Gjykata: Vrasjet e “21 Janarit”, nuk ka vepër penale! Ekspertiza e FBI-së na ndihmoi… për pafajësinë

Postuar në 14 Shkurt, 2013 07:51

 

Ndrea Prendi qëlloi Faik Myrtajn, por nuk e shikonte

http://gazeta-shqip.com/lajme/wp-content/themes/gazeta-e-re/...); background-color: rgb(255, 255, 255); color: rgb(85, 85, 85); line-height: 19px; background-position: 0px 20px; background-repeat: no-repeat no-repeat;">

S’ka akuzë - Gjatë gjykimit, u provua se fakti i paraqitur nuk përbën veprën penale për të cilën akuzohet i pandehuri Ndrea Prendi, por nuk rezulton të jenë bërë hetime të plota

Pasojat - Pra që të provohet akuza në ngarkim të të pandehurit Ndrea Prendi duhet të provohet dhe fakti që ky i pandehur dëshironte dhe synonte ardhjen e pasojës tragjike

Viktimat - Pasi bën kronologjinë e sulmit ndaj Kryeministrisë, në fund, gjykata thotë se humbën jetën shtetasit Ziver Veizaj, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj

Sokol Çobo

Vrasjet e kryera gjatë demonstratës së 21 janarit 2011 nuk përbëjnë vepër penale. Gjatë gjykimit u provua se plumbat e dala nga armët e Ndrea Prendit dhe Agim Llupos i kanë shkaktuar vdekjen Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit, por ata nuk kanë dashur pasojat. Gjykata e Tiranës, në vendimin e zbardhur, ka vlerësuar se laboratori i specializuar i FBI-së, që kreu ekspertizat e disa pistoletave për dosjen “21 Janari”, ka dhënë një ndihmë të madhe për… pafajësinë. Kolegji Penal thotë se u vërtetua se Ndrea Prendi ka vrarë me armë zjarri Faik Myrtaj, por gjenerali nuk kishte kontakt viziv me viktimën. Ndërsa Agim Llupo, megjithëse në distancë të afërt, nuk i kishte drejtuar armën Ziver Veizit, megjithëse plumbi i tij preku trupin e gjirokastritit. Gjyqtari Besnik Hoxha ka zbardhur dje vendimin që i dha pafajësi tre të pandehurve. Në vendimin prej 35 faqesh, detajohen në mënyrë kronologjike provat e marra nga shqyrtimi gjyqësor. Megjithatë, faktet dhe provat e prokurorisë, janë në fokus të dytë, pasi në plan të parë, janë pretendimet e avokatëve dhe të pandehurve. Madje, konstatohet se konkluzionet e paraqitura nga ana e avokatëve janë pasqyruar të gjitha në vendimin përfundimtar të pafajësisë. Gjykata ka “akuzuar” prokurorinë se nuk kreu një hetim të gjithanshëm për këtë çështje, megjithëse objekti i gjykimit në këtë rast ishin vrasjet, pasi demonstruesit dhe organizatorët ishin në të tjera procese hetimore dhe gjyqësore. Vendimi, në pjesët dërrmuese të tij, i fokusohet sulmit ndaj Kryeministrisë, ndërsa vrasjet janë në plan të dytë. Më poshtë, po botojmë pjesë nga vendimi që i dha pafajësinë Ndrea Prendit, që nga mobilizimi i demonstruesve, sulmet ndaj Kryeministrisë, përdorimi i armës nga ana e Ndrea Prendit dhe ekspertizat në SHBA.

 

U sulmua Kryeministria…

Gjykata, duke iu referuar pamjeve filmike, thotë se, më 21 janar, ka pasur disa individë brenda turmës, të cilët ishin më aktivë dhe në mënyrë të organizuar sulmonin me mjete të forta objektin e Kryeministrisë, duke goditur dhe punonjësit e policisë dhe duke u shkaktuar atyre dëmtime të rënda fizike.

