Poliklinikat pa mjekë të specializuar

Mjekët e familjes në Tiranë nuk njohin dhe nuk respektojnë protokollet klinike as për disa sëmundje që sot po shqetësojnë mbarë botën, si diabeti. Gjatë një anketimi që është bërë me mbi 200 mjekë familjeje në qendrat e parësorit në kryeqytet u vu re se një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk zbatonin si duhet rregullat për diagnostikimin e kësaj sëmundjeje. Sipas mjekëve që realizuan studimin, shumë prej kolegëve të tyre as vizitën me pacientin nuk e kryejnë siç duhet.
"Rezultatet erdhën që një pjesë e konsiderueshme e mjekëve kishin njohuri dhe e praktikonin por një pjesë tjetër goxha e madhe që nuk kishin njohuritë e mjaftueshme. Për të ditur se sa e kuptojnë kush është lipidograma dhe sa e rëndësishme është në këtë rast, sa janë normat dhe si duhen ato të vlerësohen të glicemisë në të dyja nivelet, esëll dhe pas ushqimit", tha Ramiz Kërnaja, drejtor i qendërs shëndetësore numër 6.
Studimi nënvizon gjithashtu se është nevojë urgjente që mjekët e familjes të mos mjaftohen vetëm me arsimin dyvjeçar, por duhet të trajnohen vazhdimisht.
"Pavarësisht se mjeku i familjes është një rol strategjik në sistemet shëndetësore duhet të vazhdojë akoma më shumë nëpërmjet trajnimeve. Do të thotë që të ketë mundësinë e njohjes më të madhe, të ketë mundësinë e përmirësimit të punës së tij për të ofruar një shërbim më cilësor", thotë Kërnaja.
Gjatë këtij studimi u vu re se mbi 50 përqind e mjekëve të familjes në qendrat shëndetësore tek pacientët me diabet të tipit 2, nuk e kryejnë kontrollin e këmbëve sa herë që këta pacientë paraqiten për vizitë. Ndërsa kontrollin e syve apo lipidogramën, nuk e kryenin rreth 30 përqind e mjekëve.
Albanian Screen
Add new comment