërisht me mungesën e shtetarëve në Greqi që pas restaurimit të demokracisë. Pra që nga viti 1974. Në Shqipëri sfida e parë për një shtetar ishte viti 1986, kur vdekja e Enver Hoxhës sugjeronte se opsioni i reformimit të shtetit, integrimi gradual i nocioneve të të drejtave dhe minimizimi i rolit të aparatit represiv ishin masa fillestare për një shndërrim më rrënjësor. Jo si zgjidhje ideologjike, por si tranzicion i detyrueshëm.
Kjo na mungoi dhe në finale njeriu që Historia gjeti në krye ishte Ramiz Alia, që ishte një politikan i aftë, një i mbijetuar i xhunglës komuniste, por që nuk arriti dot të gjente busullën. Edhe modeli sovjetik i Gorbaçovit, me idenë e reformimit të sistemit nga brenda, për ta bërë atë më human, apo funksional, dështoi në mënyrë kastrofike edhe pse pa gjakderdhje.
E njëjta gjë mund të thuhet për Jugosllavinë e pas Titos, ndërkohë që në vështrim ndryshe vijnë këtu dy figura gati enigmatike në Ballkan: Kiro Gligorov, konservatori nacionalist dhe manovrator i Maqedonisë dhe Ibrahim Rugova. Dy figura që ishin më të privuarit në të pasurit të mjeteve të veprimit, sidomos Rugova që zgjodhi Fjalën. Gligorovi e mori Maqedoninë dhe shpëtoi në një rrethanë shumë të vështirë gjeopolitike, Rugova, jo vetëm mobilizoi shqiptarët me idenë e çlirimit, por ai hodhi farën e debatit për ide shtetformimi si Republika e Kosovës, pavarësimi dhe përpunimi i opinionit me institucionin e dialogut.
Shqipëria e këtyre viteve përfaqëson në dritën e këtyre shembujve variante të politikës tribale, klanore dhe mafioze dhe asnjë figurë nuk e meriton statusin e shtetarit në kuptimin se nuk identifikohet një akt i vetëm që të flasë në favor të interesit publik dhe qëndrueshmërisë së shtetit. Në të vërtetë për ta hulumtuar më mirë këtë gjë ndoshta na duhet të kërkojmë për njerëz jashtë sferës politike, përtej, ndoshta në komunitetet fetare ku aspekti krijues dhe ndërtues ndërthuret me një durim të madh që nuk reflekton vetëm një nevojë për mbijetesë, por edhe një kuptim të drejtë të historisë dhe së ardhmes.
s.zaimi
Add new comment