21 qershori, “Panorama” zbardh negociatat e Bashës me 20 parti për zgjedhjet lokale

Basha, ka mbledhur dje në selinë e PD përfaqësuesit e 20 partive politike, ku u diskutua marrëveshja për daljen në një koalicion për zgjedhjet e 21 qershorit. “Panorama” shkruan se në përfundim të tryezës palët kanë rënë dakord që negociatat të zhvillohen deri në datën 6 prill. Për të arritur një marrëveshje, është ngritur një grup i posaçëm pune, në përbërje të të cilit do të jenë nënkryetari i PDsë Edmond Spaho, Eduard Halimi dhe Ivi Kaso. Mësohet se duke nisur nga e premtja grupi i punës do të zhvillojë bisedime më vete me çdonjërën nga partitë për zonat ku ata pretendojnë se kanë kandidatura fituese, por edhe mbi pikat e tjera të bashkëpunimit. Në çdo rast, emri që do të propozohet prej aleatëve, do t’u nënshtrohet sondazheve në zonën përkatëse, për të përcaktuar nëse ka më shumë mundësi fitoreje sesa kandidati që propozon Partia Demokratike. Mësohet se partive u është kërkuar që për çdo zonë ku pretendojnë se dalin fitues të paraqesin dhe rezultatet e zgjedhjeve në vitet e shkuara si dhe një analizë për mundësitë që ka kandidati. Pas përfundimit të bisedimeve me grupin e punës, do të vijohet edhe me marrëveshjen përfundimtare me secilën forcë.
Add new comment