Greqi, qeveria miratoi marrëveshjen e kredisë së re

Një program të ngjeshur legjislativ për miratimin e të gjitha çështjeve të pazgjidhura për marrëveshjen e kredisë së re, me afat përfundimtar fillimin e muajit prill, përcaktoi qeveria greke.
Sipas njoftimeve, nga përfundimi i këtij programi do të varet finalizimi i datës së zgjedhjeve, e cila sipas të njëjtit informacion, pritet të përcaktohet në fund të marsit.
Kryeministri, Lukas Papadhimos tha se nga muaji nëntor i vitit të kaluar që mori mandatin kjo qeveri, u votuan 23 projektligje, u miratuan 2 dekrete dhe u nënshkruan 5 konventa ndërkombëtare. Këtë periudhë diskutohen në Parlament 2 projektligje, 3 në Komisionet respektive dhe 3 të tjera tashmë janë në procesin e paraqitjes në Parlament. Mbeten ende 9 projektligje për miratim që Kabineti qeveritar të përfundojë veprën e tij.
Ndërkohë, kryeministri tha se në javët e ardhshme duhet të bëhen shumë gjëra nga Greqia, në lidhje me masat për të përmbushur detyrimet që ka ndërmarrë vendi.
Sipas vendimit për kredinë e re, shuma totale e financimit do të arrijë në 164,4 miliardë euro deri në vitin 2015.
I afrohemi fundit të përpjekjes së madhe për sigurimin e financimit të vendit për vitet e ardhëshme, tha ndër të tjera, kryeministri Lukas Papadhimos, në fjalën e tij të hapjes në mbledhjen e djeshme të kabinetit qeveritar.
Z. Papadhimos iu referua gjithashtu mbledhjes së sotme të FMN-së, duke vlerësuar se do të ketë një vendim pozitiv mbi pjesëmarrjen e Fondit në paketën e dytë financiare të mbështetjes së Greqisë, një kontribut që do të arrijë në 28 miliardë euro.
Pozitiv karakterizoi Papadhimos përmirësimin e vlerësimit të aftësisë kredituese të Greqisë me 6 pikë më lart, nga parashikimi i mëparshëm, nga Agjensia e Vlerësimit të Kreditit Fitch.
Duke komentuar mbi evenimentet me rastin e Festës Kombëtare të 25 Marsit, ai iu bëri thirrje të gjithë ministrave të kabinetit për të marrë pjesë në to, duke theksuar se duhet të gjithë të ndihmojnë në sigurimin e karakterit historik dhe unik të evenimenteve festive.
Ndërkohë miratimin zyrtar të paketës së ndihmës së re për Greqinë njoftoi dje edhe presidenti i Eurogroup, Jean-Claude Juncker, duke shtuar se zona e euros - dha dritën e gjelbër për të liruar 39,4 miliard euro për Greqinë.
Balllkanweb.com
Add new comment