“Turpi” që do ta mbajë në jetë shtypin e shkruar

Postuar në 03 Qershor, 2014 04:28
Alfred Lela

Shtypi i shkruar është shqetësimi im parësor në debatet që zhvillohen për median. Kjo sepse shtypi është një lloj media mëmë një mother of all media: është i tillë jo vetëm sa i takon jetëgjatësisë dhe traditës, pra një thellësie në kohë, por edhe një përmase tjetër, asaj që dua të quaj thellësi në mendim ose interpretim.

Kur të bjerë shtypi i shkruar, siç paralajmërojnë skeptikët dhe gëzohen pelegrinët e medias së re, do të bjerë mendimi.

Ky bast i fundit ose jo të shtypit të shkruar hapur edhe para se The Economist të hapej në një prej numrave të saj të fund-gushtit 2006 me kopertinën Who killed the newspaper vazhdon edhe sot; pa fitimtarë apo humbës të qartë. Ka gazeta që mbyllen e të tjera që hapen; ka revista që bien dhe arrijnë të ringrihen si Newsweek, për shembull, që u rihap para se të përhapej globalisht lajmi se qe mbyllur.

Nëse zbresim në terren shqiptar një shikim i shkujdesur dhe i painteresuar nga jashtë na jep një panoramë të shëndetshme të shtypit të shkruar. Tituj të pafund në tezgat e paradites të cilat parakalojnë me nge në emisionet e mëngjesit të televizioneve. Demokracia duket se funksionon sepse në tezga ka gazeta për të gjitha shijet politike: nga konservatoret deri te libertarianet. Liria funksionon, siç u pëlqen amerikanëve të përsërisin.

Nga brenda pamja është më e errët. Ekipet redaksionale janë reduktuar, duke iu përgjigjur shtrëngimit ekonomik, por jo kërkesave dhe specifikave të epokës së re në të cilën ka hyrë media. Një prej drejtuesve të gazetës së madhe spanjolle, dhe një prej më të njohurave në botë, El Pais, iu përgjigj kështu pyetjes sime, gjatë një vizite në redaksi, se ‘çfarë duhet të bëjnë gazetat sot që t’ia dalin’: të shtojnë gazetarët dhe të reduktojnë faqet!

Ai ishte duke folur për koncentrimin (përqendrimin) e informacionit, pra për një teh editorial që i sfidonte televizionet të cilat luajnë me lajmin e parë dhe përsëritjen e tij deri në mërzi. Gazeta që del nesër mund të përgjigjet vetëm me këndet, interpretimet, argumentet, sfondet, kontekstet e lajmit. Pra, me historinë e lajmit dhe jo lajmin vetë.

Por këta gazetarë/redaktorë të shtuar dhe faqe të pakësuara kanë për qëllim gjithashtu krijimin dhe forcimin e redaksisë së dyfishtë të gazetës: asaj të printuar dhe asaj online. Ky koncept në Tiranë nuk është zbatuar ende. Faqet online të shtypit të përditshëm janë kryesisht zbardhje ose pdf-im i gazetës së ditës. Edhe kur ka përpjekje, ato janë të vakëta duke qenë ose zbardhje e lajmit të fundit raportuar nga televizionet e lajmit 24 orësh ose përkthime dromcash të kronikës rozë hollivudiane.

Këto nuk janë kritika, sa janë konstatime, sepse ky vakuum më shumë se ideor dhe konceptual është financiar. Mungojnë burimet njerëzore dhe financiare për të tentuar një super-redaksi, në fakt një redaksi normale.

Një rast sui generis i një redaksie solo, i një one man media show është ai i Tema-s së gazetarit Mero Baze. Baze është ndoshta blogeri i parë i suksesshëm shqiptar, me një shikueshmëri të madhe, me anë të editorialeve të tij të përditshme dhe Antenës, një lloj satire politike.

Baze është kthyer në një njeri media duke konkurruar me sallonin e tij të shtypit të shkruar sallone të tjera të mëdha mediatike si Opinion, Zonë e Lirë dhe Top Story.

Baze nuk është një rast që e mëson në shkollën e gazetarisë, pra nuk mund të ketë një manual për studentët për t’u bërë Baze, duke qenë se ai është krijuar nga rrethana specifike, që lidhen sa me gazetarinë e tij aq, dhe ndoshta më shumë, me protagonizmin e tij politik. Pa mohuar gjithsesi zejen e zhvilluar të tij mbi argumentin politik dhe një përvojë të gjatë afër lajmit dhe aktorëve të lajmit që e bëjnë atë më shumë se gazetar.

Për të ardhur te ideja, në fakt e kahershme, e Henri Çilit, botuesit të Mapo, materializuar në një formë të parë së fundmi me kalimin e gazetës nga sh.p.k. në Fondacion. Sipas Çilit, shtypi i shkruar do të shpëtojë apo mbijetojë vetëm si mecenat, pra si sponsorizim apo donacion i një individi të pasur. Siç ndodhte, për shembull, me artet e bukura në Mesjetë. Kjo, sigurisht, nuk e shpëton shtypin nga influenca, nga trafiku i ideve apo interesave, por të paktën do të legalizonte një raport prapaskene dhe do t’i jepte fund hipokrizisë mbi financimin e shtypit dhe interesat politike mbi të.

Pak a shumë, kjo do të ishte një përmbysje e motos së revistës amerikane The Atlantic “of no party or clique” (e asnjë partie apo klike). Duke e bërë ‘e x partie apo y klike’.

