Një Viktimë e vetes për mbrojtjen e të cilit duhet alfabet i ri

Postuar në 24 Shtator, 2025 21:30

Është kurioze të vëresh se në media ka ende që e mbrojnë z. Erjon Veliaj. E portretizojnë si viktimë, duke u përqendruar te shkeljet që i janë bërë aitj në proces, pa vënë asnjëherë në dyshim integritetin e tij si figurë politike. P.sh Mero Baze është shumë i mërzitur me fatin e Erjon Veliajt. Si një gazetar me përvojë gjyshërore në luftën e tij me Saliun, edhe kësaj radhe, Bazen e acaron publikisht fakti se burgosjen e Erjon Veliajt opozita po ia atribuon vetes. Dhe një të drejtë e ka. Qoftë edhe sepse Saliu vazhdon zanatin.

Megjithatë nga kjo pikë, në mbrojtjen e re të Veliajt, duhet shumë më tepër se kaq. Sepse zullumi i ish-kryebashkiakut, ekspozimii tij dhe budallallëku politik janë të tillë që kërkojnë mjete të reja. Z. Baze do t’i duhet të kërkojë zgjerim të alfabetit të shqipes me gërma shtesë, pasi 36 gërma dilnin për të sharë Saliun – ndjesë, denoncuar të Keqen – kurse për të mbrojtur Veliajn, duhet leksik tjetër. Pra një kombinatorikë e re në sintaksën e absurdit ku e ka futur veten z. Baze.

Ka një arsye shtesë për këtë. Dhe kjo arsye është se siç thotë ai vetë, Erjon Veliaj është Viktimë e PS-së.

Tekstualisht:

Sa për të ardhmen politike të Veliajt, këta të PD herët të vënë bast, përderisa në krye të tyre kanë dikë që ka djegur dy herë Shqipërinë dhe është ende në këmbë.

Kështu që PD nuk ka pse të kompleksohet që Veliaj nuk është viktimë e tyre. Po e vërteta është që nuk është viktimë e tyre dhe ata nuk mund të sillen si heronj të rremë opozitarë në këtë rast. Se po të ishte e vërtetë, Belindi do të ishte ngritur në karrierë me fillimin e Parlamentit, meqë ka korrur “fitore”, por e kanë zhdukur nën dyshimin se ka “korrur para” pa leje.

Kështu që PD as ka fituar ndonjë betejë politike me të – është mundur rëndë – as e ka dëmtuar politikisht me ato protesta. Përkundrazi, në atë kohë e kanë forcuar. Vetëm nëse ka dëmtuar ndonjë buxhet socialist për protestat. Për këtë s’kemi ende të dhëna.

Për Veliaj dhe fatin e tij ka shumë më tepër merita PS sesa PD. Kështu që votat e PS kundër Veliajt ishin vota të vërteta, ndërsa ato të PD që iu bashkuan PS janë vota false, për të fshehur dështimin e tyre kundër tij.

Ndaj nuk ka pse t’u vijë keq kur shtypi i trajton si “vota uniteti”, se të tilla janë. PS nuk i duheshin ato vota. I duhej vendimi politik për ta shkarkuar. Atë e mori kryeministri dhe pas asaj, votat e PD nuk i duheshin njeriu. Ashtu siç nuk i duheshin askujt protestat para Bashkisë

Shikoni termin “viktimë” për z. Veliaj. Erjon Veliaj na qenka pra sipas gazetarit në fjalë një Viktimë e PS-së. Dhe si i tillë është viktimë Politike. Më tej z. Baze në një mënyrë që e gjen të aplikuar në ndonjë Plenium të PPSh-së, lë të kuptohet se kundër tij ka patur financime nga brenda, kur flet për “buxhete socialiste për protestat”. Nëse është kështu, pra nëse Erjon Veliaj qenka viktimë politike, ai është pra një i Burgosur Politik. Dhe inskenimin e dënimit të tij si të tillë e ka inskenuar Edi Rama, pasi askush tjetër nuk e ka atë fuqi. Ishte z. Rama që kërkoi edhe shkarkimin e tij.

Le ta pranojmë se është kështu. Se ky gazepi I pacipë Edi Rama na dënoi Lalin dhe bëri Zdroms edhe me letra: pse nuk shohim nga aradha e Demkave apo “Redaktorëve” të Paraburgimit një sulm ndaj Ramës të ngjashëm me atë ndaj SPAK muaj më parë?! Në emër të drejtësisë, jo mërisë, të kuptohemi  qartë! Pasi nëse Porkuroria e Posaçme aplikoi masë sigurie disproporcionale dhe ndërtoi një dosje për garderobën e Ajola Xoxes siç thotë vetë Baze, asgjësimi politik është shumë më i rëndë. Në parim, por edhe në kuptim të historisë sonë. Pse nuk shkruan kush për ata këshilltarët bashkiakë që luajtën Byronë e viteve ‘2000(hiq z. Bushati)? Përgjigja është shumë e thjeshtë dhe si e thotë ajo batuta e atij filmit: Unë vetëm 6 muaj isha me Ballin se më gënjyen.

Ciladoqoftë e vërteta e kësaj që pamë të gjithë, hipokrizia dhe qarku vicioz ku futën veten gazetarët që mbronin në tym Erjon Veliajn, ishte dëshmia më e pastër se Erjon Veliaj ishte viktima e korrupsionit të vet, që e bëri shurdh, qorr, arrogant. Patjetër që në procesin ndaj tij ka mangësi dhe shkelje dhe ato duhen adresuar në mënyrë urgjente. Sepse prekin këdo në aplikimin e të drejtës. Por Veliaj nuk ishte viktimë veçse e vetes së vet dhe kjo është diçka shumë më e vërtetë sesa budallallëku i opozitës që nuk meriton vëmendje.

Nëse ekzekutori është Edi Rama, atëherë z. Baze sapo ka firmosur tezën se SPAK e kontrollon Edi Rama dhe se Drejtësia është asgjë më shumë se dorë e tij. Por edhe në qoftë kështu, largimi nga jeta publike e Veliajt është një ndër gjërat më positive që kanë ndodhur edhe pse shumë do përfitojnë për keq. Të thuash se Veliaj ka mundur PD-në, është njësoj si ajo loja që bënte dikur Edi Rama me idenë se ai merret vota sa PS-ja. Kjo thjesht nuk është e vërtetë. G99 u provua se çfarë ishte ndaj edhe Veliaj doli nga marsupi I Edi Ramës për të mbetur asgjë më shumë se një këlysh zevzek të cilin rradakja e tij politike, pavarësisht këshilltarëve të shumtë, më të shumtë sesa Elisa Spiropali, e çoi aty ku e çoi. Pas një loje që as i takonte dhe as kishte këllqe ta mbante.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.