Sulme të majta të PD-së ndaj një propozimi të majtë të PS-së

Postuar në 31 Tetor, 2011 04:09
Eduard Zaloshnja

Në intervistën e parë pas dorëzimit të mandatit të kryebashkiakut (dhënë gazetës Shekulli), Edi Rama deklaroi se “e mirëkuptonte të gjithë dëshpërimin e njerëzve të revoltuar nga padrejtësia e hapur që u bë në zgjedhje, por çdokush duhet ta kuptojë se vjedhjen e zgjedhjeve duhet ta paguajë Saliu duke ikur, jo Shqipëria duke u djegur”. Me fjalë të tjera, Rama i bëri të qartë opinionit publik se është i vendosur që Berishën ta mundë në mënyrë kushtetuese - pra, me votë.  Se sa efektive do të jetë kjo strategji mbetet të shihet, por adresimi i kësaj pyetjeje nuk është objekt i këtij shkrimi. Mënyra se si strategjia e zgjedhur nga Rama po realizohet dhe sesi PD-ja po i përgjigjet asaj është objekt i këtij shkrimi.

Në funksion të strategjisë së zgjedhur nga Rama, deputetët socialistë po denoncojnë në Kuvend aferat e ndryshme të zyrtarëve të lartë dhe po marrin si kundërpërgjigje gjoba të rënda për shpifje në gjyqe të ngritura nga të akuzuarit. Ky lloj aksioni nuk përbën ndonjë risi për opozitën shqiptare, si këtë të sotmen ashtu edhe të djeshmen. Ndërkohë, PS-ja po bën edhe diçka të re, diçka që e bëjnë të gjitha partitë europiane në opozitë - po propozon një sistem fiskal sa më progresiv.
Sistemi i sotëm fiskal shqiptar është regresiv - kush ka të ardhura më të mëdha ka një barrë fiskale më të vogël. Sipas llogaritjeve të mia të përafërta, një familje me dy rroga mesatare ka një barrë totale fiskale që arrin në nivelin 38% të të ardhurave bruto, ndërsa një familje me të ardhura mujore bruto 3 milion lekë të vjetra ka një barrë totale fiskale vetëm 27% (Në barrën totale fiskale kam përfshirë tatimin mbi të ardhurat, taksën e sigurimeve shoqërore, TVSH-në, akcizat, etj). 
Aktualisht konsumatorët shqiptarë paguajnë 20% TVSH pothuaj për çdo produkt e shërbim, pavarsisht nëse produkti/shërbimi është jetik apo plotëson nevoja luksi. Një familje e varfër paguan 20% TVSH për bukën, qumështin, vezën, miellin, orizin, sheqerin, energjinë elektrike, etj., ndërkohë që një familje e pasur paguan po 20% TVSH për sende luksi si parfume, veshje firmato, etj. Dhe produktet e shërbimet jetike kanë pjesën e luanit në buxhetin e familjeve të varfra e të mesme, ndërkohë që përbëjnë vetëm një fraksion të vogël të buxhetit të familjeve të pasura.
PS-ja ka propozuar në Kuvend që kjo situatë të ndryshojë. Një projektligj i socialistëve synon që furnizimi për grurin, miellin, bukën, qumështin e vezën të tatohet me 0% TVSH dhe furnizimi për vajin, sheqerin dhe orizin të tatohet  në masën 10%, duke filluar nga 1 janari i 2012-ës. Gjithashtu, në projektligj  kërkohet që furnizimi i barnave dhe shërbimeve shëndetsore nga institucionet shëndetësore, publike dhe private të jetë furnizim i përjashtuar nga TVSH-ja.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, Rama e komentoi kështu këtë propozim: “Duhet të ngremë fort zërin për heqjen e TVSH-së për bukën, vezët, qumështin dhe ilaçet. 20 përqind të çmimit të çdo kafshate bukë, luge qumështi, kokrre veze apo aspirine, nuk e merr dyqani, por e merr Saliu.” Madje, ai shkoi edhe më tej se projektligji. “Do të kërkojmë reduktimin e TVSH-së për energjinë elektrike. Saliu ka premtuar 6 përqind, por e bëri 20 përqind. Ne mendojmë se shifra 6 përqind është e mundur,” tha Rama.
