Për Mziun, masën e arrestit dhe sjelljen e Bashës

Gjykata e Apelit ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj kryetarit të bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziut. Nga arrest me burg masa ka kaluar në detyrim për paraqitje. Ne e kemi bërë zakon që, të cytur e të ngarkuar prej emocionesh të ditës, të komentojmë e kundërshtojmë, madje dhe të denoncojmë vendime gjykatash që kanë të bëjnë me persona të përfshirë në jetën publike e politike, por anëtarët e një gjykate i bëjnë vlerësimet e tyre mbi kritere të tjera. Fjala vjen, në rastin konkret, anëtarët e gjykatës së Apelit kanë vlerësuar se rrethanat janë të tilla që nuk e justifikojnë mbajtjen në arrest të Mziut, apo që e justifikojnë kalimin nga arresti tek detyrimi për paraqitje.
Kush ka objektisione mund të thotë: “Puna është se në të njëjtat rrethana, gjykata e Faktit ka marrë një vendim të ndryshëm nga ky i Gjykatës së Apelit, e prandaj ekzistojnë të gjitha arsyet pse duhet dyshuar tek njëra prej gjykatave”. Ok, kush ka dyshime në këtë histori nuk bën asnjë mëkat. Por me një kusht amá. Duhet të biem dakord me rregullat e “lojës”, dhe një nga këto rregulla të “lojës” na thotë se Gjykata e Apelit është një shkallë më lart se Gjykata e Faktit, e prandaj vendimi i të parës e bën nul vendimin që ish marrë nga e dyta. Nuk ka ndodhur ndonjë e pabërë pra. Xhelal Mziu, të cilin Gjykata e Faktit e kish lënë në burg, tani kthehet në shtëpi, sepse kështu ka vendosur Gjykata e Apelit.
Historia nuk mbaron këtu, megjithatë. Mziu mbetet në ndjekje penale. Gjykata e Apelit nuk është se ka pushuar çështjen në ngarkim të tij. Jo, ajo thjesht ka vendosur që ai do të ndiqet penalisht në gjendje të lirë. E në këtë kuptim, festa që ai organizoi në pallatin e Kulturës në Kamëz nuk ndryshon asgjë në këtë histori. Ajo është festë e organizuar nga dikush që është i akuzuar e ndiqet penalisht për shpërdorim detyre e për korrupsion. Shkurt, një festë e çuditshme. Por më e çuditshme është pjesëmarrja e Lulzim Bashës atje. Është fjala për një gjest tërësisht të papërgjegjshëm. Pse e ka bërë? Ndoshta e kanë urdhëruar të jetë atje. Ose ndoshta është mësuar, me sa duket, të festojë lojën e procedurave, e jo pafajësinë. Kështu e kemi parë të dalë një ditë prej ditësh nga dyert e Gjykatës së Lartë. Fluturonte nga hareja jo ngaqë i ra akuza, por ngaqë mundi t’i përvidhet gjykimit.
Dita
Add new comment