SHBA dhe Britania, apel shtetasve: Kujdes! Në Shqipëri priten protesta

Postuar në 11 Shkurt, 2013 07:39

 

Ndërkombëtarët, të alarmuar për situatën e krijuar pas lirimit të 2 gardistëve

http://gazeta-shqip.com/lajme/wp-content/themes/gazeta-e-re/...); background-color: rgb(255, 255, 255); color: rgb(85, 85, 85); line-height: 19px; background-position: 0px 20px; background-repeat: no-repeat no-repeat;">

Stano - Zëdhënësi i komisionierit për Zgjerimin, deklaroi se vendimi për lirimin e dy gardistëve është mbajtur shënim nga KE-ja, por është në proces apeli, nuk ka përfunduar ende

Apeli - Stano bëri të ditur se KE-ja ka mësuar se vendimi i së enjtes është subjekt i një apelimi, duke lëshuar apelin se “prandaj është e udhës të ndalohet çdo polarizim i kësaj çështjeje”

Faksimilet - Lart janë faksimilet e njoftimeve të dy ambasadave të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe në Tiranë

BLEDAR HOTI

Ndërkombëtarët janë shqetësuar për situatën e krijuar në Shqipëri pas vendimit të Gjykatës së Tiranës për lirimin e dy të akuzuarve për vrasjen e 4 protestuesve të 21 janarit 2011. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe paralajmërojnë qytetarët e tyre që jetojnë në Shqipëri të kenë kujdes pas këtyre zhvillimeve të ndodhura, të cilat kanë çuar situatën në një nivel alarmi, për sa i përket mundësisë për acarim të situatës politike në vend. Menjëherë pas shpalljes së vendimit për lirimin e komandantit Ndrea Prendit dhe të Agim Llupos, ambasada amerikane në Tiranë paralajmëron shtetasit e saj, me anë të faqes zyrtare në internet, që të kenë kujdes. “Ambasada e SHBA-së paralajmëron qytetarët amerikanë për mundësinë e manifestimeve spontane si kundërpërgjigje ndaj vendimit të fundit të Gjykatës së Rrethit të Tiranës ndaj dy personave që ishin nën hetim për rolin e tyre në manifestimet e dhunshme të 21 janarit 2011. Ndërsa nuk ka demonstrata të planifikuara në këtë kohë, ne nxisim qytetarët amerikanë të mbeten vigjilent, ndërsa udhëtojnë në zonën e Tiranës”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane. Më pas, njoftimi i ambasadës amerikane, i dhënë nëpërmjet faqes zyrtare, u kërkon qytetarëve të saj të kenë kujdes dhe të shmangin rrugët kur mund të ndërmerren këto protesta spontane, pasi ato mund të nisin si paqësore, por mund të tejkalojnë në dhunë. “Rishikoni planet tuaja personale të sigurisë; jini të vetëdijshëm për ambientin përreth, duke përfshirë edhe ngjarjet lokale dhe monitorimin e stacioneve lokale të lajmeve për përditësime. Mbani një nivel të lartë të vigjilencës, merrni masat e duhura për të rritur sigurinë tuaj personale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale”, thuhet në njoftimin e datës 7 janar të ambasadës amerikane. Ky është një njoftim disi i veçantë, pasi ambasada amerikane paralajmëron shtetasit e saj që të jenë të kujdesshëm, pa pasur njoftime për zhvillime protestash. Situatën jo shumë normale e shfaq edhe ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë, ku u kujton qytetarëve të saj të kenë kujdes se 2013-a është vit zgjedhor dhe se pritet një tensionim i situatës politike. “Tensionet midis grupeve fetare dhe shprehje të pikëpamjeve ekstremiste janë shumë të rralla, qëndrimet ndaj vendeve perëndimore janë jashtëzakonisht pozitive. Megjithatë, atmosfera politike është e tensionuar në prag të zgjedhjeve të përgjithshme në qershor 2013. Kini kujdes dhe shmangni demonstratat apo turmat e mëdha”, thuhet në njoftimin e ambasadës britanike, të botuar në faqen e saj elektronike.

Reagimi i BE-së

Peter Stano, zëdhënësi i komisionerit për Zgjerim, Stefan Fyle, në një intervistë telefonike për “Top Channel”, rithekson pozicionin e Komisionit Europian pas vendimit të Gjykatës së Tiranës për 21 janarin. Fillimisht, ai i përgjigjet pyetjes nëse ky vendim ishte në përputhje me kërkesat e vazhdueshme të komisionit për një proces të drejtë e të ndershëm. “KE-ja ka ndjekur me vëmendje procesin e 21 janarit pas atij zhvillimi tragjik. Dua të rikujtoj se në progres-raportin tonë të fundit, për Shqipërinë në tetor ne kemi bërë thirrje për përfundimin e një procesi të besueshëm. Kjo tregon sa nga afër ne jemi duke e ndjekur këtë rast, që dëshmon sa me rëndësi është për ne sesi sistemi i drejtësisë është duke funksionuar përfshi këtu edhe zbatimin e shtetit ligjor. Kjo natyrisht është një çështje me rëndësi. Kemi mësuar se vendimi i së enjtes është subjekt i një apelimi. Prandaj është e udhës të ndalohet çdo polarizim i kësaj çështjeje”, deklaroi Stano. Komisioni ka ndjekur me vëmendje çështjet gjyqësore, si shpërthimi i Gërdecit, gjyqi Meta-Prifti, atë të 21 janarit dhe çështje të ngjashme. “Zbatimi i shtetit ligjor është një prej principeve themelore të BE-së, përfshi këtu edhe zgjerimin ku janë përfshirë disa vende. Pa dashur të komentoj çështje specifike, siç ju përmendët, dua të përsëris në emër të KE-së, se kemi kërkuar që sistemi i drejtësisë duhet të jetë i lirë, i pavarur dhe llogaridhënës, që siguron gjykime të drejta. Kjo është e domosdoshme për qytetarët shqiptarë, pasi është një element parësor i shtetit ligjor. Kjo është ajo çfarë duhet të bëjë çdo vend që aspiron BE-në. Ne e kemi mbajtur shënim vendimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës dhe është subjekt i një apeli, që do të thotë se procesi do të vijojë, pra s’ka përfunduar 100%. Sesi funksion drejtësia dhe shteti ligjor, janë të rëndësishme për ne. Siç e kemi thënë në progres-raport, ne shpresojmë që për 21 janarin të zhvillohet një proces me kredibilitet. Kjo është ajo që presim të ndodhë”, shtoi Stano.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.