Janë të gjithë njëlloj

Për katër vjet me radhë, aktori dhe komediani Volodymyr Zelenskiy e argëtoi audiencën televizive në Ukrainë me rolin e tij kryesor në komedinë “Shërbëtori i popullit”. Zelenskiy luante rolin e një mësuesi, i cili, i zemëruar nga korrupsioni kronik në vendin e tij, kandidon dhe zgjidhet president. Në vitin 2019, Zelenskiy e bëri realitet këtë skenar, duke fituar zgjedhjet presidenciale të Ukrainës.
Në fushatë, Zelenskiy u zotua të pastrojë sistemin qeverisës të dominuar nga oligarkët në Ukrainë. Ai sulmoi hapur politikanë si pasaniku Petro Poroshenko, i cili i kishte fshehur pasuritë në llogari offshore. Mesazhi funksionoi. Zelenskiy fitoi 73% të votave dhe tani mban karrigen e presidentit.
Por investigimi Pandora Papers, i kryer nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Hulumtues (ICIJ), sugjeron se Zelenskiy nuk ndryshon nga paraardhësit e tij.
Dokumentet zbulojnë se ai kishte - ose ka - një përqindje aksionesh në një kompani offshore, të cilën ai duket se e kishte transferuar fshehurazi te një mik disa javë para se të fitonte zgjedhjet.
Sipas dokumenteve, Zelenskiy ishte bërë pjesë e një rrjeti të gjerë kompanish offshore, në bashkëpronësi me miqtë e tij të vjetër dhe partnerët e biznesit televiziv. Ato përfshijnë Serhiy Shefir, i cili prodhonte shfaqjet e Zelensky-t dhe vëllain e madh të Shefir, Borys, i cili shkruante skenaret. Një anëtar tjetër i konsorciumit është Ivan Bakanov, mik i fëmijërisë. Bakanov ishte drejtor i përgjithshëm i studios së prodhimit të Zelenskiy, Kvartal 95.
Të gjithë lidhen me qytetin e Zelenskiyt në Ukrainën jugore, Kryvyi Rih. Pasi mori pushtetin, Zelenskiy u gjeti vend atyre në qeveri. Bakanov u bë kreu i agjencisë së sigurisë SBU të Ukrainës. Serhiy Shefir u bë asistenti i tij, një detyrë e papaguar që përfshin organizimin e orareve të presidentit. Anëtari i katërt i këtij grupi të lidhur, Andriy Yakovlev, është regjisor filmi dhe producent i Kvartal 95.
Zelenskiy ka thënë se këto takime kishin të bënin me besimin personal dhe jo me përfitimin financiar. "Unë kam disa njerëz që punojnë me mua që kanë qenë miqtë e mi prej një kohe të gjatë ... Ata nuk kanë asnjë lidhje me biznesin, ose me buxhetin", tha thënë Zelensky për “Guardian”, në 2020.
Transferta e fshehtë
Para se të bëhej president, Zelenskiy deklaroi disa nga pasuritë e tij. Ato përfshinin makina, prona dhe tre nga kompanitë në pronësi të përbashkët offshore. Njëra prej tyre, Film Heritage, në të cilën ka bashkëpronësi gruaja e tij, Olena, ish-skenariste e Kvartal 95, është regjistruar në Belize.
Por dokumentet e Pandora tregojnë pasuri të tjera offshore që Zelenskiy duket se nuk i ka zbuluar. Film Heritage kishte 25% të aksioneve në Davegra, kompani në Qipro. Davegra nga ana e saj zotëron Maltex Multicapital Corp, një entitet i panjohur më parë i regjistruar në parajsën tatimore të Ishujve të Virgjër Britanikë (BVI). Zelenskiy, vëllezërit Shefir dhe Yakovlev mbanin secili 25% të aksioneve në Maltex.
Më 13 mars 2019, dy javë para raundit të parë të votimit në zgjedhjet e Ukrainës, Zelenskiy ia dha Serhiy Shefir çerekun e aksioneve të tij në Maltex, tregojnë dokumentet. Është e paqartë nëse Shefir e pagoi Zelenskiyn. Bakanov ishte dëshmitar i këtij transferimi të fshehtë dhe firmosi dokumentet offshore.
Add new comment