Fakulteti pa laboratorë. Dekani Hoxha apel për fonde

Nuk mund të bëjnë mësim apo kërkim shkencor pa laboratorë. Kjo është deklarata që vjen nga dekani i Fakultetit të Gjeologji- Minierave, Përparim Hoxha, i cili shprehetse edhe këtë vit akademik fakultetit që ai drejton do t'i mungojnë laboratorët. Ai thotë se studentët çdo vit përballen me vështirësi nga më të ndryshmet e cila ndikon ndjeshëm në arsimimin e tyre për të mos folur më tej për pedagogët të cilët nuk kanë asnjë lloj ambienti për të kryer studime kërkimore.
"Le të mos gënjejmë veten edhe të tjerët. Ne e shohim çdo ditë e më shumë këtë fakt që mungesa e bazës laboratorike ndihet jo vetëm në rezultatet e procesit mësimor, por edhe në pregatitjen e nivelit të diplomës, qoftë të nivelit Bachelor, qoftë të nivelit Master. Pa një bazë laboratorike e kemi të pamundur të zhvillojmë kërkim shkencor dhe pastaj të interpretojmë rezultatet e këtij kërkimi me një punim diplome"- tha Hoxha.
Dekani shprehet se deri tani nevojat janë plotësuar me donacione nga projekte të ndryshme ndërkombëtare. Ai thotë se të gjitha instancat përkatëse duhet t'i lënë më shumë buxhet kërkimit shkencor e në veçanti ndërtimit të laboratorëve specifikë në fakultete të ndryshme.
"Mungesa e fondeve është kryesorja. Dëshira mund ta kemi të madhe, por defakto këto dy- tre vitet e fundit apo mos më shumë sasia e fondeve financiare që kanë ardhur në universitet për infrastrukturë kërkimore ka qenë e kufizuar. Kemi parashikuar sasinë e fondeve që kërkon ky fakultet dhe laboratore konkretë ku ne duam të orientojmë të paktën për një zhvillim 10-vjeçar. Sasia është e tillë që ne na duhen të paktën rreth 10 milionë euro vetëm për laboratore"- tha Hoxha.
Kërkimi shkencor në vendin tonë prej disa vitesh është pjesë e buxhetit që alokohet për arsimin. Tani i takon ministrisë së Arsimit të ndajë fondin e vënë në dispozicion për studimet shkencore. Një vit më parë nga buxheti që miratoi qeveria për arsimin fondi për shkencat kapi shifrën e 6 milionë dollarëve.
Albanian Screen
Add new comment