BE: Jemi të shqetësuar nga Berisha

Pas Uashingtonit, edhe Brukseli kundër idesë për dhënien e shtetësisë
Ylli Pata
Chountis - Relatori i Parlamentit Europian për Shqipërinë është eurodeputeti grek Nicolaus Countis, i cili i përket opozitës së Syrisa-s
Menjëherë pas Uashingtonit ka ardhur kundërshtimi i fortë i Bashkimit Europian në lidhje me propozimin e Kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, për të pajisur me shtetësi shqiptare të gjithë bashkatdhetarët kudo ku ata jetojnë: Kosovë, Maqedoni, Serbi, apo Mal të Zi. Eurodeputetja më e rëndësishëm e PE-së, austriakja Ulrike Lunacek, e cila është raportuese për Kosovën, dje nga Prishtina ka sulmuar idenë e hedhur nga kreu i qeverisë shqiptare. Eurodeputetja austriake bëri të ditur se qëndrimi i qeverisë së Tiranës ka rritur qëndrimet në Bruksel, në një kohë kur Bashkimi Europian po vazhdon negociatat me Kosovën në lidhje me liberalizimin e vizave. “Rreth Sali Berishës, i cili dëshiron t’u japë pasaporta shqiptarëve të Kosovës, e di që ka disa shqetësime në Parlamentin Europian, sepse e njëjta gjë po ndodh në disa vende të tjera, si mes Rumanisë dhe Moldavisë. Pasaporta u jepen shtetasve të vendeve që ndodhen afër e që flasin të njëjtën gjuhë etj., gjithashtu edhe për Shqipërinë ka shqetësime. Unë nuk merrem me Shqipërinë, ndaj s’mund t’ju them ekzaktësisht se kush po flet me qeverinë atje për këtë çështje, por mund t’ju them vetëm se ka shqetësime rreth kësaj çështjeje”, tha Lunacek. Në fakt, siç e bëri të ditur raportuesja për Kosovën, çështja e nacionalizmit pritet të shtrohet në mbledhjen më të parë të Delegacionit të Parlamentit Europian për Ballkanin, institucion që drejtohet nga eurodeputeti sllovak, Eduard Kukan. Një fakt shtysë për mundësinë e shqyrtimit të çështjes “nacionalizmi” është se relatori i Parlamentit Europian për Shqipërinë është eurodeputeti grek, Nicolaus Countis, i cili edhe pse i përket opozitës së Syrisa-s, vendi i tij ka qenë kritik për këtë çështje me Tiranën zyrtare. Në axhendën e Parlamentit Europian, ende nuk ka ndonjë datë të zhvillimit të mbledhjes së ardhshme të Komitetit për Shqipërinë, ndërkohë që sipas gjasave, raportuesi Countis, ka përgatitur draftin e dokumentit të ardhshëm për Shqipërinë. Një takim i përbashkët i Parlamentit Europian dhe Parlamentit shqiptar duhet të mbahej në ditët e para të janarit, por u shty nga pala shqiptare me argumentin se “ishin me pushime”.
SHBA
Në fundin e muajit të shkuar, Departamenti Amerikan i Shtetit, i ka dërguar një mesazh shumë të fortë Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, pas ashpërsimit të qëndrimit të Tiranës zyrtare në lidhje me marrëdhëniet me fqinjët dhe forcimin e opozicioneve nacionaliste. Burime pranë qeverisë bënë të ditur se ministrit të Jashtëm, Edmond Panariti, i është dorëzuar një letër që është hartuar nga një zyrtar mjaft i rëndësishëm i Departamentit të Shtetit, ku renditen shqetësimet e Uashingtonit zyrtar për zhvillimet e fundit në vend, të cilat kanë turbulluar mjaft situatën në rajon dhe kryesisht në hapësirën ku jetojnë shqiptarët, duke tronditur përpjekjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian për vendosjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që do të vendoste paqen në rajon, natyrisht bashkë edhe me normalizimin e situatës në Bosnjë-Hercegovinë. Ndërkaq, mësohet se letra e Departamentit të Shtetit drejtuar qeverisë, ka pasur edhe shqetësime të tjera në lidhje me situatën brenda vendit, e veçanërisht me përgatitjen e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Në lidhje me mesazhin e DASH-it, ambasada amerikane në Tiranë, e pyetur nga gazeta “Shqip”, ka bërë të ditur se “nuk komentojmë përmbajtjen e shkëmbimeve diplomatike private. Pikëpamjet e qeverisë së SHBA-së mbi retorikën nacionaliste, janë të mirënjohura. Qeveria e SHBA-së nxit qeverinë shqiptare dhe të gjithë udhëheqësit politikë shqiptarë të vazhdojnë të jenë promovues të moderimit e dialogut dhe të jenë zëra të qetë e të arsyeshëm për stabilitetin rajonal”.
Philip Reeker
Zv/asistent i Departamentit të Shtetit të SHBA
“Ndërkohë që po zhvillohet fushata zgjedhore, kemi qenë të shqetësuar nga shumë retorika nacionaliste, gjë që ne e konsiderojmë shqetësuese dhe të panevojshme. Kjo tërheq vëmendjen nga gjëra që janë me të vërtetë të rëndësishme. Në 100 vitet e kaluara, por edhe më herët, historia ka treguar se kjo lloj retorike nuk i ndihmon qytetarët për nevojat e tyre, nuk krijon vende pune, nuk çon përpara perspektivat ekonomike. Është thjesht një hutim. Është sjellje populiste dhe shpesh shumë fatkeqe.”
SHQIP
Add new comment