7 prill – një datë që kaloi pa shumë zhurmë në Shqipëri

Postuar në 09 Prill, 2013 16:28
Eduard Zaloshnja

I përfshirë në ethet e llogaritjeve të shifrave elektorale, pas kalimit të LSI-së në koalicionin opozitar, dhe i interesuar se sa "kuqezinj” do të mblidheshin në betejën e tyre finale për të rrëzuar Berishën në 7 prill, harrova rëndësinë e asaj date për profesionin tim – 7 prilli është dita ndërkombëtare e sensibilizimit ndaj aksidenteve automobilistike.

Për ndjekësit e lajmeve televizive shqiptare, është bërë tashmë e zakonshme të shohin pothuaj përditë kronika të aksidenteve automobilistike që ndodhin në rrugët e Shqipërisë. Kështu që sensibilizimi i publikut shqiptar rreth kësaj çështje është praktikisht i përditshëm. Sepse, sipas statistikave, në Shqipëri, ndodhin mesatarisht 6 aksidente çdo 5 ditë.

E përkthyer në një numër të krahasueshëm me vendet e tjera, kjo statistikë do të thotë se në Shqipëri ndodhin 21 aksidente për 10.000 automjete, ose 3.6 herë më shumë se në vendet ish-komuniste e 11 herë më shumë se në Suedi. Dhe ç’është më e keqja, gjysma e aksidenteve automobilistike shqiptare përfundojnë me vdekjen e të paktës njërës prej viktimave; një rekord absolut evropian.

Sado që këto statistika janë të dhimbshme për çdo shqiptar, dhimbjen e tyre mund ta ndjejnë thellë në shpirt vetëm ata që humbasin familjarët... , ose të afërmit në aksidente automobilistike. Gjithashtu, mund ta ndjejnë thellë edhe të gjithë ata që, si rezultat i aksidenteve automobilistike, humbasin një dorë, një krah, një këmbë, ose që pësojnë trauma me pasoja afatgjata për jetën e tyre.

Por aksidentet automobilistike nuk shkaktojnë vetëm dhimbje. Ato i shkaktojnë shoqërisë edhe një kosto të konsiderueshme ekonomike. Sepse çdo aksident shoqërohet edhe me koston e policisë rrugore që shkon në vendin e ngjarjes, me koston për transportimin e viktimave në spital, me koston për mjekimin e viktimave, me dëmin që i bëhet automjeteve, me vonesat e trafikut që shkaktojnë humbje kohe e karburanti, me humbjen e aftësisë për të prodhuar të mira materiale, dhe me shpenzime administrative të ndryshme.

Deri më sot, për mungesë të të dhënave të detajuara, asnjë ekonomist nuk ka arritur të vlerësojë me saktësi se sa i kushtojnë shoqërisë shqiptare aksidentet automobilistike. Dhe ndoshta do të duhet të kalojnë vite përpara se të dhëna të tilla të vihen në dispozicion të ekonomistëve. Ndërkohë, një vlerësim i përafërt mund të bëhet duke përshtatur kostot e vendeve të tjera sipas kushteve të Shqipërisë.

Për këtë qëllim mund të përdoret, p.sh., një studim rreth kostos ekonomike të aksidenteve automobilistike i Pacific Institute for Research and Evaluation**, sipas të cilit, një aksident automobilistik i ka kushtuar shoqërisë amerikane rreth 87 mijë dollarë në 2010-ën.

Për ta konvertuar këtë kosto në një shifër që do të kishte kuptim për kushtet e Shqipërisë, siç u përmend më lart, disa axhustime janë të domosdoshme. Së pari, këto axhustime duhet të marrin parasysh raportin të vdekur / të plagosur / të paplagosur në aksidente, i cili në Shqipëri, fatkeqësisht, anon ndjeshëm nga vdekjet dhe plagosjet. Së dyti, axhustimet duhet të marrin parasysh diferencat në koston e mjekimit të plagosjeve, e cila është rreth 8 herë më e lartë në ShBA. Së treti, ato duhet të marrin parasysh diferencat në koston e zëvendësimit apo riparimit të automjeteve, e cila është rreth 4 herë më e lartë në ShBA. Dhe së fundi, në mënyrë që të konvertohet vlera e të mirave materiale që nuk prodhohen dot si pasojë e plagosjes apo humbjes së kohës nga aksidentet, axhustimet duhet të marrin parasysh edhe sa është vlera mesatare e produkteve apo shërbimeve që një punonjës prodhon në ditë në secilin vend.

Pas këtyre axhustimeve, rezulton se, mesatarisht, një aksident automobilistik i kushton shoqërisë shqiptare rreth 13 mijë dollarë (me kursin e 2010-ës). Duke ditur se qysh nga viti 1992, në shqipëri ka patur 6600 të vdekur dhe 117 mijë të plagosur në aksidentet automobilistike, rezulton se kostoja totale ekonomike e aksidenteve automobilistike në këto 20 vjet arrin shifrën 171 milionë dollarë (me vlerën e dollarit në 2010-ën).

Për lexuesin e thjeshtë, mund të jetë e vështirë të kuptojë se sa mund i duhet një ekonomisti të arrijë në këtë shifër të përafërt, por jo dhe aq e vështirë të kuptojë domethënien e saj. Sepse në një vend të varfër si Shqipëria, çdo njeri e kupton se çdo të thotë një humbje prej 171 milionë dollarësh. Duke e konsideruar të mirëqenë këtë fakt, mbetet të sqarohet se cilat janë rrugët për uljen e kostos ekonomike të aksidenteve automobilistike në Shqipëri, dhe sa mund të jetë magnituda e kësaj uljeje.

