Presidencialet SHBA 2012, Obama në avantazh ndaj Romney

Presidenti Barack Obama kalon në 7 pikë përqindje në avantazh, duke thelluar epërsinë e tij mbi kandidatin kryesor republikan Mitt Romney. Analistët mendojnë se presidenti aktual ka arritur të sigurojë mbështetjen e votueve të pavarur mes optimizmit në rritje për ekonominë amerikane, sic tregoi edhe sondazhi i Reuters/ Ipsos. Obama u mbështet nga 49 për qind e votuesve të regjistruar në një sondazh telefonik i kryer nga datat 3-7 maj, në krahasim me 42 për qind që mbështetën rivalin e tij të mundshëm në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Në prill, një sondazh i ngjashëm tregonte se Obama dhe Romni gëzonin respektivisht 47 dhe 43 për qind. Një shumicë e të anketuarve vlerësonte se Obama ishte më i fortë sesa Romney për tema të tilla si kujdesi shëndetësor, Afganistani dhe lufta kundër terrorizmit. Romney kishte një avantazh prej një pike ndaj Obamës për çështjen e emigracionit. Në një ndalesë në kuadër të fushatës në Michigan, Romney vijoi sulmet kundër Obamës, duke u thënë përkrahësve se presidenti ishte duke e shndërruar Amerikën si Evropa me nivele të larta borxhi dhe papunësie. "Ne e dimë se Amerika është duke shkuar në drejtim të gabuar. Jo përpara ... por anash. Ose më keq. Ne e dimë se borxhi është në rritje. Ky është një problem, jo një bekim. Ne e dimë që shkollat e dështuara nënkuptojnë të ardhme të dështuar. Ne e dimë se në qoftë se më shumë vende të mira pune ikin nga Shtetet e Bashkuara, nuk do të ketë mjaftueshëm punë të mira në Amerikë për ta cuar vendin përpara. E ndiejmë këtë në zemrat tona. Pësimet e katër viteve të fundit na mësojnë shumë për katër vitet e ardhshme. Tani është koha për ta rikthyer sërish Amerikën"- tha Romney. Kjo ishte paraqitja e parë e Romney në Miçigan që kur fitoi zgjedhjet paraprake në këtë shtet në shkurt. Ndonëse gara për presidencialet është përvijuar tashmë mes dy kandidatëve kryesorë, votimet paraprake vazhdojnë në kampin republikan. Në këtë kuadër janë mbajtur votime në Indiana, North Carolina dhe Uest Virginia. Albanian Screen
Add new comment