Pas këtij momenti, sulmi i demonstruesve është shtuar dhe janë hedhur drejt efektivave të Gardës sende të forta si gurë, pllaka trotuari, pllaka mermeri, bomba “Molotov”, si dhe u është vënë zjarri pemëve që ndodheshin në pjesën përpara Kryeministrisë.

“Organi i akuzës nuk ka zhvilluar aspak hetime në drejtim të intensitetit dhe rëndësisë së sulmit në raport me veprimet e të pandehurve (në detyrë) dhe akuzave të ngritura në ngarkim të tyre”, thuhet në vendim.

Sipas tij, siç rezulton nga provat e paraqitura nga organi i akuzës dhe të administruara në gjykim të CD-ve dhe DVD-ve të ka qenë pikërisht ky moment rreth orës 16 e 10 minuta dhe momenti kritik i sulmit të objektit të Kryeministrisë dhe efektivave të Gardës së Republikës të ngarkuar me ligj për të mbrojtur këtë objekt dhe personalitetet shtetërore që ishin brenda institucionit. “Në këtë moment porta kryesore nr.1 e Kryeministrisë ishte e hapur dhe protestues të ndryshëm, duke hedhur sende të forta në drejtim të gardistëve, kalonin rrethimin e Kryeministrisë duke u futur dhe brenda rrethimi. Njëkohësisht, protestues të tjerë nga një distancë më e largët vazhdonin të hidhnin bomba “Molotov”, gurë, pllaka dhe sende të tjera të forta në drejtim të gardistëve dhe objektit të Kryeministrisë, të cilat nuk janë bërë pjesë e akuzës”, pohon gjykata. Gjykata thotë se si pasojë e këtyre veprimeve, grupi i zjarrit ka hapur zjarr. Në plan të dytë, janë vrasjet, ku thuhet se:

“Si pasojë e predhave të qitura nga armët e zjarrit, kanë humbur jetën e shtetasit Ziver Veizaj, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, si dhe kanë pësuar dëmtime të ndryshme të shkaktuara po ashtu nga predha të armëve të zjarrit shtatë shtetas të quajtur: Fatos Mahmutaj, Erald Bisha, Sokrat Gode, Artes Dybeli, Ilia Qesko, Ilia Papa, si dhe Aleks (Aleksandër) Nika, i cili pas mjekimit paraprak në Spitalin Ushtarak Tiranë, është dërguar për kurim të mëtejshëm në Turqi, ku dhe ka vdekur pas disa ditësh”, thuhet në vendim, megjithëse jo në mënyrë të analizuara”.

Nga ana e organit të akuzës pretendohet, thotë gjykata, se fillimisht armët e zjarrit me fishekë luftarakë janë përdorur nga i pandehuri Ndrea Prendi, çfarë ka shërbyer dhe si sinjal për përdorimin e armëve të zjarrit edhe nga efektivët e tjerë. Ky pretendim i akuzës nuk u arrit të provohej me prova gjatë hetimit gjyqësor. Madje, u provua e kundërta që fillimisht, siç rezulton dhe nga pamjet filmike përdorimi i armatimit luftarak ka filluar nga ‘grupi i zjarrit’ në situatën kur sulmuesit kanë shpërthyer portën, kanë djegur vendrojën dhe kur kanë arritur të hyjnë brenda rrethimit të ORV.
Ekspertiza e FBI-së

