Ripërtëritja e Greqisë, privatizimet dhe shitja e Atikës

Postuar në 24 Gusht, 2012 05:10

 Ndërsa takon kancelaren gjermane, Angela Merkel në Berlin në kërkim të shtyrjes së afateve për përmbushjen e reformave, kryeministri grek Antonis Samaras vazhdon përpjekjet mediatike për të nënvizuar progresin e bërë nga Athina. Gjatë një interviste për gazetën franeze "Le Monde", Samaras tha se rëndësinë parësore në ripërtëritjen e ekonomisë e kanë investimet, ndërsa planet e privatizimit nënkuptojnë shitjen e hekurudhës dhe të një pjese të gadishullit Atika.

Ai shtoi se Qeveria mund të lejojë shitjen e disa ishujve të pabanuar, përderisa kjo nuk do të cënonte sigurinë kombëtare. Takimi me Merkel cilësohet më i vështiri në agjendën e kryeministrit grek, pasi kancelarja konsiderohet si liderja më e rreptë në eurozonë sa i takon bindjes së masat e kursimit janë të domosdoshme për daljen nga kriza. Përpara takimit, Merkel është shfaqur e qartë se nuk e sheh pozitivisht kërkesën greke për më shumë kohë në zbatimin e kushteve të vendosura për paketën e dytë të shpëtimit. 

Merkel takoi presidentin Hollande të enjten, me të cilin deklaroi se e sheh të rëndësishme përmbushjen e të gjitha angazhimeve nga Greqia. Merkel theksoi se duhet pritur raporti i Trojkës për të parë rezultatet e Athinës, ndërsa takimi me samaras fokusohet në diskutimin e hapave të deritanishëm dhe nuk pritet të dalë me ndonjë vendim për zgjatjen e afatit. "Është e rëndësishme që ne të mbetemi besnikë ndaj angazhimeve tona dhe mbi të gjitha të presim raportin e Trojkës për të parë rezultatet e Athinës. Por, ne inkurajojmë Greqinë të vazhdojë në rrugën e reformave",-tha ajo. 

Volker Kauder, kreu i grupit parlamentar të konservatorëve të merkel në Parlamentin gjerman deklaroi në një intervistë televizive se as afatet dhe as përmbajtja e paketës së shpëtimit për Greqinë nuk do të mund të rinegociohen, madje sipas tij edhe një "greek exit" nuk do të ishte problem për zonën euro. Nga ana e tij, presidenti francez Hollande, i cili pret Samaras të shtunën në Paris, i mëshoi idesë se Greqia duhet të mbetet në euro, duke shtuar se sigurisht Athina duhet të bëjë të gjitha përpjekjet e domosdoshme që kjo të ndodhë.

 

Juli Prifti

 

 

Albanian Screen 

 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.