Të jesh a të mos jesh Charlie?

Masakrat e pashembullta që ndodhën në Paris këtë muaj janë përsiatur prej një sërë pikëvështrimesh, sikurse janë ato të terrorizmit, fundamentalizmit fetar, hendeqeve klasore, dasive fetare e kulturore, diskriminimit dhe margjinalizimit të grupeve shoqërore, dështimit të strategjive dhe politikave multikulturore, çështjeve të koklavitura të imigracionit, erozionit të mirëbesimit ndaj qeverive dhe mungesës sëndër-veprimit konstruktiv midis shtresave shoqërore, etj. Të gjitha këto rrafshe bashkëpriten midis tyre. Edhe një nga pikëprerjet ose më mirë njëpikënisje e tragjedisë ka të bëjë me vlera, koncepte e të drejta bazë sikurse është liria e shprehjes, një nga tiparet themelformuese të shoqërisë demokratike e pluraliste.
Fundja ishte liria e shprehjes flamuri i Charlie Hebdo-së ndërsa skiconte thagma e blasfemi, pavarësisht gjithfarë kanosjeve e paralajmërimeve, me po atë shpërfillje ndaj rrezikut sa edhe vagabondi Lancelot te filmi Kalorësi i Parë, kur rrekej kokëkrisurisht të kalonte trokthi përmes një vargu lavjerrësish në formë sëpatash e kosash të hatashme, që natyrisht ishin aty për t’ia bërë trupin atletik feta-feta, dhe e gjithë kjo në këmbim të kënaqësisë së një puthjeje prej Lady Guinevere. Kush e ka parë filmin do t’i kujtohet se kur një djalosh katundi i kërkoi trimoshit ta mësonte sesi të luftonte për të fituar, një nga këshillat që mori ishte: “Lypset të mos çash kryet në jeton a vdes!” Kur këqyra karikaturat provokuese pyeta veten: vallë a ish kjo edhe motoja e Charlie Hebdo-së? Po vallë në shërbim të cilit mision a ideal?
Kryesëpari le të vemë në dukje faktin se në raste tragjedish si ajo e Parisit, kur jetë qytetarësh ndërpriten brutalisht e padrejtësisht, njerëzit në mbarë globin priren të tregojnë dhembshuri e solidaritet të admirueshëm për njeri-tjetrin. Me siguri lexuesit e këtyre radhëve janë të tmerruar e të revoltuar në përkrahje të qytetarëve francezë që humbën jetën mizorisht. Vetiu ndihemi të gjithë të dhunuar e mendërisht të fiksuar në këtë ngjarje të kobshme. Mirëpo është e pritshme diçka e tillë. Pak gjëra për t’u çuditur. Padyshim sjellje e lëvdueshme, edhe pse teatrale, e volitshme, lehtësisht e performueshme dhe gjithaq e pamjaftueshme.
Të kthehemi te pyetjet. Çfarë ishte liria e shprehjes për revistën Charlie Hebdo? Cilin ideal kërkonin të mbronin? Çfarë mesazhi rrekeshin të përcillnin? Çfarë vlerash mëtonin të mbronin karikaturistët e Charlie Hebdo-së? Nuk gjej dot hë për hë përgjigje më të mirë se ajo e endacakut Lancelot. Për këdo që anembanë deklarohet “Je suis Charlie”, prej atyre që marshuan në Paris e deri te artistët që u dëfryen paq në Golden Globes duke e shpërfaqur tri-fjalëshin si të ishte markë tregtare në aksesorë lluksozë, e prej kryeministrit shqiptar me lapsat ngjyrë-çelët kombinuar bukur në thilé të xhaketës elegante e deri te personazhet mediatikë që mallëngjyeshëm shitën bashkarisht harmoni fetare alla shqiptarçe mu në zemër të Parisit, mund të pyesim:Ç’mendim kanë për karikaturat? A t’i kenë parë vallë? Ç’mesazhe t’u kenë përcjellë? I pëlqejnë?I admirojnë? I kuptojnë? I zbavisin? I miratojnë? I disaprovojnë?
