Dule: Jemi pranë koalicionit me LSI dhe FRD

Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, e sheh veten në një pol të tretë me LSI-në dhe FRD-në në zgjedhjet e 23 qershorit. Sipas Dules, koalicioni i PS me 26 parti i ngjan një panairi ku çdo parti kërkon të shesë veten me një çmim më të lartë.
“Është ende herët për ta thënë një aleancë me LSI-në dhe FRD-në, por nuk do të vonojë edhe shumë. Koha po ikën dhe afatet ligjore janë më të afërta në zgjedhjet e sivjetshme, dhe besoj se do të kemi shumë shpejt konkluzione. Sot zhvillimet politike e kanë bërë realisht të mundshëm një zhvillim të tillë, por s’duhet harruar se mundësitë teorike duhet të shoqërohen edhe me veprime konkrete politike”.
Sipas Dules, në koalicion me PS-në “nuk do të kishim asnjë rezervë pranie dhe kontributi në një koalicion , pasi ishte rënë dakord paraprakisht për bashkëpunime konkrete. Takime formale pa përmbajtje, pa objektiva, thjesht për të krijuar sensacion mediatik, nuk janë në natyrën e partisë sonë”.
Duke komentuar koalicionin e PS-së me tre parti komuniste, Dule shton se: “Më kujtojnë këto histori bashkimesh krejtësisht artificiale, ato situata panairesh, ku e vetmja gjë që i bashkon është se të gjithë pretendojnë të shesin me një çmim pak më të lartë, dhe në këtë rast veten. Nuk ndryshon asgjë. Situata nuk merret bardhë e zi, ku në analizën e zgjedhjeve 2009-ës ku u kritikua PS se nuk arriti të krijojë një tren aq të gjatë sa dhe PD. Por, vagonët pa përmbajtje thjesht ulin shpejtësinë që gjeneron lokomotiva. Janë vagonët me përmbajtje ata që maksimalizojnë energjitë e konsumuara dhe shpeshherë mungon racionaliteti i gjykimit dhe vlerësimi i këtyre raporteve”.
Dule shprehet se bllokimin e statusit ua faturon të gjithëve.
“Duhen dy gjithmonë për një tango dhe fatkeqësisht ajo që duhej bërë, ne nga pozitat tona kemi insistuar, por asnjëherë nuk u dëgjuam, është se integrimi europian i vendit duhej të kishte dalë përtej dhe mbi axhendat partiake të ballafaqimit të ditës me konsensusin e dy partive të mëdha. Fatkeqësisht nuk ka ndodhur, por ende nuk është vonë. Procesi integrues nuk është disamujor, apo disavjeçar. Nuk mund të jetë i këtij mandati qeverisës apo i atij të ardhshëm”, shprehet Dule në gazetën Panorama.
Dule deklaron se janë ndjerë krenar dhe shumë komodë pas shkëputjes së bashkëpunimit me mazhorancën.
TEMA
Add new comment