Berisha dorëzohet, heq taksën e sheshtë për pagat e ulëta, siç propozoi PS

Postuar në 28 Janar, 2013 13:45

 

Kryeministri Sali Berisha heq dorë nga taksa e sheshtë për pagat e ulëta duke iu kthyer tatimit progresiv, siç ka propozuar opozita. Pas një presioni njëvjeçar kundër taksës së sheshtë në taksimin e rrogave, opozita ka arritur fitoren e parë në prag të zgjedhjeve, duke i imponuar qeverisë programin e saj. Qeveria ka vendosur të miratojë sot me ligj që rrogat deri 30 mijë lek (të reja) nuk do tatohen më me 10% e tatimit mbi të ardhurat.

Ky vendim është marrë pasi Berisha ka kundërshtuar ashpër për gati një vit tatimin e shkallëzuar për pagat e ulëta dhe e ka quajtur atë marksist.

Vendimi i sotëm i qeverisë vjen në fillim të vitit elektoral dhe pas presionit të gjatë të opozitës, e cila e ka pjesë të programit të saj këtë shkallëzim në taksa.

Opozita ka këmbëngulur për një kohë të gjatë se taksa e sheshtë rrënon të ardhurat e shumicës së popullsisë, e cila ka një pagë rreth 30 mijë lek.

Rama për heqjen e taksës së sheshtë një javë më parë

Një javë më parë Berisha dhe Rama patën shkëmbyer publikisht akuza për taksën e sheshtë për biznesin e vogël dhe pagat e ulëta. Në një reagim publik, Rama tha se taksa e sheshtë trefishon barrën e taksave mbi biznesin e vogël.

“Ne ia kemi thënë kësaj qeverie qysh prej vitit 2007, që taksa e sheshtë 10% që vuri për biznesin e vogël duke e deri trefishuar barrën mbi biznesin e vogël, do të sillte pasoja rrënuese mbi këtë biznes në vite dhe ky është padyshim viti më i keq në historinë e biznesit të vogël në Shqipëri. Qeveria duhet të veprojë me shpejtësi tani, dhe ta bëjë zero taksën e biznesit të vogël, pa humbur kohë me trillime dhe me marrëzira kundër opozitës që ngulmon fortë në zerimin e kësaj takse,” deklaroi Rama.

Berisha ka ironizuar Ramën për taksën e sheshtë

Berisha vetëm një javë më parë ka sulmuar ashpër Ramën për taksën progresive. “Natyrisht çdo taksë është një barrë për qytetarin, por ndryshe nuk funksionon dhe rëndësi më të jashtëzakonshme ka shpërndarja. Dhe ne sot kemi një certifikatë, kemi një pasaportë nga grupet më të fuqishme të konsulencës ku Shqipëria renditet e katërta në botë për shndërrimin e zhvillimit në mirëqenie, kjo e irriton z.Rama, e irriton shumë. Kjo është e vërteta, të vërtetat duhen pranuar. Ajo çka fakton ky studim është se, një taksë është e rrezikshme, kjo është taksa Koleka apo taksa progresive. Jo thotë ai, përkundrazi, nëpërmjet saj ti vetëm sa përpiqesh të arrish në një barazi, e thellon më shumë pabarazinë. Prandaj ky parim thotë se, ky parim duhet harruar. Ky në një anë thotë nuk e kam dajë. E dinë gjithë bregu, historinë e dajave të tij”, u shpreh Berisha, duke u shprehur se taksa progresive përbën kërcënim serioz për biznesin.

Sot ka bërë krejt të kundërtën, për fat të mirë.

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.