Klerikët e besimtarët tanë a janë kampionë të lirisë së fjalës, apo kampionë të përkushtimit ndaj fesë (politikës) përkatëse? A mund të jenë kampionë të të dyjave njëherazi? Cila qëndron më lart në shkallaren e vlerave për këta, ajo e shprehjes së lirë apo ajo e religjionit? Si ndihet një klerik katolik tek shikon Papa Françeskun të portretizuarprej Charlie Hebdo si pimp në kërkim të klientëve (prostituta) në Rio? Vallë si ndihet një besimtar çfarëdo tek shikon një karikaturë ku Zoti dhe Jezusi janë duke kryer seks? A thotë: “Ah, epo, këtu kemi të bëjmë me satirë. Edhe satira kështu e ka natyrën, të na shokojë e të na skandalizojë nga pak! S’kemi ç’bëjmë, liria e shprehjes mbi të gjitha! Amen!”? Apo, mendon qetësisht dhe përulësisht: “Fali Zot se s’dinë ç’të bëjnë!” Po një klerik mysliman, vallë ç’opinion të ketë edhe a ndihet i torturuar kur sheh profetin Muhamed (nderin e të cilit Sharia ia kërkon që ta mbrojë më fort se atë të prindit, fëmijës, vëllait e motrës) e simbolet e veta fetare të katandisura në atë gjendje? Edhe ai ashtu të mendojë, se liria e shprehjes është më e rëndësishmja dhe përmbi fenë? Po një politikani katolik si Edi Rama, ç’kumt t’i kenë dhënë vallë vizatimet alla grafitti nevojtoresh, sikurse ai i Papës portretizuar si të ish pronare e kolme shtëpie publike në mini bikini? Edhe kur? Vetëm pak muaj pas pritjes madhështore që i bëri kryeklerikut, e aq më tepër tani kur shenjtëria e tij sapo deklaroi se liria e shprehjes ka limite kur fyen fenë… Histori e ngatërruar për t’ua shpjeguar të vegjëlve kur të rriten.
Vallë këta njerëz, në komunikimin privat me vetëdijen, a u bëjnë vend pyetjeve të tilla?
S’e di se ç’mendojnë. Pas gjase besimtarët dhe klerikët shqiptarë, sidomos ata që morën vendimin për të marrë rrugën për Paris së toku, do t’i kenë bluar mirë këto pyetje torturuese e pasi me siguri të kenë rrëmuar në ndërgjegje e në zemër del se do të kenë ditur që me përulësi e urtësi të ngrihen në lartësinë e duhur, duke lënë mënjanë diferencat fetare –- të cilat të rrimë shtrembër e të flasim drejt janë me përkufizim përjashtuese, ndryshe s’do të kishim diferenca por një fe të vetme ose quajeni “harmoni fetare” po të doni -- e duke bërë zgjedhjen e vështirë midis besnikërisë pa kushte ndaj Zotit përkatës dhe solidaritetit me viktimat (paçka se përdhosëse të simboleve të shenjta), për t’iu përgjigjur dhunës me paqe, intolerancës me tolerancë, iracionalitetit me arsye të ftohtë. (A nuk do të ishte një luftë e tillë e shpirtit lëndë ideale për një kryevepër të ardhshme letrare?) Po të jetë përnjimend kështu, si është e mundur që nuk del një shqiptar të thotë: Këta janë heronjtë e udhëheqësit e mi shpirtërorë? Njerëzit nuk u bindkan lehtë e nuk besojnë më te përrallat me heronj.
Sa për mua, “Unë jam Charlie” sepse ndjej si shumëkush se vrasjet e punonjësve të Charlie Hebdo-së janë vrasje e dhunim barbar mbi qytetërimin dhe të gjithë ne që lirinë e shprehjes e çmojmë fort. “Jam vendosmërisht Charlie” sepse përpiqem ta bëj timen mësimin e Volterit “E përçmoj atë që thua, por do ta mbroj të drejtën tënde për ta thënë”. Patjetër që “Jam Charlie”, sepse mund të vijë një ditë kur të kem nevojë për lirinë e fjalës e për dikë që të më dalë në krah pikërisht sespe gëzon lirinë e fjalës! S’do mend që“Jam Charlie” si shtetase e një vendi demokratik si Kanadaja, që lirinë e shprehjes e ka në themel të kushtetutës, sistemit ligjor, e përditshmërisë demokratike, pavarësisht se principi në zbatim është larg