Policia e pranon edhe vetë: Në Tiranë çdo 34 minuta ndodh një krim

Ndoshta krejt rastësisht, policia e qarkut Tiranë ka publikuar sot në faqet e gazetës qeveritare Panorama shifra dhe statistika të frikshme të krimit.
Krimi kundër pronës është kthyer në një shqetësim serioz për shkak të numrit të lartë të vjedhjeve. Gjatë vitit të kaluar në territorin e Tiranës, sipas policisë, u regjistruan 1346 vjedhje, nga të cilat 166 ishin me dhunë dhe armë, tre prej tyre me pasojë vdekjen.
Gjatë këtij viti, nga data 1 janar e deri mbrëmjen e së shtunës, sipas statistikave, në kryeqytet kanë ndodhur 222 vjedhje, që e thënë ndryshe rezulton që çdo ditë të ndodhin rreth 6 vjedhje.
Mesatarisht në një ditë në Tiranë vidhet më shumë se një banesë, mbi 2 biznese private dhe më shumë se një automjet. Të gjitha këto pa llogaritur vjedhjet që mbeten në tentativë, qoftë për shkak të përleshjes së autorëve me të dëmtuarit, që në disa raste përfundojnë edhe të plagosur për shkak të rezistencës që bëjnë.
Shifra më e lartë e vjedhjeve të ndodhura gjatë 40 ditëve të këtij viti i korrespondon vjedhjes së bizneseve private. Numërohen 73 biznese që janë vjedhur me thyerje apo me armë nga persona, pjesa më e madhe e të cilëve nuk janë identifikuar. Sipas ekspertëve të Policisë së Tiranës, bizneset që bien pre e grabitësve janë kryesisht argjendaritë, lokalet e basteve sportive, por edhe kompani të ndryshme private, si dhe dyqane ushqimore e farmaci. Nëse u shton këtyre shifrave edhe krimet e padenoncuara, kërcënimet, vetëgjyqësinë dhe ushtrimit të dhunës statistikat bëhen me të vërtetë lebetitëse.
Dhe po ta mendosh pak më thellë, gjithë kjo paradë krimesh parakalon pasarelave të vendit tonë, qeveria e të cilit e renditet direkt pas Zvicrës për mirëqenie dhe paqe sociale.
TEMA
Add new comment