Endrit Dokle dënohet për herë të dytë, drejtonte nga paraburgimi trafikun e heroinës

Endrit Dokle, i njohur si një nga krerët e “Bandës së Durrësit” është dënuar sërish nga drejtësia shqiptare. Gjykata e Krimeve të Rënda e ka shpallur Doklen fajtor dhe dënuar me 16 vjet burg për akuzën e trafikut të drogës. I njëjti dënim është dhënë edhe për Izet Krasniqin. Sipas organit të akuzës, megjithëse i arrestuar, Endrit Dokle, ka arritur të trafikojë dhe shpërndajë lëndë narkotike. Nga qelia e paraburgimit 313 dhe nga Burgu 325, Dokle ka arritur të gjejë lëndën narkotike dhe personat e duhur që ta transferonin jashtë vendit në një treg më të madh.
Ndërkohë për Doklen, në verën e vitit 2012, e njëjta gjykatë ka vendosur dënimin me burgim të përjetshëm. Ai cilësohet si një nga kapot e “Bandës së Durrësit”, mbi të cilën rëndojnë akuzat për të paktën 9 vrasje, rrëmbime personi, trafik droge e femrash. Dokle mori dënimin maksimal burgim të përjetshëm, bashkë me Lulzim Berishën, Indrit Taullain, dhe të shumë kërkuarin Plaurent Dervishajn. Edhe për të penduarin Adriatik Coli u vendos burgimi i përjetshëm, por për faktin se ky i fundit ka bashkëpunuar me drejtësinë, gjykata e Krimeve të Rënda vendosi ta dënoi përfundimisht me 10 vite burg.
Banda kriminale ka nisur të veprojë në Durrës prej vitit 1998, kur Lulzim Berisha, në bashkëpunim me Plaurent Dervishaj, Adriatik Colin, Klodian Saliun dhe Ilir Xhungën vranë me armë zjarri Dritan Sallakun. Seriali i vrasjeve u bë edhe më i qartë kur në pranverën e vitit 2006 u arrestuan shtatë persona, mes të cilëve katër të akuzuar si vrasës me pagesë. Njëri prej tyre, Adriatik Coli u pendua dhe bashkëpunoi me drejtësinë pas riatdhesimit nga Italia, duke treguar një pjesë të mirë të shkaqeve dhe autorëve të ngjarjeve kriminale.
SHQIP
Add new comment