Me këtë akt ekspertimi, gjykata krijon bindjen se predhat me numrat Q3 (Faik Myrtaj) dhe Q7 (të gjetura në zyrat e UNHCR), sikundër edhe 11 (njëmbëdhjetë) gëzhojat e gjetura e sekuestruara brenda rrethimit të Kryeministrisë, janë qitur nga pistoleta e të pandehurit Ndrea Prendi. “Me anë të aktit të ekspertimit të kryer me ndihmën e ekspertëve të FBI-së në Amerikë i cili i ka dhënë një ndihmë të madhe gjykatës në zbulimin arsyes së vdekjes së të ndjerit F. Myrtaj, gjykata krijon bindjen që në fakt i pandehuri Ndrea Prendi me pistoletën e tij ka realizuar 11 qitje, nga të cilat njëra prej tyre ka përfunduar në trupin e viktimës Faik Myrtaj”, pohon gjykata. Sipas saj, për sa i përket elementit të dytë të veprës penale, objekt akuze, atë të anës objektive, falë ekspertizës së mësipërme, provohet një pjesë e këtij elementi. Kjo pjesë që provohet është fakti se nga arma e të pandehurit Ndrea Prendi ka dalë një predhë që ka shkaktuar vdekjen e të ndjerit Faik Myrtaj, por ajo që mbetet e paprovuar nga provat e administruara në dosje është rrethana në të cilën i pandehuri Ndrea Prendi ka qëlluar. Nga shqyrtimi gjyqësor nuk u provua nëse kishte i pandehuri kontakt viziv me viktimën në momentin që ka qëlluar apo jo? Ka qenë i pandehuri nën efektin e një sulmi të rrezikshëm për jetën në momentin që ka qëlluar? Ana objektive si element në përbërjen e tij përbëhet nga dy nën elemente, koha dhe vendi. Koha është momenti kohor, i saktë, gjatë të cilit janë kryer veprimet e kundërligjshme që kanë cenuar jetën e dikujt dhe vendi është pozicioni gjeografik apo vendndodhja e saktë e subjektit/autorit/personit që me veprimet e tij konkrete ka kryer veprime që kanë cenuar jetën e viktimës dhe vendndodhja e viktimës. Kjo do të thotë, që për të qenë përpara një vrasjeje, duhet të identifikojmë dhe provojmë, tej çdo dyshimi të arsyeshëm, autorin, vendndodhjen e saktë të tij në momentin e kryerjes së veprimeve që shkaktuan vdekjen dhe kohën e saktë të këtyre veprimeve. Nga provat e paraqitura nga akuza dhe të analizuara gjatë debatit gjyqësor theksojmë se nuk u provua në mënyrë të qartë as koha dhe as pozicioni i saktë i të pandehurit në momentin kur ka bërë qitjen që ka shkaktuar vdekjen e viktimës Faik Myrtaj. Në këtë aspekt edhe hetimi i zhvilluar nga organi i akuzës ishte i paplotë dhe nuk arriti të provonte nëse ka pasur ndonjë kontakt viziv në momentin e qitjes.

Gjykata çmon se mungesa e hetimit nga organi procedues për të vërtetuar rrethanat, në të cilat ka qëlluar i pandehuri Ndrea Prendi dhe mungesa e të dhënave të faktit se përse duhej të qëllonte 11 herë i pandehuri Ndrea Prendi, çfarë e ka detyruar këtë subjekt të posaçëm që të realizonte qitjen përbëjnë një pengesë të pakapërcyeshme për të vërtetuar akuzën e vrasjes me dashje në rrethana cilësuese. Mungesa e fakteve të plota dhe hetimit të gjithanshëm në këtë drejtim i bëjnë të pamundur gjykatës që të bindet tej çdo dyshimi të arsyeshëm nëse kemi të bëjmë me ndonjë vepër tjetër penale në veprimet e të pandehurit Ndrea Prendi apo jo. Pra që të provohet akuza në ngarkim të të pandehurit Ndrea Prendi duhet të provohet dhe fakti që ky i pandehur dëshironte dhe synonte ardhjen e pasojës tragjike atë të vrasjes së të ndjerit Faik Myrtaj, por që të provosh këtë element të dashjes duhet ta shoqërosh edhe me motivin. Organi që ngriti këtë akuzë nuk paraqiti asnjë provë për të vërtetuar se i pandehuri Ndrea Prendi synonte dhe dëshironte pasojën tragjike atë të vdekjes së të ndjerit Faik Myrtaj. Madje, organi i akuzës, nuk arriti të provojë asnjë lloj lidhjeje apo njohjeje mes të pandehurit dhe viktimës dhe nuk provuan asnjë aspekt të dashjes së të pandehurit në ardhjen e pasojës.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.