Demokratizimi i Partive – Mission Impossible!

Ka kohë që kërkohet që partitë politike të bashkpunojnë me njëra-tjetrën për të avancuar reformat e ngelura në vënd, në mënyrë që Shqipëria të afrohet sa më afër portës së Bashkimit Europian. Në fakt një kërkesë e tillë, është bërë bajate sepse e gjen në të gjitha deklaratat e dy viteve të fundit, nga organizatat ndërkombëtare, në veçanti nga përfaqësuesit e vendeve perëndimore që janë të interesuara të kenë edhe Shqipërinë pjesë të tij. Po aq shumë është përmendur një kërkesë e tillë nga presidenca shqiptare, organizata të pavarura, apo individë për të qenë në një vijë me kërkesat e ndërkombëtarëve, si e vetmja mënyrë për progres.
Po a mund të arrihen reformat dhe standartet nëse kemi vetëm bashkëpunim të partive politike?
Demokratizimi i partive politike shqiptare, është një shprehje që përdoret pothuajse shumë pak nga organizatat dhe shtetet monitoruese, në fakt ajo përdoret më shumë nga vetë anëtarët e partive, kur i referohen kundërshtarëve. Në jetën politike shqiptare, dëgjojmë shpresh të flitet nga anëtarë të PD-së për nevojën e demokratizimit të PS-së, për arsyen se ajo parti ka një diktat të njëshit, Edi Ramës. E njëjta gjë thuhet nga anëtarët e PS-së për PD-në, që sipas tyre ajo parti nuk ka demokraci dhe është kthyer në pronë private të kryetarit të saj, Sali Berisha. Përveç këtyre zërave që vijnë nga dy partitë, ka edhe një pjesë tjetër që kërkojnë demokratizimin e dy partive kryesore dhe të gjitha partive shqiptare në përgjithësi. Kjo pjesë përbëhet nga disa anëtarë të partive respektive dhe opinoni i shëndoshë shqiptar. Në fakt që të tre palët kanë të drejtë dhe është një “mrekulli ” shqiptare që opinione që vijnë nga krahë të ndryshme të bashkohen në një pikë dhe në një mendim. Demokratizimi i partive është i domosdoshëm. Pra, të gjithë bien dakord që në partitë politike shqiptare nuk ka demokraci dhe nëse demokratizimi i tyre është i nevojshëm, do të thotë që ose ato kanë një sistem autoritar dhe kërkohet të kalojnë në një sistem demokratik, ose janë gjysmë autoritare dhe kërkohet që të kenë një sistem të plotë demokratik. Rrugën më të gjatë dhe më të vështirë për të arritur sistemin demokratik, e ka ajo parti që autoritarizmin e ka të kalcifikuar, që edhe nëse ka një lëvizje drejt demokratizimit, pa kaluar në gjysmë autoritare nuk mund të bëhet demokratike. Nëse duhet analizuar se cila parti e ka më të fortë autoritetin e diktatit, duhet shikuar në radhë të parë marrëdhëniet anëtar-drejtues, sa hapësirë ka individualizmi dhe mendimi i lirë dhe si zbatohen parimet demokratike për jetën e brëndshme të një partie. Një anë tjetër është sjellja ndaj rregullores apo statutit të partisë, sa rëndësi ka ajo në vendimarrje dhe zgjedhje, ndryshimet që janë bërë në këto statute dhe a i përmbahen këto ndryshime një fryme demokratike.
Nuk do futem dhe të përmend të gjitha shkeljet statutore që janë bërë dhe bëhen në këto dy parti (me së miri e kanë bërë vetë anëtarët e këtyre partive), por do përqëndrohem tek pjesa tjetër e sistemit autoritar, tek fryma nënshtruese, mungesa e individualizmit. Jo gjithmonë shkelja e rregullave çon në autoritarizëm, me tepër është vegël që mbështet një frymë dhe sistem politik autoritar në parti. E logjikshme do ishte të krahasohen dy kryetarët e partive më të mëdha, për të nxjerrë një konkluzion se cili prej tyre përdor më me force diktatin në jetën politike partiake, por unë do mundohem të krahasoj pjesën tjetër, për të nxjerrë të njëjtin konluzion. Nëse vlerësimi i dy individëve dhe drejtimi nga ata është më i lehtë, sjellja e një grupi në raport me ta tregon frymën që ekziston në këto parti.