Duke qenë një populist që di ta masë pulsin e elektoratit, Berisha e ndjeu që ky propozim i PS-së mund të rezonojë mirë me shumicën dërrmuese të elektoratit dhe u hodh menjëherë në sulm. Në një nga mbledhjet e përjavshme të kabinetit qeveritar, ai tha se nuk mund të shkelen interesat e më shumë se 50% të shqiptarëve për interesa të ngushta politike. Me 50% të shqiptarëve ai pati parasysh familjet bujqësore, të cilët, sipas INSTAT-it përbëjnë gjysmën e popullsisë. "Ne nuk mund të lejojmë që të varfërojmë fermerin, i cili jeton me prodhimet e veta. Ai duhet t'i shesë ato për të patur një fitim", tha Berisha. Një sulm pastër i majtë ky; Berisha del si mbrojtës i shtresës më të varfër - popullsisë rurale. Dhe jo rastësisht u zgjodh nga Berisha mbrojtja e kësaj popullsie - në tre zgjedhjet e fundit, PD-ja ka pasur më shumë sukses elektoral në zonat rurale se sa në ato urbane.
Një sulm tjetër i majtë erdhi nga deputeti demokrat Sherefedin Shehu, një ekonomist me përvojë, pasi Edi Rama publikoi një tabelë të thjeshtë që ilustronte kursimet e qytetarit nga ulja e TVSH-së për disa artikuj jetikë (http://www.edirama.al/Ulja_TVSH.pdf) . Shehu i deklaroi gazetës Panorama se ulja e TVSH-së nuk do të shkojë në xhepat e qytetarëve, por në xhepat e tregëtarëve. Me fjalë të tjera, Shehu la të kuptohet se PD-ja është mbrojtëse e xhepit të qytetarëve të thjeshtë, ndërsa PS-ja e xhepit të tregëtarëve.
Por sa qëndrojnë këto dy sulme të majta të Berishës dhe Shehut?
I pari, ai i Berishës, nuk ka asnjë këmbë për të ndëjtur sadopak në tokën e shkencës ekonomike. Fermerët që përmend Berisha nuk kanë si dëmtohen nga ulja e propozuar e TVSH-së.  Grurin fermerët e prodhojnë për përdorim vetjak (pra nuk u taksohet edhe sot), ndërkohë që fabrikat e miellit punojnë me grurë importi. Kështuqë ulja e TVSH-së do të ndikonte vetëm në uljen e kostos së miellit e të bukës. Ulja e TVSH-së për qumështin, vezët dhe vajin e ullirit nuk i rrezikon prodhuesit vendës, sepse prodhimi i tyre është ndjeshëm më i lirë se ai i importit. Sheqer e oriz fermerët tanë nuk prodhojnë, dhe aq më pak barna e paisje shëndetsore...
Ndryshe qendron puna me sulmin e majtë të Shehut - ai qendron me të dyja këmbët në tokën ekonomike.  Por, sidoqoftë ka një kontradiktë të madhe ky sulm i Shehut - vjen nga një deputet i mazhorancës dhe jo i opozitës. Le ta shpiegojmë këtë kontradiktë.
Niveli çmimeve të mallrave në treg varet nga bashkëveprimi i kërkesës dhe ofertës për to. Në rastin e artikujve jetikë, kërkesa është relativisht joelastike ndaj çmimit që ato ofrohen. Domethënë, për ndryshime relativisht të vogla (10-15%) të çmimit të ofruar, konsumi i tyre në total pothuaj nuk ndryshon (Në dallim, kërkesa për artikuj jo jetikë është shumë elastike - në qoftë se prodhuesi i Coca-Cola-s e ofron atë me çmim 10% më të lartë, konsumi në total do të bjerë ndoshta po me 10% dhe anasjelltas).
