Kuotat e masterave. 16 mijë pranime, dominojnë profesionalet

Edhe këtë vit prioritet u është dhënë masterave profesionalë, në krahasim me ata shkencorë. Ky fakt bëhet i ditur nga kuotat e miratuara vetëm një ditë më parë nga Qeveria. Në rreth 16 mijë pranime që do të bëhen në ciklin e dytë të studimeve me kohë të plotë, kuotat për masterat profesionalë për kandidatët brenda vendit dhe jashtë, zënë një numër të konsiderueshëm që shkon në 9658 pranime, ndërsa për masterat shkencorë kjo shifër është rreth 7586 pranime.
Këtë vit, në morinë e masterave të miratuar, një numër i konsiderueshëm kuotash u është lënë të rinjve që vijnë nga shtresat në nevojë, të verbërve, romëve e egjiptianëve. Kuota të shumta ka dhe për ata që vijnë nga trojet, rreth 400 pranime në masterat profesionalë. Duke iu referuar kuotave të miratuara për masterat shkencorë e profesionalë, Universiteti i Tiranës renditet i pari për kuotat dhe numrin e programeve që ofron.
Programet që kanë më shumë pranime janë ato që lidhen më mësuesinë, historinë e gjeografinë si dhe me lëndët e ekonomikut e drejtësisë. Më pas, renditet ai Politeknik i Tiranës, Universiteti i Durrësit "Aleksandër Moisiu", ai i Elbasanit, Korçës dhe Gjirokastrës. Ndërsa për masterat shkencorë, një numër të konsiderueshëm pranimesh ka ai i Vlorës, Shkodrës, Universiteti Bujqësor i Tiranës si dhe Akademia e Arteve.
Përsa i përket tarifave, ato ende nuk janë miratuar, megjithatë burime pranë universiteteve thonë se tarifat e shkollimit për masterat do të ndryshojnë, duke pësuar një rritje. Kandidatët që u përkasin shtresave sociale të personave që nuk shikojnë dhe që nuk dëgjojnë, jetimet, fëmijët romë, apo fëmijët e policëve dhe ushtarakëve të rënë për shkak të detyrës si dhe fëmijët e të ish-të përndjekurve politikë, do të paguajnë një kuotë në masën 50 për qind të tarifës së shkollimit. Ndërsa studentët e shkëlqyer nuk e paguajnë tarifën e shkollimit, në vitin akademik 2012-2013.
Albanian Screen
Add new comment