përsosmërisë. “Jam gjithmonë Charlie” për t’i thënë jo censures dhe auto-censurës, pasojat e të cilave jo vetëm i kam njohur mire dje si ish-banore e një sistemi totalitar, por ironikisht edhe sot tek jam në gjendje t’i pikas bash në një nga vendet më të lira, demokratike e progresive siç është Kanadaja, ku jetoj prej vitesh e ku vërej se“korrektesa politike”përditë e më shumë vjen e bëhet feja dominuese. Më në fund “Jam Charlie” edhe si shqiptare që ndjek rrugën e mundimshme të demokracisë së vendit të vet të lindjes, dhe identifikohet me të gjithë shqiptarët që e çmojnë lirinë e shprehjes me fjalë e veprim.
Mirëpo – pashmangësisht MIRËPO - nga ana tjetër, satira e Charlie Hebdo-së më zhgënjen në përmbajtje edhe në formë. Vizatimet e tij nuk më duket se tejçojnë kumte që të frymëzojnë të bësh tënden një ide, nuk të nxisin të kuptosh më thellë a të transformosh sjelljen a qasjen ndaj botës, nuk stimulojnë mendimin kritik. Kur marr të këqyr disa prej karikaturave e kam të vështirë t’i shoh me admirim. Për më tepër s’më duken as zbavitëse, dhe nuk e kap dot humorin nëse kanë. Në vend që përmes kritikës të kenë objekt format e institucionalizuara të pushtetit, në vend që të përqeshin politikanë dhe celebritete mediatike, të venë në lojë arrogantët e të korruptuarit me pushtet, të fokusohen në probleme që lypin vemendjen e të gjithë shoqërisë e nxisin dialogun, përkundrazi karikaturat e Charlie Hebdo-së duket se kanë për objekt stigmatizimin e grupeve shoqërore vulnerabël nëpërmjet ridikulizimit të liderëve shpirtërorë (me anë të një gjuhe efikase siç është ajo e imazhit që i flet drejtpërdrejt emocionit dhe madje stimulon emocionet negative në këtë rast), gjë që s’ka si të mos shpjerë në thellim të diskriminimit dhe hendeqeve klasore, dhe rritje të ndjenjave të ostracizmit e përjashtimit te shtresat më pak të privilegjuara të shoqërisë. Një satirë e tillë, në vend që të jetë mjet kontribues në forcimin e demokracisë, përkundrazi kthehet në shkrepse për të ndezur zjarre duke provokuar antagonizëm, urrejtje e persekutim. Sa larg e sa i ndryshëm ky rol nga ai iluministëve të urtë francezë ndër shekuj!
Prandaj njësoj prerazi them “Unë s’jam ASPAK Charlie”, sepse nuk e gjej veten në përmbajtjen inflamatore, flakë-hedhëse, dhe intolerante të kumteve të Charlie-it, as pajtohem me lapsat e tij arrogantë. Vetë, edhe pse me prejardhje kristiane nga familjet e të dy prindërve, nuk e praktikoj besimin (edhe pse jam përpjekur pa sukses) edhe s’kam ndonjë ndjeshmëri personale ose sentimentale ndaj talljeve e përqeshjeve që u bëhen simboleve fetare dhe figurave spirituale, cilatdo qofshin, edhe pse fetë i çmoj e respektoj si sisteme simbolesh e kulturash që rrëfejnë historinë e psikologjinë e njeriut. Madje zor të më fyejë mëndonjë zhgarravinë, vignette, imazh a tekst cilidoqoftë.
Qëllimi i satirës është kritika fshikulluese, dhe satirën e krijuar me mjeshtëri si shprehje e antidogmatizmit, si mjet përçues i lirisë dhe demokracisë, si përcjellëse e të vërtetës që merr në pyetje status quo-në, si armë që sfidon pushtetin e forcat politike e çmoj fort, po aq sa shijoj dhe admiroj karikaturën shijehollë që përqesh për të zbuluar e kuptuar më mirë pikëpamje, sjellje, shprehi dhe dukuri shoqërore. Në këtë kuptim mendoj se satira si formë e lirisë së shprehjes nuk ka limit. Por megjithatë satirën e Charlie Hebdo-së, që vë në lojë në mënyrë të pahijshme simbole fetare, unë nuk e kuptoj. Edhe këtu nuk e kam fjalën për objektin e zgjedhur sesa e kam për metodën, për “SI” e bën diçka, për stilin dhe për atë që quhet “shije”. Karikaturat e Charlie Hebdo-së për fat të keq më duken si tallje veresie a provokacione pak të trasha ose bullying prej adoleshentësh të prapë a delinkuentë për të cilët ndoshta ende ka kohë t’i kultivosh e t’i kthesh në qytetarë normalë.
