Legalizimet, pronarët do i marrin paratë për 5 ditë

Qeveria miratoi dje ndryshimet në vendimin e vitit 2010, që detyron Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të kryejë kompensimin financiar për pronarët dhe trashëgimtarët, brenda 5 ditëve nga dalja e listës zyrtare me emrat e përfituesve.
Në total, sipas Këshillit të Ministrave, do të përfitojnë shpërblimin financiar rreth 4577 pronarë, trualli i të cilëve është prekur nga ndërtimet informale. “AKKP-ja, brenda 5 ditëve nga miratimi i kërkesës dhe listës së subjekteve që kompensohen, kryen veprimet me Degën e Thesarit dhe bankën e nivelit të dytë për derdhjen e shumës në depozitën bankare, të hapur për këtë qëllim nga subjekti përfitues, në përputhje me procedurat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit”, thuhet në vendimin e ndryshuar të qeverisë.
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do të shpërndajë fondin prej rreth 1 miliard lekësh, për subjektet e prekura nga ndërtimet informale. Lidhur me këtë vendim, Kryeministri Berisha u shpreh se numri i pronarëve dhe trashëgimtarëve që fitojnë nga ky vendim është 4577. Sipërfaqja e shpërblyer është 643000 e 728 metra katrorë. Vlera e shpërblimit 9 milionë dollarë.
PANORAMA

Add new comment