Të gjithë për një xhami të re më të mirë

Postuar në 12 Tetor, 2014 05:47
Agim Marku

U bë një kohë mjaft e gjatë që diskutohet ndërtimi i një xhamie të re, të madhe, në Tiranë, aq sa kjo kohëzgjatje, po të kishte qenë produktive, mund të konsiderohej dinjitoze dhe e mjaftueshme për një projekt shumë serioz. Ka mirëkuptim të gjerë se është i nevojshëm ndërtimi i një objekti kulti dinjitoz në shërbim të besimtarëve myslimanë të Tiranës dhe gjithë vendit. Një nga përpjekjet që arriti formësimin në letër ishte projekt-ideja në parcelën në veri të Pallatit të Kulturës, e dalë nga një konkurs ndërkombëtar i organizuar nga Bashkia paraardhëse e Tiranës, njëra palë e vendimmarrjes. Ishte një projekt ambicioz, mbase larg pritshmërive të një pjese të komunitetit të besimtarëve, por me shumë interes për t’u debatuar.  Më vonë, pasi ishte konsumuar shumë debat, kryesisht nëpër kalvaret e pronësisë, u bë publik një vizualizim tjetër se si do të ishte projekti i xhamisë së re pranë Kuvendit të Shqipërisë, të miratuar nga pala tjetër vendimmarrëse. Shpejt nisën punimet me rrethimin e kantierit dhe prerjen e pemëve, dhe nën realitetin e faktit të kryer, argumentet rreth projektit u dëgjuan pak. Tashmë çështja ka hyrë në një moment interesant; projekti i palës së dytë është bllokuar nga pala e parë për arsye që të paktën sipas deklarimeve nuk ka lidhje me vetë xhaminë, dhe me premtimin se projekti do të realizohet. Kjo vërtet mund të dëshmojë faktin pozitiv se ka një pjekje të mendimit të palëve se projekti duhet realizuar, por le ta thyejmë rrethin vicioz të palëve dhe ta kthejmë fokusin te çështja kryesore, projekti i xhamisë. Si do të jetë xhamia më e madhe e vendit, si dhe kush e merr vendimin për këtë? Përpos palëve vendimmarrëse, të cilat kanë folur më shumë, kemi përfituesit e drejtpërdrejtë të projektit, Komunitetin Mysliman Shqiptar, i cili të paktën nga sa është bërë publike, ka treguar elasticitet dhe tolerancë në pranimin e opsioneve, si dhe përfaqësues të opinionit publik dhe të fundit arkitektët, të cilët nuk kanë folur aspak. Po tentoj me këtë shkrim, pikërisht për të nxitur pjesëmarrjen e tyre dhe të profesionistëve të tjerë të lidhur me këtë fushë, sigurisht gjithkush tjetër është mirëpritur, në mënyrë që të ndërtohet një debat i gjerë në nivel profesionistësh, brenda të cilit besoj se do të ravijëzoheshin disa konture më të sigurta që do të orientonin formësimin e një projekti sa më të mirë, më funksional, më simbolik, më atraktiv, më përbashkues, pse jo, edhe sa më të madh. Edhe në qoftë vonë, ky mbetet një moment deciziv për ta bërë një përpjekje të fortë. Kundër zërave se kjo është çështje vetëm e KMSH, është e tepërt të komentojmë se xhamia, pavarësisht funksionit të veçantë që ka, mbetet përsëri një ndërtesë dhe si e tillë është çështje thelbësisht e arkitekturës. Pra a duhet të ndërtohet xhamia pranë Kuvendit të Shqipërisë sipas projektit të publikuar? Montazhi i pasaktë i imazheve të këtij projekti, në fakt nuk e paraqet qartë madhësinë e saktë dhe marrëdhënien e xhamisë me atë kontekst të rrugëve dhe objekteve ekzistuese. Por për gjykimin tim ato imazhe nuk paraqesin atë projektin e mirëstudiuar të një objekti kulti madhështor e të admirueshëm të dekadës së dytë të mijëvjeçarit të tretë në kryeqytetin e një vendi që në kohën e përfundimit të punimeve të xhamisë ka gjasa të jetë bërë edhe juridikisht europian. Pa marrë përsipër të jem njohës specifik i objekteve të xhamive, thjesht duke vështruar një katalogim të tyre, duket qartë se ky projekt paraqet një kopje të shtrydhur