Taçi për Reuters: Jam habitur nga vendimi i qeverisë për të nisur negociatat me kinezët

Postuar në 08 Shkurt, 2013 14:36

 

Reuters

Shqipëria ka shfuqizuar ofertën fituese prej 850 milion euro nga Vetro Energy për të blerë kompaninë e naftës, Albpetrol. Firma shqiptaro- amerikane dështoi në pagesën fillestare, bëri të ditur Ministria e Energjetikës.

Ministri Edmond Haxhinasto tha në televizionin kombëtar të premten se qeveria ka vendosur që ta quajë të pavlefshme ofertën e parë, pasi Vetro nuk pagoi dot 170 milion euro, e barabartë me 20 përqind të ofertës.

Vetro kishte kërkuar një shtyrje, por sërish nuk arriti të paguajë në një afat të dytë më 3 dhjetor.

Çmimi i rënë dakord, i barabartë me rreth 10 përqind të prodhimit të brendshëm bruto të Shqipërisë, do të kishte qenë një fat i papritur për shtetin ballkanik, që mund të përdorte paratë për të reduktuar deficitin buxhetor dhe borxhin publik.

“Ky vendim i qeverisë autorizon grupin e negociatorëve që të vazhdojnë të vlerësojnë ofertat e tjera,” tha për Top Channel Haxhinasto, që shërben edhe si zëvendëskryeministër.

Konsorciumi kinez, Win Business, me një ofertë prej 298 milion euro, është i dyti në radhë dhe pret të nisë negociatat. Ai pasohet nga Bankers Petroleum e Kanadasë, që ka ofruar 106 milion euro.

Qeveria ka ofruar për shitje të gjitha asetet nën tokë të Albpetrol, të drejtën për të eksploruar dhe shfrytëzuar naftën e gazin për 25 vjet dhe licencën për të ndërtuar një rafineri për transport dhe shpërndarje gazi.

Një burim i afërt me aksionarin kryesor të Vetro Energy, biznesmenin Rezart Taçi, tha se grupi ishte habitur nga vendimi për shkak se ata po punonin për të finalizuar marrëveshjen.

Një vendim i tillë nuk gjendet në faqet në internet të qeverisë, ku publikohen zakonisht njoftime të tilla.

Qeveria e anuloi marrëveshjen pasi e priti Vetro për dy muaj dhe ndërkohë që ka nisur përgatitjet për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit.

 

 

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.