FSHF po funksionon si treg i zi. Biletat për ndeshjen me Armeninë u jepen nën dorë sekserëve

Të gjesh një biletë për ndeshjen me Armeninë është pothuaj mision i pamundur, përveçse t’i drejtohesh tregut të zi ku mund t’i gjesh me bollëk. Në sportelet e Federatës Shqiptare të Futbollit si në Tiranë ashtu dhe në Elbasan shitja e biletave është bërë në mënyrë ilegale dhe të gjitha biletat e nxjerra në treg në këtë formë janë marrë nga sekserët që i shesin ato 4 ose 5-fish me shtrenjtë. Pranë këtyre pikave që janë përcaktuar nga Federata si sportele për shitjen e biletave për ndeshjen zyrtare Shqipëri-Armeni qëndrojnë njerëz të paautorizuar me tufa biletash në duar që pasi i kanë marrë nga punonjësit e Federatës i shesin disa herë me shtrenjtë. Vetë ata pohojnë se këto bileta i kanë blerë nga punonjësit e Federatës me një çmim më të lartë se ai zyrtar. Kështu një biletë me vlerë 10 mijë lekë të vjetra për një vend në tribunën G prapa porte sekserët e kanë blerë më një çmim 15 mijë lekë të vjetra dhe e shesin për 40 mijë lekë. Ndërsa biletat e tjera për tribunën përballë asaj VIP në tregun e zi kushtojnë nga 120 mijë lekë të vjetra deri në 200 mijë. Ky është realiteti i “krenarisë” Kuq e Zi që shpaloset me himne dhe daulle në faqen e Federatës, që e trajton ekipin kombëtar si “llotarinë” e vet, duke vërtetuar edhe njëherë se të grabisësh njerëzit nuk mund ta bësh vetëm me armë dhe maska por edhe me këngë dhe ngjyra.
l.mitro
Add new comment