të xhamive të periudhës së vonë osmane, dhe më së shumti, të xhamisë së Sulltan Ahmetit (Xhamia Blu) në Stamboll, përfaqësuese asaj arkitekture që mund të definohet si “stili mesjetar turko-osman”. Pa e marrë këtë si të vërtetën e madhe, po i jap të drejtë vetes që ta përdor për krahasimin e kontrastit të madh mes tyre: e para është investimi më i madh drejt dimensionit fetar i një perandorie që sundonte një territor më të madh se Europa e sotme, ndërsa ky projekt është një objekt kulti për një pjesë të madhe të tre milionë banorëve të Shqipërisë. Xhamia Blu ka atë impakt sepse volumi i saj prej afro 8000 m2, brenda së cilës një shesh i brendshëm i hapur sa afro 1/3 e saj, shtrihet në një sipërfaqe të hapur të gjelbëruar afro 4 herë më të madhe se vetvetja, duke ofruar një pamje panoramike të objektit, që bën të mundur perceptimin e raporteve të drejta të shtrirjes planimetrike me lartësinë e objektit dhe sidomos të minareve. Ndërsa ky projekt tenton të duket njësoj madhështor, por në një hapësirë vizuale shumë më të vogël, të shtrënguar në një nga kryqëzimet me më shumë trafik të Tiranës, pa asnjë shesh a hapësirë të brendshme ku besimtarët të mund të mblidhen të ndarë prej rrëmetit të trafikut, por me minaret mbase më të larta se Xhamia Blu, kjo falë teknologjisë aktuale të ndërtimit me betonarme. Vetë numri dhe lartësia shumë e madhe e minareve tenton të theksojë me solemnitet madhështinë e objektit, ndërkohë që aksesi i keq drejtpërdrejtë nga rrugët e zhurmshme, në një fasadë prej dyqanesh njëkatëshe ku gëlon aktiviteti tregtar, e bjerrin krejt madhështinë e momentit njerëzor të hyrjes në tempullin e besimit të tij. Perspektiva e objektit nga pikëvështrimi i kalimtarëve në kryqëzimin mes bulevardit “Zh. D’ark” dhe rrugës “G. W. Bush” nuk paraqet realisht një xhami. Me planin e parë të ngërthyer krejtësisht prej fasadës së gjatë njëkatëshe me dyqane nga ku dy-tri katet e poshtme të korpusit të xhamisë as mund të shihen, na përvijohet pamja e një ndërtese hibride, pa unitet, pa përmbajtje; një xhami e vogël e ndërtuar mbi një treg të mbyllur. Pozicionimi i pjerrët në shesh afro 45 gradë me rrugët që e konturojnë, është krejt diletant, pasi përveç shumë të tjerave, keqekspozon ndaj rrugëve cepat e ndërtesës, një situatë nga ku p.sh. mund të shihet se minarja lindore vizualisht nuk mbështetet në tokë, por mbi vetratën e një dyqani poshtë saj. Jo pa qëllim, nga imazhet e publikuara nuk ka asnjë perspektivë nga niveli i shikimit të kalimtarëve nga lindja dhe jugu i ndërtesës, kjo pasi edhe vetë projektuesve nuk u ka pëlqyer aspak. Gjithashtu vërehet lehtë se në krahasim me gjithë sipërfaqen e madhe të okupuar, salla qendrore është proporcionalisht shumë e vogël, duke mos tentuar t’i qaset zgjidhjes së problemit të argumentuar të mijëra besimtarëve, të cilët gjatë kremtimeve falen në bulevardin e Tiranës. Ndërtesa e një xhamie në këtë shesh duhej të ishte më kompakte, të maksimalizonte volumin në funksion të hapësirës së sallës kryesore dhe ambienteve të tjera të një xhamie, por ndërkohë duke lënë publike një sipërfaqe të jashtme të gjelbëruar apo të sistemuar, minimalish në përputhje me ligjin e urbanistikës për koeficientin e shfrytëzimit të territorit. Kjo sigurisht do ta vendoste edhe në raporte estetikisht më të drejta me sheshin dhe më të ndershme me njeriun. Duke e përmbledhur mund të themi me siguri se ky projekt ka një kompozim aksidental pa një gjeometri përbashkuese, pa një trajtim arkitektonik unifikues, madhësia disproporcionale e të cilit, më e pakta, nuk qëndron