‘Manipuloi plumbin e Veizit, eksperti u filmua’

Postuar në 16 Shkurt, 2013 03:40

 

Vetëm dy orë para skadimit të afatit kohor, Prokuroria e Tiranës depozitoi dje ankimin e saj mbi vendimin gjyqësor që shpalli të pafajshëm Ndrea Prendin dhe Agim Llupon për vrasjet e “21 janarit”.

Në një material prej 11 faqesh, organi i akuzës radhit argumentet me të cilat kundërshtonte vendimin e Gjykatës së Tiranës të datës 7 shkurt ndaj të pandehurve. Sipas Prokurorisë, trupa gjykuese e Shkallës së Parë, në vendimin e saj u është referuar provave të paqena dhe duke tejkaluar kompetencat që i jep ligji në çmuarjen e provave. Prokuroria kundërshton me forcë versionin e Gjykatës për vrasjen e demonstruesit Ziver Veizi nga një plumb rikoshetë, version që argumentohej në vendim me ashklat e drunjta të gjetura te këmisha e viktimës pranë vrimës së hyrjes së plumbit.

Sipas Prokurorisë, ashklat janë shtyrë aty qëllimisht nga eksperti Ndoc Çardaku dhe më pas janë administruar prej tij si provë materiale. Në përfundim, organi i akuzës i kërkon Gjykatës së Apelit Tiranë prishjen e vendimit të pafajësisë për të pandehurit dhe dënimin e tyre për akuzën e “vrasjes me dashje, të kryer në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave”. Masa e dënimit të kërkuar nga Prokuroria është si ajo e bërë në Shkallën e Parë, 23 vjet burg për Ndrea Prendin dhe 25 vjet burg për Agim Llupon.

”MANIPULIMI”

Në ankim Prokuroria “ngre akuza” për manipulim të qëllimshëm të provave nga eksperti Ndoc Çardaku, eksperti që ka bërë këqyrjen e parë të teshave të viktimës Ziver Veizi. “Mungesa e papastërtive përreth vendeve të dëmtuara përforcon faktin se (dy) ashklat e drurit, të cilat nuk ekzistonin në momentin e parë të këqyrjes më dt. 21.01.2011, sikundër përshkruan eksperti Dritan Zoto, jo vetëm që nuk kanë qenë në vrimën e këmishës, por tregon qartazi se veprimi i ekspertit Ndoc Çardaku nuk është një veprim aspak profesional, por ai është një veprim tejet i qëllimshëm (në videon e prezantuar në gjykim, duket qartësisht veprimi i ekspertit Ndoc Çardaku, që shtyn me gisht një ashkël për në vrimën e hyrjes në këmishë dhe e ngjesh aty. Më vonë eksperti kërkon një “klemë” për ta hequr atë e për ta administruar si provë”, thuhej në ankim.

 

PANORAMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.