Që kostoja ekonomike e aksidenteve automobilistike të ulet, mund të përdoren dy përqasje. Së pari, mund të synohet pakësimi i numrit të aksidenteve, dhe së dyti, ulja e shkallës së dëmtimit të njerëzve të përfshirë në aksidente.

Përqasja e parë kërkon përmirësim të rrugëve e sinjalistikës rrugore, respektim të rreptë të rregullave të qarkullimit dhe uljen e ndjeshme të numrit të drejtuesve të dehur të automjeteve. Ndërsa e dyta kërkon përdorimin e rripave të sigurisë e të ndejtëseve të posaçme për fëmijët deri në 5 vjeç, si dhe pajisjen e makinave me jastëkë ajri mbrojtës.

Ndër këto masa, disa janë të kushtueshme për t’u realizuar, por disa të tjera kushtojnë fare pak. Kështu, në qoftë se të gjithë njerëzit që udhëtojnë me automjete përdorin rripin e sigurisë, numri i vdekjeve nga aksidentet pakësohet pothuajse 45%, e numri i plagosjeve të rënda pakësohet me 28%. Përkthyer në gjuhën ekonomike, kjo do të thotë se efekti në koston totale të aksidenteve do të ishte një ulje rreth 30%.

Në mënyrë të ngjashme, në qoftë se shpejtësia mesatare e ngarjes së automjeteve në të gjithë vendin ulet me 5 km/orë, numri i aksidenteve, e për rrjedhim edhe kostoja totale e tyre, do të ulej 25%. Ndërsa një përgjysmim i numrit të shoferëve të pirë do të ndikonte në një reduktim prej 25% të faturës që shoqëria shqiptare paguan për aksidentet automobilistike.

Për t’i realizuar shoqërisë kursime të tilla, qeverisë i duhet të bëjë vetëm shpenzime modeste për zbatimin rigoroz të rregullores së qarkullimit rrugor dhe për fushatën e ndërgjegjësimit të publikut. Ose thënë ndryshe, i duhet ta vrasë disi më tepër mendjen për jetën dhe mirëqenien e shtetasve të vet.

**Studimi është kryer nga një departament i “Pacific Institute for Research and Evaluation”, me qendër në Uashington, i cili është i specializuar në analizën ekonomike të aksidenteve në trafik, punë e shtëpi. Autori është punonjës shkencor i atij departamenti.

Comments

Submitted by I3VI5 (not verified) on

E Zaloshnje sic e the vete, dhimbjen e ketyre aksidenteve e ndjejne vetem ata qe humbin persona ne keto aksidente. Sa per humbjen ekonomike, as nuk meret fare parasysh.

Per mendimin tim, fajin per aksidentet e kane:

- Ne, populli, qe i japim makines si kafshe.
- Policia, qe na lejon ti japim makines si kafshe.
- Rruget pa standarte.

Ky problem zgjidhet shume thjeshte. Ja disa masa:

1. Pusho nga puna te gjithe ato police rrugore qe nuk dine kodin rrugor.
2. Dyfisho rrogat e atyre qe mbeten, dhe mos te futet njeri ne pune me militantizem.
3. Ndal praktikes se postoblloqeve. Se kujt idioti ne polici i ka ardhur ideja qe rendi ne rruge mbahet me postoblloqe nuk e di. Makinat e policise rrugore duhet te jene gjate gjithe kohes ne qarkullim, ashtu si ne cdo vend normal.
4. Sensibilizim te popullsise mbi rreziqet e aksidenteve. Kjo mundesisht te behet me reklama sa me brutale te mundshme qe ti vene mendjen kokes njerezit.
5. Reformim te sistemit te dhenies se patentes, ku misioni i kursit te makines te mos jete marrja e patentes, por mesimi i makines.
6. Reformim te sistemit te gjobave. Per te ndeshkuar "trimat" me makina te shtrenjta, gjobat duhet te jene progresive. Sa here qe thyen nje rregull specifik, gjoba te dyfishohet. Me kalimin e kohes, nese nuk e thyen perseri, gjoba zbret nje kat. Psh, nje pilives me x5 tejkalon shpejtesin e lejuar nje here - gjobe $10; e tejkalon perseri - gjobe $20, e tejkalon perseri - gjobe $40... e keshtu me rradhe derisa gjoba te filloje ta vrase ekonomikisht. Nese nuk e thyen me kufirin e shpejtesise per 1 vit psh, gjoba zbret nje kat (nga $80 ne $40 psh).
7. Asnje rruge e re qe do ndertohet te mos ndertohet jasht standarteve.
8. Te hartohet nje plan afatgjate per kthimin e te gjitha rrugeve ekzistuese sipas standarteve (brenda 10 viteve psh).

Nejse, kot flasim se problemi me ne eshte se nuk kemi vullnet per ti zgjidhur gjerat, jo se na mungojne opsionet.

P.S.

"mesatare e ngarjes së automjeteve në të gjithë vendin ulet me 5 km/orë, numri i aksidenteve, e për rrjedhim edhe kostoja totale e tyre, do të ulej 25%."

Ky konkluzion eshte i gabuar. Mos bo kshu gabimesh se je dhe statisticien. E kuptoj se cfar ke ne mendje, por kshu si je shprehur, eshte gabim.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.