aspak mirë në morsetën e kontekstit ku pretendon të mirëpritet. Stili i ndërtimit? Duhen dëgjuar më shumë zëra. Arkitektura është një lloj kohëmatësi. Ndërtesat e botës, duke mbajtur vulën e kohës kur janë ndërtuar, na kanë krijuar një kalendar mjaft të saktë. Por siç ka në arkitekturë raste të rimarrjes dhe evokimit të objekteve apo stileve klasike me rezultate pozitive, ka gjithashtu edhe falsifikime të dallueshme, banale të këtij kalendari. Ripërtëritja me kopjim të thjeshtë i arritjeve të pesë shekujve më parë, të një kombi tjetër, nuk përbën asnjë arritje pozitive për arkitekturën, kulturën, apo edhe për identitetin e besimit mysliman në Shqipëri. Është thjesht një hap pesëshekullor prapa. Ndërtesat që ne ndërtojmë, si dhe librat që shkruajmë e veprat e artit që krijojmë, në rastin më fatlum duhet të arrijnë të bëhen përfaqësuese të kohës sonë. Në rastin suprem do të arrinin të ishin thjesht të pakoha, kryevepra universale. Por të tilla në botë ka krejt pak. 150 vjet pas rrethimeve të përgjakshme të Krujës nga Sulltan Mehmeti II, që rezultuan me pushtimin e Arbërisë dhe gati shkërmoqjen e strukturës shoqërore e identitare të vendit, një pasardhës i tij, Sulltan Ahmeti, arritjen e tij më të madhe ndërtimore ia besoi një arkitekti osman me origjinë nga Elbasani. Në fakt, vetë historia e rinisë së arkitektit Sedefkar Mehmet Aga mund të përfaqësojë plagën më të dhimbshme të kohës, atë të të rinjve shqiptarë që dërgoheshin forcërisht për t’u rekrutuar jeniçerë në luftërat e Perandorisë. Xhamia Blu, vepra e njohur e ish-jeniçerit të talentuar shqiptar, si simbol përmbushës i kësaj epoke, si përjetësim i vullnetit të Sulltan Ahmetit, është diçka me të cilën ne shqiptarët nuk kemi si të asociohemi dhe as kemi arsye për t’u ndier krenarë. Ndërkohë ne kemi luksin edhe më të madh, që mund t’ia besojmë projektin e xhamisë studiove të njohura të botës së përparuar, të specializuara në këtë profil, nëpërmjet një konkursi ndërkombëtar për të cilin më parë të gjitha palët duhet të bien dakord. Besoj se në shumicë edhe qytetarët shqiptarë, pavarësisht besimit, do të ishin pro për këtë. Dhe siç dihet, ka shumë arritje mbresëlënëse të xhamive të stilit bashkëkohor në Ballkan, Europë, Rusi, Turqi, madje dhe në Lindjen e Mesme. Bashkëkohore janë edhe dy objektet kryesore të dy feve të krishtera në Tiranë. Është në të keq të projektit nëse Komuniteti Mysliman Shqiptar, të lodhur nga ecejaket e vendimmarrjes dhe vendimmarrësit të lodhur nga debatet dhe anatemimi, të bien dakord që thjesht ta nisin një orë e më parë, pa peshuar mirë projektet. Kjo nuk u falet. Projektimi dhe ndërtimi i xhamisë më të rëndësishme të vendit nuk duhet përjetuar si dhënie fund të një kalvari lodhës, por si gëzimi që të jep realizimi i një përmbushje të madhe shpirtërore. Te gjithë duhet të imagjinojnë se silueta e kësaj ndërtese, të paktën këtë shekull, do jetë ikona e besimit të një pjese të madhe të shqiptarëve, do të jetë një nga pak simbolet e forta të kryeqytetit, ndaj nuk duhet humbur ky shans për të shënuar një arritje shumë të mirë. Prandaj ky lloj vendimi nuk meriton të merret në disa tavolina të vogla, me pak persona.

 

Panorama

Comments

Submitted by anonim (not verified) on

<p>sa i djeg suma per xhamine e muslimonve ktyne mark,frok,preng,gjikve.</p>

Submitted by Arnaut (not verified) on

<p>Interesant dhe i mirepritur komenti i autorit. Pres me padurim komentet e arkitekteve dhe specialisteve te fushes, a pse jo dhe specialisteve te komunitetit musliman.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.