Në dy vitet e fundit në partinë socialiste, është parë një individualitet në radhët e kryesisë së kësaj partie dhe në grupin parlamentar. Dikush mund të argumentojë që një lëvizje për “mendim ndryshe” është artificiale dhe është lojë përçarëse e krijuar nga influenca e PD-së. Hipotezë që ka shumë pikëpyetje. Edhe nëse është e vertetë një hipotezë e tillë, fakti që “mendimi ndryshe” ka shprehur disa mendime që ranë në kundërshtim me vendimin e grupit të PS, mbas kaq kohe, është vërtetuar që kanë patur një këndvështrim disi të drejtë. Pra nuk ka rëndësi se nga e morën shtysën për të kundërshtuar një strategji, sot ata kanë plot të drejtë të thonë: e shikoni që nuk e kishim gabim? Po ashtu herë pas here janë parë individë të veçantë që kanë kritikuar një ose disa vendimarrje, reagime apo platforma për mënyrën e të bërit politikë (nëse PS bën politikë), pra kanë patur hapësirën e duhur për të shprehur hapur individualitetin e tyre, pa patur ndëshkim. Por që të përmbledhim hapësirën e individualitetit dhe ushtrimit të demokracisë në PS, testi më i vështirë do jetë në kongresin e radhës, ku një vendimmarrje kolektive do aprovohet në raport me “guximin” e individualizmit dhe parimeve të mendimeve ndryshe brënda një politike partiake. Shumë herë është folur për përjashtime, eleminime, por deri më sot ato nuk kanë ndodhur, të paktën de jure. De fakto, jo për të gjithë. Gjithashtu zgjedhjet lokale të zhvilluara këtë vit, treguan se në rrethe influenca e kryetarit nuk ishte në atë shkallë sa është në kryesinë e kësaj partie. Është parë një pavarësi e lehtë në shumë komuna dhe bashki, ku influenca nga qendra më tepër ka qenë mbështetje se sa imponim. Që ta përmbledh, PS-ja ka shenja të individualitetit dhe jo gjithmonë nënshtrimit të udhëzimeve nga lart, megjithëse këto janë në një masë shumë të vogël, në krahasim me pjesën tjetër që gjithmonë janë dakord me vendimet dhe strategjitë e vendosura nga kryetari me një rreth të ngushtë bashkëpuntorësh.
Pd-ja e këtyre dy viteve ka shpjeguar më së miri së çfarë kuptimi kanë fjalët “vendim marrje në grup”. Përveç disa rasteve të pakta ku një apo dy individë kanë shprehur mendime ndryshe, të cilat janë venitur nga indiferenca e pjesës tjetër, është e vështirë që të tregohen raste ku individë ( anëtarë të kryesisë, këshillit, apo deputetë), të kenë patur mendime, pozicione ndryshe nga ato të servirura nga kryetari apo “kryesia e vogël” (term që vetem në PD ekziston). Pra kemi të bëjmë me një parti që çdo politikë, strategji, reagim ka vetëm një burim dhe të gjithë e zbatojnë në grup. Kjo lloj sjellje në grup, pa asnjë kundërshtim, tregon që individualiteti dhe mendimi ndryshe është inekzistent. Është e vertetë që edhe në PD, nuk ka patur përjashtime de jure këto dy vjet, por de fakto mos zgjedhja në forumet drejtuese e atyre pak individëve që kanë guxuar të mendojnë ndryshe, të kërkojnë më shumë demokraci në jetën e brëndshme partiake, ka treguar që “përjashtimi” nuk është trendi kohët e fundit në partitë politike. Përjashtimi është një formë martirizimi, ndërsa largimi pak e nga pak deri në harresë është mënyra me e mirë për të eleminuar të pabindurit. Këtë lloj “ndëshkimi” të dyja partitë e bëjnë më së miri. Një e veçantë shumë specifike që vihet re kohët e fundit në PD, është se çdo vit e më shumë janë shtuar individë që jo vetëm nuk kanë individualitet, por janë të prirur që vetë ata të luftojnë këto shenja tek të tjerët pa patur nevojë që të marrin miratimin nga lart, pra janë kthyer në mini-autoritarë, që në çdo rast nuk e kanë të vështirë të ushtrojnë autoritarizmin në përmasa më të mëdha, nëse u jepet rasti. Në të njëjtën vazhdimësi u pa fryma pa kundërshtime në emërimet për kandidatë në zgjedhjet lokale nga qëndra.
Që të dyja partitë pa dyshim që kanë metoda autoritare drejtimi, diku më shumë e diku më pak. Të dyja i japin energji negative njëra-tjetrës. Demokratizimi i tyre nuk qëndron se cili individ apo grup lufton më shumë për demokratizimin e jetës së brëndshme partiake, por në cilën parti kundërshtohet më me forcë një përpjekje e tillë. Nuk mund të pretendosh të demokratizosh një parti, kur jo vetëm kryetari por edhe shumica e grupit e kundërshton një gjë të tillë, shpresat janë të pakta për të qenë optimist. Do ishte kaq e vështirë dhe te kërkohej në mënyrë të përhershme demokratizimi i partive tona politike nëse vetëm një individ është autoritar dhe pjesa tjetër pro demokracisë? A nuk është paradoks që demokracia jonë varet vetëm nga një apo dy individë? A nuk duket si një mision i pamundur që të demokratizosh këto parti, ku pjesa më e madhe e saj e kundërshtojnë një gjë të tillë? Çfarë rezultati do ketë për demokracinë në Shqipëri nëse dy parti jo demokratike bashkëpunojnë?
Comments
Shume analiste po na thone:
<p>Shume analiste po na thone: Simetria midis dy partive po behet gjithmone e me perfekte! Aq sa kemi arritur tek absurditeti qe tashme po ta ndrojme PD me PS do te kemi po te njejten gje, pra nuk ja vlen te bejme me as zgjedhje! Duhet te kemi analiste shume te mencur vertet, sa qe kane arritur ta zevendesojne historine me parashikimet dhe profecite e tyre perfekte!</p><p> </p>
Add new comment