Quajeni si të doni, fatkeqe apo fatmirë, por kjo ka gjasa të jetë e ardhmja e shtypit të shkruar në Shqipëri (dhe e medias në përgjithësi). Kjo do ta fusë raportin media-biznes-politikë në një raport të ri atë të transparencës. Biznesi do ta heqë maskën e dashnorit të lirisë së fjalës dhe të shtypit dhe do të raportojë si donacion x shumë. Kjo do të përkthehet si materializim dhe transparencë e lobimit. Një biznes miliona eurosh në Shqipëri, por që bëhet në prapaskenën e një gjasmeje të madhe.

Kjo transparencë e financimit do të sjellë, (jo)paradoksalisht edhe transparencën e informacionit. Redaksitë nuk do të jenë në luftë për lajmin si të tillë, për të vërtetën si të tillë, por do të gërmojnë për lajmin që dëmton palën tjetër, për të vërtetën që nxin palën tjetër. Pala tjetër do të bëjë të njëjtën gjë. E vërteta do të dalë si pasojë e këtyre përplasjeve.

Kush ka një qëndrim puritan mbi këtë, e do të kërcejë pupthi nga pickimi i zekthit të moralit, të hedhë një sy mbi shitjet e gazetave dhe raportin e publikut me to. Interesi i publikut nuk është domosdoshmërisht interes publik. Publiku nuk është i gatshëm ta sponsorizojë median e lirë (duke e blerë atë). Ai kërkon median e lehtë. Tirazhi i gazetave që zbardhin telenovelat turke apo suplementeve që krijojnë iluzionin, e qepur trashë, të një kronike rozë e mondane në Shqipëri, është dërrmueshëm më i larti.

Shtypi i shkruar serioz do të mbijetojë me sa duket kështu: duke përplasur dhe informuar të vërtetat e palëve. Kjo ‘palavdi’ do ta mbajë në jetë.

*Shkrimi është pjesë e një debati të iniciuar nga Instituti i Medias dhe është botuar fillimisht në faqen online të këtij institucioni.

Mapo

Comments

Submitted by Asterisk (not verified) on

Ekzistenca e financimeve te fshehura per shtypin apo edhe per shtypin si nje mjet ne duart e politikaneve biznesmene nuk eshte gje e panjohur si ne perendim edhe aq me teper ne Shqiperi qe eshte thjesht nje kopje e keqe e perendimit sot. Ky eshte nje nga problemet e shtypit sot. Gjithsesi legalizimi I problemit nuk e zgjidh ate dhe me shume gjasa do te krijoje probleme te permasave dhe me te medha.

Prandaj keto politikat e Naim Cilerave, gjasme neoliberalistet, jane nje hedhje hi syve. Problemi eshte kapur shume ceket dhe vetem ne rrafshin qe I intereson Lele-Cilit. Ajo qe I mungon ne mase te gjere shtypit sot eshte ETIKA, profesionalizmi. Tregu eshte boll i liberalizuar dhe nuk k apse shkohet ne ekstreme te tilla sa rekomandohen ne shkrim. Cdokush eshte I lire te hape nje gazete dhe te shese brockulla me shumice (fakti eshte qe shume prej tyre e bene kete). Pothuaj te gjithe shesin propaganda dhe nuk ka asnje fuqi rregulluese qe mundohet ta rregulloje kete. Dhe megjithkete NUK FUNKSIONON. Pra cafre do rregullonte legalizimi (ne leter) I menyres se financimit? Nga ana tjeter a nuk jane keshtu gazetat partiake per shembull apo periodiket e nje biznesi te caktuar? A mund te na thote autori se ku e ka pare kete qe thote te aplikuar ne mase qe dhe ne te kemi me shume “horizont” per mendjet e ndritura te ketyre sharlataneve mediatike.

Ne te kundert legalizimi i ketij sistemi interesash do te bente vetem ate qe do ta bente me emergjente nevojen per nje shtyp (jo domosdoshmerisht me te paanshem) por me objektiv, etik e profesional. Kuptohet qe autori e te ngjashmit e tij “vdesin” te behen zagare gjahu te dikujt (ose ndoshta ja kane pare hajrin te lehurit per te zotin e rradhes), por kjo nuk eshte rruga e duhur. Ose me sakte kjo eshte rruga juaj dhe po e beni si me fondacion si me shkp.

Submitted by HÇ (not verified) on

Ama laviren e politikes , Mero Baze more si shembull o Lela ?!!!? Gazeta e tij eshte bere konkurruese me Opinion, Zonë e Lirë apo Top Story-in?? Po gazeta e tij eshte veçse nje fole grekerish (qe edhe e financojne ate gazete paçavure) dhe e ca militanteve idiote qe merua u servir ate qe ata duan . M.Baze vetem gazetar apo analist nuk eshte , ai thjesht eshte nje bythlepires i çastit . Ai ta "ul" diellin ne toke lur i leverdis dhe e "fsheh" me muaj kur i verbon syte . Deri dje na mbyti me shkrimet pro berisha dhe anti te majtes , ndersa sot nga 100 shkrime 99 flasin vetem kundra Berishes edhe pse po mbush nje vit qe Berisha nuk eshte me ne pushtet . Mero Baze eshte shembulli me negativ dhe me i keq i gazetarise shqiptare ne te gjithe historine e saj . Nuk ka per te ardhur kurre nje i dyte si ai , ai thjeshte eshte nje k..plake e rendomte .

Submitted by kevinjon (not verified) on

Alfredo, je per etike e kualitet gazetarie apo kerkon te na shpjegosh se sa ne gjynah eshte gazetaria pa te ardhura? Kur ke qene tek ElPaso nuk te beri pershtypje se atje kishte edhe nje kod estetike, kulture a gjykimi qe shpjegonte interesin publik te gazetes? Atehere? Perse shkruan brockulla me gell-Baze e media roze kur thelbi e kualiteti i ketyre eshte fundi i kultures pare edhe nga kendeveshtrimi me taban qe egziston?

Turp!

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.