Po me ofertën e artikujve jetikë, ç’ndodh? Kur ulet kostoja e prodhimit apo e importimit të artikujve jetikë, meqë sasia e kërkuar nga publiku është e qëndrueshme, konkurenca mes prodhuesve/imortuesve është i vetmi faktor që mund t’i bëjë ata ta ulin çmimin e ofruar. Ulja e TVSH-së për artikujt jetikë është praktikisht një ulje e kostos së tyre. Dhe konkurenca perfekte do ta ulte çmimin aq sa ç’do të ulej TVSH-ja. Pra, po të përdorim gjuhën e Ramës, mund të themi se sa ç’do të ikte nga “xhepat e Saliut” do të futej në xhepat e qytetarëve të thjeshtë.  Thënë ndryshe, tregu mund ta luaj rolin e tij magjik vetëm kur është një treg vërtet i lirë dhe konkurues.
Por realiteti shqiptar tregon se bizneset që merren me prodhimin ose importimin e artikujve jetikë kanë krijuar kartele pothuajse të hapura. Ata bëjnë marrëveshje mes tyre për t’i mbajtur çmimet sa më lart. Pra, siç me të drejtë thotë Shehu, ulja e TVSH-së në këto kushte do të shkonte në xhepat e tregtarëve dhe jo të qytetarëve. Por mazhorancës, pjesë e së cilës është Shehu, nuk i falet që gjatë 6 vjetëve në pushtet nuk ka bërë asgjë për ndryshimin e kësaj situate. Një forcim i ligjit për mbrojtjen e konkurencës dhe zbatimi rigoroz i tij nga Autoriteti i Konkurencës do të bënte që çmimet të uleshin sa ç’pretendohet nga PS-ja.
Sulmet e majta të Berishës dhe Shehut dihet pse bëhen - ato synojnë të zbusin efektin elektoral që mund të kenë propozimet fiskale të PS-së. Por a ka vend për kritika parimore ndaj këtyre të fundit?
Një kritikë e majtë mund t’i bëhet propozimeve fiskale të PS-së. Partitë e majta kudo në Europë janë partizane të “shtetit të madh”. Pra, ato synojnë që shteti të ketë buxhet sa më të madh, në mënyrë që të ndjekë politika sociale sa më aktive në favor të shtresave të gjera të popullsisë. Por ulja e TVSH-së që propozon PS-ja do të ulte të ardhurat në buxhetin e shtetit. Dhe si mund të zëvendësohen këto të ardhura?
Në një mbledhje të grupit parlamentar socialist, Rama dha një ide sesi do të realizohet kjo gjë. Ai deklaroi se PS-ja, në themel të sistemit të tatimit të të ardhurave/fitimeve, do të vërë parimin “Kush fiton më shumë do të paguajë më shumë”.  Me fjalë të tjera, duket se PS-ja do të propozojë që të kalohet nga tatim i sheshtë i të ardhurave/fitimeve në një tatim progresiv, siç është në shumicën dërrmuese të vendeve të Europës.
Duke i përmbledhur këto propozime të PS-së, mund të thuhet se, që niveli i të ardhurave buxhetore në raport me Produktin e Përgjithshëm Bruto të mos bjerë, duhet që kalimi nga një taksim i sheshtë i konsumit dhe të ardhurave, si i sotmi, në një sistem të shkallëzuar, siç e ka gjithë Europa, të shoqërohet me një rritje të efikasitetit të sistemit tatimor-doganor. Kjo mund të arrihet nëpërmjet një reformimi meritokratik të tij dhe adoptimit të teknologjive e praktikave më të përparuara europiane në këtë fushë. Por PS-ja duhet të na bindë se do ta bëjë vërtet këtë gjë.
Gjithashtu, që niveli i të ardhurave buxhetore në raport me Produktin e Përgjithshëm Bruto të mos bjerë, ndoshta do duhet të zbatohet një shkallëzim shumë progresiv i taksimit të konsumit dhe të të ardhurave/fitimeve (sa më të mëdha të ardhurat/fitimet, aq më e madhe barra fiskale). Dhe partitë e djathta në botën perëndimore gjithnjë e kanë kritikuar një shkallëzim të tillë, me argumentin se dekurajon rritjen e gjeneruesit më të madh të vendeve të punës - sektorit privat. Në bazë të këtij argumenti qendron fakti që, në qoftë se shteti u merr të pasurve një pjesë të mirë të të ardhurave/fitimeve nëpërmjet taksimit, atyre do t’u mbeten më pak para për të depozituar në banka apo për të investuar drejtpërdrejt në biznese. Ndërkohë bankat, do të kenë më pak para për të dhënë kredi, të cilat mund të përdoren nga bizneset për investime ose nga konsumatorët për të blerë nga bizneset.