Dhe së fundmi, si t’ia bësh me lirinë e fjalës të divorcuar nga përgjegjshmëria? Ndoshta vështirë ta kundërshtosh Salman Rushdie-në kur thotë “askush s’ka të drejtë të MOS ofendohet”, sidomos në Amerikën Veriore ku shumëkush përdor pa një pa dy kartën e ofendimit brenda kornizës së “korrektesës politike”. Në të vërtetë është pikërisht frika nga ofendimi dhe sidomos klima fashiste anti liri shprehjeje që dominon burracakërisht në botën akademike dhe atë të korporatave, që i fut stërkëmbëshin artikulimit të së vërtetës duke bërë që vetë-çensura në diskursin public edhe më fort se çensura të bëhet mbytëse. Por kjo s’do të thotë nga ana tjetër se liria e fjalës është kategori bardhë e zi. Duket se gjendet midis nuancave të grisë. Për ta sqaruar këtë pikë më mirë le të marrim shembullin e njohur që juristi Oliver Wendell Holmes, Jr. përdori në vitin 1919. Dikush thërret “Zjarr! Ka rënë zjarr!” në një teatër të mbushur plot spektatorë. Imagjinoni sikur të ketë rënë zjarr me tëvërtetë. Në këtë rast liria për ta komunikuar këtë informacion, madje sa më parë që të jetë e mundur, do të ishte e dobishme për të shpëtuar jetë njerëzish. Por nëse dikush do të jepte kushtrimin “Alarm, këtu ka zjarr!” në një sale teatri të mbushur dingas me njerëz, ku në fakt NUK ka rënë zjarr, atëhere një gjë e tillë mund të shpinte në katastrofë – dihet sa të rrezikshme janë turmat në panik. Holmes e përdori shembullin e dytë për të nënvizuar se liria për të thënë gjëra të rrezikshme POR që janë false nuk mund të mbrohet ashtu siç do mbrojtur liria për të thënë diçka të vërtetë që është njëkohësisht edhe e rrezikshme.
Në këtë kontekst vallë si duhet vepruar kur nën çadrën e lirisë së fjalës, dikush të thotë “Unë s’jam Charlie, unë jam Kouachi”, ashtu sikurse komediani famëkeq Dieudonne tha këto ditë“Je suis Charlie Coulibaly” duke iu referuar terroristit Amedy Coulibaly? Si duhet vepruar sikur dikush të përdorë hapësirën publike për të thënë se është në anën e vrasësve të gazetarëve të Charlie Hebdo-së? Ç’vlerë të ketë në këtë rast liria e shprehjes dhe si e sa duhet respektuar e mbrojtur?
Pyetje turbulluese përnjimend, por të tilla që sugjerojnë se liriaefjalës lyp etikë e përgjegjshmëri personale, që do të thotë t’i dalësh zot asaj që shpreh duke pranuar e duke iu përgjigjur ballazi konsekuencave që vijnë bashkë me lirinë e kurajën për t’u shprehur! Përndryshe, në mungesë të përgjegjësisë personale që buron nga vetëdija etike, ka për të ndërhyrë shteti. E nëse shteti e administrata ndërhyn siç edhe ka ndërhyrë në këtë rast në Francë, (por edhe gjetiu në raste të tjera) atëhere liria e fjalës është në pikëpyetje. Edhe Charlie Hebdo – journal irresponsable, fatkeqësisht nuk ka ndikuar për mirë duke e minuar në fakt lirinë e shprehjes.
Toronto, 17 janar 2015
Comments
Pse moj zonje e nderuar nuk i

