Ndryshime në draftin për hapjen e dosjeve: kufizime në qëllimet dhe shfrytëzimin e informacioneve...udhëhequr edhe nga parimi “i pajtimit dhe unitetit kombëtar”

Gazeta “Shqip” raporton sot se në projektligjin për hapjen e dosjeve, siç njihet për efekt përgjithësimi, kanë ndryshuar të gjitha nenet. “Pasi u rrëzua nga mazhoranca gjatë shqyrtimit në komisionet parlamentare, projektligji i qeverisë ka pësuar ndryshime të shumta nga varianti fillestar dhe parashikon që informacionet që do të vihen në dispozicion nga Autoriteti i Informimit Publik, do të jenë kundrejt pagesës dhe me kushtin që të ruhen dhe të mbrohen të dhënat personale të çdo individi të përfshirë në ngjarjet për të cilat një sërë personash mund të interesohen”, shkruan gazeta. Tarifat do të përcaktohen nga vendimet e Këshillit të Ministrave që po synon “të bëjë para” nga një proces që shpallet se do ta çlirojë shoqërinë nga peshat e rënda në ndërgjegjen e vet. Pagesa është standard për shërbimin e vënë në dispozicion, por ironia në këtë rast qëndron në faktin se qeveria po bën çmos të kufizojë marrjen e të dhënave nga qytetarët, duke vijuar të shpallet si gardiane e të shkuarës. “Shqip” sjell në vëmendje edhe dy elementë të tjerë të rinj, krahasuar ne draftin fillestar: së pari, “në draftin përfundimtar, në seksionin 3 të tij, ku parashikohet informimi për qëllime kërkimore, historike dhe i medias, në nenin 36 parashikohet që informacioni i vetëm sa i përket identitetit të personave që figurojnë në dosjet e ish-Sigurimit do të jetë vetëm për figurat politike të asaj kohe, ose për ata persona që kanë vdekur të paktën 30 vjet më parë, dhe jo për kategoritë e tjera, të cilët mund të ndodhen në poste publike sot. Pas në pikën 1 të këtij neni, mazhoranca ka vendosur që përdorimi i këtyre dokumenteve do të bëhet vetëm për qëllime historike, dhe jo politike, siç parashikonte drafti fillestar”. Së dyti, është pretendimi i qeverisë për parimet nga udhëhiqet projektligji: “Mbledhja, administrimi, përpunimi, përdorimi dhe informimi mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit udhëhiqet nga parimet e: “ligjshmërisë; mbrojtjes së interesit publik dhe sigurisë kombëtare; pajtimit dhe unitetit kombëtar; informimit të publikut me informacionin zyrtar; mbrojtjes së të drejtës për jetë private dhe të dhënave personale; mbrojtjes së të dhënave që përbëjnë informacion të klasifikuar; transparencës; bashkëpunimit midis institucioneve shtetërore; eficencës dhe efektiviteti”. Të vihet re pika e pajtimit dhe unitetit kombëtar, ndërkohë që ka 25 vjet që mosnjohja e të vërtetës së kohës që kemi lënë pas, pranohet nga të gjithë si një nga shkaqet e tensioneve sociale. Është shumë cinike që të pranojmë edhe sot se unitetin kombëtar e kemi ende të kushtëzuar nga arkivat e Sigurimit të Shtetit.
s.z
Add new comment