Në literaturën ekonomike mund të gjehen me qindra studime që e mbrojnë ose e kundërshtojnë këtë narrativë të partive të djathta. Dhe ndoshta do të kryhen edhe qindra të tjerë, për të mos arritur kurrë në një përfundim të pakundërshtueshëm pro ose kundër narrativës së djathtë. Por, sidoqoftë, ekonomistët që po merren me hartimin e programit të PS-së, kur të detajojnë shkallëzimin progresiv të taksimit të konsumit dhe të të ardhurave/fitimeve, duhet të mbajnë parasysh thënien e urtë “Gjella me kripë e kripa me karar.”

Comments

Submitted by SAIMIR (not verified) on

<p>Z. Zaloshnja</p><p>&nbsp;</p><p>E lexova me shume vemendej shkrimin tuaj dhe jam shume dakort me te gjithe analizen qe keni bere ne te, duke filluar qe me brockullat e pakuptimta te Berishes e deri tek perpjekja e z. Shehu per te lare kur i thone fjales m... me sh.... Duke mos dashur te perseri argumentat e juaja doja te shtoja qe se pari TVSh ne te gjitha literaturat boterore nuk eshte kosto e biznesit por e halleks se fundit konsumuese qe i bie te jete e qytetarit. Per kete shkak cdo ulje e saj nenkupton ulje te kostos se konsumatorit apo hallkes finale. Kuptohet dhe ketu bashkohem plotesisht me ju qe nevojitet nje funksionim i shtetit per te realizuar rolin e vet rregullator e kontrollues te tregut, per te ber te mundur edhe funksionimin e formules se famshme Kerkese-Oferte ne ekonomine e tregut.</p><p>Nga ana tjeter dua te ndalem ne konceptin e dhene ne fund nga juve ne lidhje me marrjen apo pasjen e nje buxheti sa me te madh nga qeveria duek mbledhur me shume taksa nga biznesi dhe duke i ulur ne kete menyre ketij te fudnit mundesine per te investuar. Besoj se po ti referoheni te gjitha literaturave boterore eshte e vertet qe nuk ka nje ndarje me thike se kush eshte varianti me i mire per tu zbatuar, por nga ana tjeter ne pasjen e nje ekonomie informale dhe te pakontrolluar si kjo e jone ka rezultuar dhe rezulton qe shteti si investitori me i fuqishem i vendit nepermjet buxhetit te tij mund te sherbeje me mire ne rolin e rishperndarjes qe eshte thelbesor ne nje ekonomi sesa biznese te vecanta. Kuptohet qe edhe kjo teori gjithmine duhet shoqeruar me mirefunksionim te shtetit, eleminim apo minimizim ne maksimum te klientelizmit qeveritar dhe ajo qe eshte me e rendesishmja qe kjo rishperndarje te behet ne <strong>mes kompanive shqiptare. </strong>E kam theksuar kete te fundit pasi ajo qe ka ndodhur keto kohe ne Shqiperi ka cuar ne nje deformim te tregut ku tre jane elementet kryesor: klientelizmi, borxhi i jashtem dhe kompanite e huaja. Ne lidhje me klientelizmin nuk dua te ndalem pasi e njohim por ka nje efeket me te vogel se dy elementet e tjere. Borxhi i huaj dhe kompanite e huaja qe realizojne veprat dhe investimet me te medha qe ofrohen nga investitori me i madh Buxheti i shtetit nuk bejne gje tjeter por vetem sa marrim te ardhurta e shqiptareve nepermjet taksave dhe i &quot;degdisin&quot; jashte Shqiperise duke eleminuar pikerisht ate q ethashe me larte rishperndarjen e te ardhurave qe eshte aq e rendesishme ne cdo vend dhe sidomos ne Shqiperi ku ekziston nje ndarje kaq e madhe e shtresave te popullsise.</p><p>Faleminderit</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.