Burrel, familja Kurti përballë acarit në varfëri ekstreme

Ndërkohë që moti vazhdon prej ditësh të përkeqësohet duke izoluar fshatra e komuna, një familje ne qytetin e Burrelit po përballet me të ftohtin në kushte ekstreme varfërie.
Ndërsa dy prindërit përpiqen të sigurojnë bukën e përditshme, 4 fëmijët e vegjël të familjes Kurti mundohen t’i shpëtojnë sadopak të ftohtit, duke ndezur një zjarr të vogël në lokalin e vjetër ku janë strehuar.
E vetmja mënyrë për të siguruar pak të ardhura për këtë familje është shitja e druve, që dy bashkëshortët i sigurojnë në mal, në mes të dëborës, akullit dhe erës së ftohtë.
“Bëjmë dru çdo ditë, dy orë rrugë larg. Jemi gjashtë persona në shtëpi, ku çfarë bie jashtë na hyn brenda. Nuk marrim as ndihmë ekonomike asgjë. Bëjmë dy-tre thasë dru në ditë dhe i çojmë në Burrel, vetëm sa për të nxjerrë bukën e fëmijëve.”- tregon zonja Kurti.
Ndërsa çifti del çdo ditë në mal për të siguruar paratë e ushqimit, një fqinjë kujdeset për katër fëmijët e vegjël që jetojnë prej muajsh në një ambient të ftohtë e të vjetër.
Ballkanweb.com
Add new comment