Pse moj zonje e nderuar nuk i bie shkurt arsyetimit tuaj ne kete shkrim?!

Problemi mund dhe duhet te ishte trajtuar shume thjeshte:

a. Liria e shprehjes eshte fitorja me gjigante e botes perendimore, qe konsiderohet dhe eshte e pacenueshme ...

b. Nuk eshte e urte dhe nuk duhet te tallesh me ndjenjat e tjetrit ( kupto edhe ato fetare)

c.POR. POR: Nuk mund te pranohet kurre qe i lenduari ne ndjenjat e tija te kunderpergjigjet me vrasje, dhune, terrorizem etj. Bota demokratike ku ke zgjedhur te jetoni ju nuk e pranon dhunen ! Kunderpergjigja ndaj fyerjeve qe lendojne ndjenjat fetare ( ne boten ku ju keni zgjedhur te jetoni dhe ku kishin zgjedhur te jetonin terroristet e Parisit ) pranohet te behet vetem ne rruge demokratike dhe ne perputhje me kushtetuten, dakord?

d. Te tjerat jane per te genjyer veteveten!

p.s.

Nuk mund te kuptoj se si ju keni arsyetuar duke u bazuar ne ' sharia' ! Moj zonje e nderuar, mblidhe mendjen, jemi ne vitin ne 2015 dhe jo ne vitin 640 , dhe jemi ne zemtren e Europes dhe jo ne zemren e vendeve islamike !

Analize e plote dhe realiste.

Analize e plote dhe realiste. Liria jote perfundon aty ku preket liria ime. Edhe deviza jote e shenjte "per lirine e shtypit" perfundon aty ku t'i prek shenjterine e tjetrit, "adhurimin e fese dhe profeteve te saj". "Liri do te thote pergjegjesi, prandaj shumekush i frikesohet asaj" - Xhorxh Bernard Shou. Por karikaturistet e "Charlie Hebdos" duket se e urrenin respektin per tjetrin dhe simbolet e tij. Ose se nuk u behej vone. Dhe autorja me te drejte denon me force reagimin kafsheror te vrasesve, por njekohesisht pranon ate qe ka thene edhe Papa: Liria ka nje kufi. Dhe nuk duhet perdorur si mjet per te fyer te tjeret. Ja dhe nje pasazh ne frengjisht nga njeri nga karikaturistet e mbijetuar te masakres ndaj mikut te tij te vrare:"Charb, mon frère, mon rédacteur en chef, mon ami, mon camarade de beuverie et je peux le révéler enfin, mon amant", a lancé avec humour le dessinateur. "Qu'est-ce qu'on s'est enc***", a-t-il ajouté avec le franc-parler qu'on lui connait.

Karikaturistët atë punë kanë

Karikaturistët atë punë kanë prandaj kanë atë profesion ndryshe do ishin bojxhin i pikturista edhe krishtin e kanë bërë por nuk u ngritë njeri për ti vrarë pandaj mësohuni se në shoqëritë demokratike ky është mentaliteti i jetesës në qoftëse nuk ju pëlqen mund të largoheni ose përshtatuni shoqërisë demokratite se ska për tu dalë keq

Add new comment