Balla: Vendimi për 21 janarin u mor në zyrën e Halimit. Gjykatën e drejton asistenti i Argitës

Postuar në 13 Shkurt, 2013 07:45

 

Deputeti socialist, Taulant Balla, ka thënë se vendimi për 21 janarin është marrë në zyrën e ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi.

Duke folur për Ora News, ai është shprehur se nuk mund të kihet besim tek Gjykata e Tiranës, kur në krye të saj është asistenti i Argita Berishës.

“Vendimi i gjykatës për 21 janarin ishte një vrasje e dyfishtë. Ekspertiza e FBI vërtetoi që nga pistoleta e dy të akuzuarve gjetën vdekjen katër protestues. Ky krim që kishte këta ekzekutorë, është një krim i pandëshkuar. Këtu ndodhi dhe një akt tjetër i rëndë lidhur me besueshmërinë e partneritetit të zyrës së hetimeve në Shqipëri që kërkoi ndihmën e SHBA, si dhe kapja mafioze të gjyqësorit. Vendimi për 21 janarin është marrë në zyrën e ministrit të Drejtësisë. Drejtësia në nivelin e parë ka rënë, pasi në krye të Gjykatës së Tiranës është një individ që është asistent i Argita Berishës. Rasti i vendimit të 21 janarit është një vendim i turpshëm, por nuk mbaron këtu historia. PS e ka prioritet zbardhjen e 21 janarit dhe vendosjen para përgjegjësisë së autorëve. Edhe 134 ditë na ndajnë nga dita kur në këtë vend do rilindë Shqipëria dhe drejtësia e munguar. Askush s’do shpëtojë nga drejtësia, përfshirë këtu ekzekutorët apo urdhëruesit e vrasjeve. Në vend nuk ka pushtet gjyqësor. Pushteti gjyqësor është nën thembrën shtypëse të Sali Berishës. Ditën kur do çlirohet gjyqësori nga ky kontroll i ashpër do ketë mundësi që gjykimi të bëhet ashtu si duhet, të rimerren në vlerësim ekspertiza e FBI dhe provat e nxjerra nga Prokuroria, të cilat nuk janë marrë fare në konsiderate”, deklaroi Balla.

Përkundrejt revoltës, të cilën deputetët e PS e reflektuan edhe ditën e vendimit në Kuvend, duket se PS nuk ka ndërmend t’i kthehet bojkotit parlamentar.

“Qëndrimi i grupit parlamentar të PS është në të njëjtën frekuencë shqetësimi me SHBA dhe KE, që kanë shprehur shqetësimin për vendimin e gjykatës. Beteja jonë politike vazhdon, jo vetëm në Kuvend, por dhe në terren. Shqiptarët e dinë se ky pushtet uzurpues i drejtësisë mund të largohet dhe do largohet me votë në 23 qershor. Ne vazhdojmë punën tonë në Kuvend dhe në terren”, tha ai.

Deputeti socialist mohoi akuzat se PS po e përdor këtë çështje për përfitim elektoral, duke theksuar se drejtësia për 21 janarin është një gur i rëndësishëm në ndërtimin e një shteti demokratik.

“Zbardhja e 21 janarit ka të bëjë me bindjen tonë të thellë, moralin tonë politik. Drejtësia e 21 janarit është gur i rëndësishëm në ndërtimin e këtij shteti, të shtetit demokratik. Drejtësia do të fillojë nga zbardhja e një krimi shtetëror. Pa u dënuar urdhëruesit dhe vrasësit e 21 janarit nuk ka shtet, nuk ka zhvillim të qëndrueshëm të institucioneve. Rilindja shqiptare pas 23 qershorit është në rrugë të mbarë”, theksoi Balla.

E ndërsa vënia e drejtësisë pas 23 qershorit duket larg në kohë, Balla vlerësoi se është detyrë e Prokurorisë së Përgjithshme, me në krye kryeprokurorin Llalla, ta ankimojë vendimin në apel, ndërsa e parashtroi të vështirë proceduralisht shtimin e elementëve të tjerë të aspektit hetimor.

“Prej ditësh dëgjoj se do ta çojë Prokuroria, s’do ta çojë. Kjo është një çështje që s’duhet të vihet në diskutim. Është çështja më e rëndësishme në këto 20 vjet sa i takon rëndësisë. Jam i bindur se Prokuroria do ta çojë. Sa i përket çështjeve të tjera të aspektit hetimor, Prokuroria përgatiti një material të plotë hetimor, që e paraqiti para gjykatës së shkallës së parë dhe proceduralisht është vështirë të shtosh pika të tjera.  Ka raste të tjera të pazbardhura, komandanti i gardës, një oficer i gardës dhe shoferi i komandantit të gardës. Tjetër element i pazbardhur është përdorimi i lëndëve kimike. Ende se dimë ça kanë hedhur, por na janë dashur ditë të tëra ta marrim veten, nuk është hetuar fare nga Prokuroria. Nuk është hetuar dhuna barbare e individëve me uniformë dhe pa uniformë  që u hodhën mbi popull natën e 21 janarit. Dhe e treta, ka ndodhur krim shtetëror. Si i tillë ka fajtorë urdhëruesit. Por ajo që kemi sot në gjykatë është se provat janë, tre gjyqtarë të korruptuar morën atë vendim që morën, në respekt edhe të shqetësimit të shprehur nga ndërkombëtarët  është një procedurë që vazhdon, por gjithçka lidhet me domosdoshmërinë e një rilindje shqiptare”, tha më tej ai.

Sa i përket hetimit të organizatorëve, Taulant Balla deklaroi se çështja kundrejt tyre tre deputetëve të PS, përfshirë edhe ai, nuk u amnistua. Sipas tij, në asnjë hetim të Prokurorisë nuk rezultoi asnjë element penal në veprimet organizatore të deputetëve të PS për t’u marrë si të pandehur.

   TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.