Parashikimi i qeverisë: Borxhi publik do arrijë në 10 miliard dollarë, nga 3751 USD për person

Borxhi publik pritet të arrijë në 10 miliardë dollarë në fund të vitit 2016. Parashikimi i qeverisë në planin ekonomik për vitin 2014-2016 e rrit atë me gati 1.2 miliardë dollarë, krahasuar me vitin 2012.
Pra, çdo shqiptar deri në fund të 2016-ës do të ketë në “kurriz” një borxh prej 3751 dollarësh.
Por pagat e ulëta pritet që të kenë një rritje me gati 5 përqind, ndërkohë që pagat e larta një indeksim me gati 2 përqind.
“Qeveria në programin e saj trevjeçar jep edhe detajet. Në vitin 2013, shpenzimet e buxhetit do të synojnë një rritje të diferencuar të pagave në disa sektorë prioritarë në një nivel nga 2-5 për qind”, thuhet në këtë program të miratuar pak kohë më parë nga qeveria.
Trajtimi me prioritet dhe në mënyrë të diferencuar i disa sektorëve pritet që të vijojë edhe në vitin 2013 e në vitet e tjera, dhe këta sektorë janë arsimi dhe shëndetësia. Respektivisht, për këta dy sektorë rritja do të variojë mes 3-4 për qind. Pagat e ulëta gjithashtu do të kenë prioritet me një rritje më të lartë sesa të tjerat. Kjo rritje parashikohet të jetë 5 për qind.
“Në vitin 2016 shpenzimet parashikohen 446 miliardë lekë dhe do të ketë rritje të diferencuar të pagave dhe pensioneve. Shpenzimet e administratës për periudhën 2014-2016 parashikohen që të jenë në linjë me politikën e rritjes së diferencuar të pagave në sektorët prioritarë. Prandaj, në këtë periudhë trevjeçare ato parashikohen që të mbajnë një nivel rritjeje prej 5 për qind të GDP-së”, thuhet në planin e qeverisë që citohet në gazetën Panorama.
Kryeministri Sali Berisha, vetëm pak ditë më parë, në daljen e tij publike me presidentin e BERZH, e konsideroi borxhin si pa risk edhe pse ai ka arritur në nivelin 63.8% dhe nga Banka Botërore kërkohet ulje deri në nivelin 40%.
TEMA
Add new comment